Ministria e Drejtësisë shpall konkursin e hapur për pozicionin “Regjistrues” të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/02/2018

Ministria e Drejtësisë shpall konkursin e hapur për pozicionin “Regjistrues” të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

DOKUMENTET E BASHKANGJITUR

SHPALLJE

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, të neneve 13, 14 dhe 19, të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012, “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, i ndryshuar, Vendimit nr.173, datë 7.3.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të Ministrit”, të Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr. 6323/2, datë 25.10.2017 “r miratimin e rregullores për përcaktimin e rregullave, procedurave dhe afateve të organizimit të testimit të regjistruesit të zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, si dhe me qëllim emërimin e regjistruesve të ZVRPP bazuar në procedura transparente të konkurrimit publik, dhe kritere që mbështesin parimin e meritokracisë,

Ministria e Drejtësisë shpall konkursin e hapur për pozicionin “Regjistrues” të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht në:

  1. ZVRPP Lezhë;
  2. ZVRPP Kurbin;
  3. ZVRPP Kuçovë;
  4. ZVRPP Malësi e Madhe;
  5. ZVRPP Tepelenë;
  6. ZVRPP Korçë;
  7. ZVRPP Berat.

 

KRITERET LIGJORE PËR EMËRIMIN E REGJISTRUESIT

1. Kandidatët për pozicionin “Regjistrues” në ZVRPP duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

  1. të jetë shtetas shqiptar;
  2. të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, ekonomik, inxhinierik ose menaxhim publik;
  3. të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në administratën publike;
  4. të ketë specializime në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme;
  5. të mos ketë qenë i dënuar penalisht;
  6. të mos ketë konflikt interesi.

 

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

1. Kandidatët që aplikojnë për pozicionin “Regjistrues” duhet të dorëzojë dokumentet si më poshtë:

  1. Kërkesën që specifikon Zyrën/Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të cilat po aplikohet, sipas formatit në link;
  2. Jetëshkrimi i plotësuar, sipas formatit të link-ut:
  3. Fotokopje e diplomës së arsimit të lartë dhe listës së notave;
  4. Fotokopje e kartës së identitetit ose e pasaportës;
  5. Formularin e vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që ushtrojnë funksione publike, tëplotësuar elektronikisht dhe të nënshkruar, sipas linkut
  6. Dy referenca nga punëdhënës të mëparshëm;
  7. Autorizimin me shkrim për të lejuar Ministrinë e Drejtësisë të bëjë verifikimin e gjendjes gjyqësore, nëformatin sipas link-ut:
  8. Deklaratën që kandidati nuk është në kushtet e konfliktit të interesit, në formatin sipas link-ut:

 

2. Dokumentet e mësipërme mund të dorëzohen elektronikisht në adresën elektronike: konkurrimi.publik@drejtesia.gov.al ose me postë në adresën: Ministria e Drejtësisë – “Bulevardi Zogu i I-rë”, Tiranë.

Afati maksimal i dorëzimit të aplikimeve është data: 24 Shkurt 2018

 

TESTIMI I AFTËSIVE

Vlerësimi i kandidatëve do të kryhet në përputhje me procedurat e miratuara me Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë nr. 6323/2, datë 25.10.2017 “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e rregullave, procedurave dhe afateve të organizimit të testimit të regjistruesit të zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

Të gjithë kandidatët që klasifikohen se plotësojnë kriteret formale cituar mësipër do të testohen me shkrim dhe me anë të një interviste. Data dhe vendi ku do të zhvillohet testimi me shkrim dhe intervista si dhe programi i testimit, do të publikohen në vijim në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Kandidatët fitues janë ata të cilët plotësojnë kriteret formale dhe klasifikohen nga Komisioni i klasifikimit me më shumë se 70 pikë.