MD dërgon në qeveri projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve" - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/04/2015

MD dërgon në qeveri projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”

Ministria e Drejtësisë ka përcjellë ditën e sotme për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj është një ndër masat e kërkuara në kuadër të Prioritetit nr. 2 të Udhërrëfyesit për zbatimin e reformave të nevojshme për 5 prioritetet kyçe, për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë fazës përgatitore të këtij projektakti, Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar ngushtësisht me aktorët e përfshirë në procesin e vlerësimit, përvoja e të cilëve ka qenë një vlerë e shtuar gjatë hartimit.

Për këtë qëllim u ngrit një grup i përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Unioni i Gjyqtarëve, kryetarë gjykate, gjyqtarë si dhe përfaqësues të misionit të BE “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS IV), që kanë asistuar në çdo fazë të hartimit të tij.

Projektligji iu nënshtrua fazës së konsultimit me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, me grupet e interesit, si dhe me ekspertë vendas dhe të huaj.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i veprimtarisë së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe efiçiencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të veprimtarisë së gjyqtarit.

Synimi i këtij ligji është të përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme aftësitë dhe kapacitetin e gjyqtarëve, duke përcaktuar standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së gjyqtarëve.

Objektivat e këtij ligji lidhen me përcaktimin e parimeve, kritereve dhe procedurava për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Vlerësimi profesional dhe etik do të shërbejë për të informuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë në procesin e vendimmarrjes në lidhje me ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve, duke siguruar një proces zhvillimi të karrierës së tyre të bazuar në meritokraci dhe kritere objektive. Ky vlerësim do të informojë KLD-në dhe Shkollën e Magjistraturës në lidhje me nevojat për trajnim dhe për të lehtësuar planifikimin për trajnim.

Projektligji për “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”, do të lehtësojë identifikimin e gjyqtarëve që mund të kenë aftësi të veçanta profesionale dhe do të kontribuojë në përmirësimin e strukturës organizative të gjykatave, të kushteve të punës të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor.

1. Projektligj “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve”

2. Relacioni shoqërues i projektligjit “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve