Zv.Ministri Isaraj: Prona, institucion me rëndësi për integrimin shoqëror - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/06/2014

Zv.Ministri Isaraj: Prona, institucion me rëndësi për integrimin shoqëror

I pranishëm gjatë Konferencës së 7-të Rajonale për Infrastrukturën e të Dhënave Hapësinore, Zv/Ministrit të Drejtësisë, z. Arben Isaraj  theksoi se prona është institucion i rëndësishëm për integrimin shoqëror dhe politik, sepse zotërimi i pronës krijon angazhimin ndaj rendit politik dhe ligjor.

“Nuk ka më asnjë arsye që shoqëria shqiptare të vazhdojë të vuajë mosmarrëveshjet në lidhje me pronësinë, për shkak të praktikave që mbetën pas, të një “Kodi Kanunor” ende me një “dialekt” të panjohur qytetar. Veprimet antiligjore dhe përsëritja e tyre në këto 23 vjet, vërtetuan përse njerëzit janë shumë të pakënaqur. Këto janë fakte që hedhin dyshimin mbi rezultatet e investimeve, projekteve, privatizimeve dhe pengojnë që, pronësia, të “investohet” për të prodhuar dhe jo për të shkatërruar, vjedhur, grabitur e  abuzuar, kur Kushtetuta ofron mundësi të njëjta të të drejtave të pronësisë, të drejta themelore të shqiptarëve të barabartë”, u shpreh z. Isaraj

Më poshtë fjala e plotë e Zv/Ministrit të Drejtësisë, z. Arben Isaraj, gjatë Konferencës së 7-të Rajonale për Infrastrukturën e të Dhënave Hapësinore:

 

Besoj, se ashtu si dhe 6-të tjerat më parë, Konferenca e 7-të Rajonale e Agjencive të Kadastrës dhe Hartografisë të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të shërbejë për shkëmbimin e eksperiencave dhe perspektivat apo strategjitë për të ardhmen, si dhe dy qasje të reja ndikimin në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe krijimin e shtratit të duhur ligjor e administrativ, në secilin vend pjesëmarrës; implementimin e Direktivës INSPIRE, si dhe ndërtimin e Infrastrukturës Globale të të Dhënave Gjeohapsinore  në këto vende.

Dua këtu pa përsëritur parafolësit, ta fokusoj ndryshe diskutimit tim.

Në vendin ku kam lindur dhe jam rritur, kemi dhe përdorim një përshëndetje, me pak sens humori :

Ca bën o dhe i hedhur ???

Kjo “përshëndetje” labe që është shumë dimensionale, sot na shërben të paktën për:

1. Gjënë që nuk zë vend, që është pa rrënjë, natyrore e shoqërore;

2. Jo vendasit, të ardhurit…. etj

Dheu, ju e dini, është shtresa e sipërme e sipërfaqes së botës dhe baza mbi të cilën është zhvilluar jeta në planet, e padyshim në rajonin ku ne jetojmë.

Ai është gjithmonë në një proces ndryshimi, formimi, por edhe shkatërrimi (erozioni natyror e njerëzor).

Ndryshe nga ajri dhe uji, dheu mund të zotërohet si pronë private, ç’ka i bën të vështira politikat tona për mbrojtjen dhe ruajtjen e tokës.

Dhe ky Dhe, i Atdheut apo Mëmëdheut, nuk na rezulton ende sot, si Dheu i Atit apo i Mëmës… – pasojë e “erozionit” njerëzor.

Shqipëria, çuditërisht në këto 23 vjet tranzicioni demokratik, ka kaluar në fushën e pronësisë, edhe njëherë ato, që bota e qytetëruar i ka kaluar shumë e shumë shekuj më parë.

Pas vitit 1991, dhamë politikisht “një copë tokë” në përdorim, që shpesh herë u kthye gabimisht në pronësi, pa ia kthyer më parë atë pronarit të ligjshëm, sipas ligjit.

Po, “një copë tokë” – b ɛ n ɪ f ɪ s – është një shpërblim i marrë në këmbim të shërbimeve të ofruara dhe si një garanci për shërbimet e ardhshme.

Në Romën e Lashtë, një copë tokë ishte një dhuratë e tokës (precaria) për jetën, si një shpërblim për shërbimet e kryera, fillimisht, ndaj shtetit.

Fjala vjen e moderohet nga latinishtja në –beneficium, që do të thotë “përfitim”.

Përdorimi i saj më vonë, u miratua dhe nga Kisha në Mesjetë, dhe mbeti, si një përfitim i dhuruar nga Kurora, nëpunësit e Mbretit ose zyrtarët e Kishës, e është quajtur zakonisht çiflig (seignorialism).

Por, “një copë tokë”, si shpërblim i marrë  nga një autoritet më i lartë, dallonte kuptohet, nga pronësia e plotë mbi tokën.

Sepse, sipas të drejtës romake, pronësia është e drejta e përdorimit, e shfrytëzimit dhe e disponimit të një sendi në kufijtë e ligjit – “ius utendi, ius fruendi et ius abutendi re sua, guatenus juris ratio patitut”, e kështu respektivisht, pronësia është pushteti i plotë mbi sendin (proprietas est plena in re potestas).

Legjislacioni (Kushtetuta dhe ligji) i Republikës së Shqipërisë pronësinë e përkufizon:

“Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet brenda kufijve të caktuar nga ligji”.

Pra, pronari ka të drejtë që sendin e vet ta mbajë, shfrytëzojë dhe ta disponojë në kufijtë e caktuar me ligj.

Por ajo që nuk mendohej e perceptohej, ishte barbaria e grabitja e pronës së tjetrit, që ndodhi ndër ne, nga “fitimi” i pronës së paluajtshme, me anë pushtimi.

Megjithëse, neni 188 Kodi Civil kërkonte që :

“Pronësia mbi sendet e luajtshme të abandonuara, si dhe mbi kafshët e egra, shpendët, peshqit, frutat e egra dhe mbi sendet e tjera të luajtshme të natyrës, fitohet me anë pushtimi, në kushte të caktuara me ligj ose ne dispozita të veçanta”.

Pra mbi sendet e luajtshme dhe jo mbi sendet e paluajtshme.

Legalizimi është procesi i heqjes së një ndalimi ligjor, me dëmshpërblim, e diçkaje, e cila aktualisht nuk është e ligjshme.

Legalizimi është parë, pak a shumë, si formë shtetërore e shpronësimit për arsye publike. Por i shpronësuari duhet të paguhej më parë dhe kjo nuk ka ndodhur.

Pse? Më interes për politikën kishte vota dhe votuesi, pavarësisht se shkelej hapur Kushtetuta dhe ligji.

Legalizimi i vërtetë duhet të shoqërohej edhe me dekriminalizimin, i cili heq akuzat penale për një veprim antiligjor të kryer.

Dhe këtu asgjë?

Dhe këtu besoj vota dhe votuesi i politikës, kishin rëndësi mbi Kushtetutën dhe ligjin !!!!

Edhe përkrahësit e libertarianizmit, e mbështetesin “legalizimin”, vetëm për ato që ata i konsiderojnë si victimless crimes (krime me më pak viktima), si drogës, alkoolit, apo  dhe pronësinë private të armëve.

Por, pronësinë e fituar me pushtim-legalizim, mbi sendet e paluajtshme (tokën dhe gjithcka mbi të) as e kishin e as e kanë menduar kurrë.

 

  • Po hyjmë në rrugën e duhur, dhe 15-të janari 2009-tës, si fundi i pushtim-legalizimeve në Shqipëri.

 

Ndryshimet e bëra ditë më parë nga Qeveria dhe miratuar nga Parlamenti, në legjislacionin mbi legalizimet, si dhe vendosja e datës 15 janar 2009, si kufi fundor për aplikuesit në proces, krijon mundësinë por dhe shpresën, vetëm për zgjidhje Kushtetuese e ligjore në fushën e pronësisë si dhe të rregjistrimit korrekt të saj.

Prona , është institucioni i rëndësishëm për integrimin shoqëror dhe politik, sepse zotërimi i pronës krijon angazhimin ndaj rendit politik dhe ligjor, angazhim i cili garanton të drejtat e pronësisë dhe i bën qytetarët bashkësovrane dhe, pronësia si e tillë, bëhet mekanizmi më i rëndësishëm për të rrënjosur respektimin e ligjit, interesin e qytetarit si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Karakteristika parësore e të të “jashtëligjshmëve”, është ende  mungesa e një adrese, dhe e të dhënave të shumta me bazë pronësinë që ndër të tjera, pengojnë autoritetet në zbatimin e ligjit, për të identifikuar paraprakisht të dyshuarit për shkelje të ligjit, në kurriz të drejtave civile të njerëzve të pafajshëm.

Ndryshimet që duhet të bëjë politika në lidhje me prirjen ligjore për të respektuar pronën sipas përkufizimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e veçanërisht, e mënyrave klasike të Kodit Civil, që kërkojnë largimin nga format e këqija të trashëguara, për të konsoliduar ekonominë e tregut, e të bëjnë të mundur, të “çlirohen” aspiratat dhe energjitë e qytetarëve të zakonshëm.

Nuk ka më asnjë arsye që shoqëria shqiptare të vazhdojë të vuajë mosmarrëveshjet në lidhje me pronësinë, për shkak të praktikave që mbetën pas, të një “Kodi kanunor” ende me një “dialekt” të panjohur qytetar.

Veprimet antiligjore dhe përsëritja e tyre në këto 23 vjet, vërtetuan përse njerëzit (shqiptarë e të huaj) janë shumë të pakënaqur.

Këto janë fakte që hedhin dyshimin mbi rezultatet e investimeve, projekteve, privatizimeve dhe pengojnë që, pronësia, të “investohet” për të prodhuar dhe jo për të shkatërruar, vjedhur, grabitur e  abuzuar, kur Kushtetuta ofron mundësi të njëjta të të drejtave të pronësisë, të drejta themelore të shqiptarëve të barabartë.

Mazhoranca politike, mendoj se gjeti rrugën politiko-ligjore, që duhej.

Tani ju takon specialistëve, dhe këtë e mirëpresim nga Ju.

Duhen kapacitete profesionale – teknike bashkëkohore si dhe krijimi i shtratit të nevojshëm ligjor e administrative për fushën.

Krijoni kushtet e duhura për ta shpëtuar pronën dhe pronarët, nga “erozioni” politiko-social, që dhe puna juaj të mos jetë e duket si “dhe i hedhur” kot, i “oreks” politikës së ditës.

Urime konferencës, e punë të mbarë!