Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço po zhvillon një vizitë dy ditore në Republikën e Maqedonisë, ku është pritur në një takim zyrtar nga homologu i tij, z. Adnan Jashari.
Gjatë takimit është diskutuar lidhur me sfidat e përbashkëta të sistemit të drejtësisë së të dyja vendeve, ndërsa janë prezantuar edhe nismat reformatore të deritanishme.
Ministri Jashari e informoi z. Naço se Republika e Maqedonisë po realizon ndryshime kushtetuese në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, reforma këto që prekin funksionimin e sistemin gjyqësor dhe efektivitetin e procesit kontrollues dhe llogaridhënës të gjyqtarëve.
Ndërkohë edhe për Ministrin Naço mbetet prioritare nevoja e reformimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri, reformë kjo e cila do të preke disa nga ligjet që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme, etj.
Gjithashtu Z. Naco bëri një prezantim të ndryshimeve të ndërmarra në ligjet kryesore si Kodin e Procedurës Penale, Paketën Ligjore Antimafia si dhe ligje të tjera që kanë ndikuar në përmirësimin e luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
Më tej biseda u fokusua në bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet dy vendeve tona dhe Ministrat shprehën vullnetin për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, kjo dhe në kuadër të iniciativave të përbashkëta rajonale, me qëllim intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe dekurajimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme në rajon dhe më gjerë.
Ndërkaq vizita e Ministrit Naço do të vijojë gjatë ditës së sotme me takime të tjera me krerët e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Maqedoni.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.