Urdheri i parë i Ministrit Manjani, respektim ndaj afateve të shërbimeve publike - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/11/2015

Urdheri i parë i Ministrit Manjani, respektim ndaj afateve të shërbimeve publike

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka bërë sot publik urdhërin e tij të parë të cilin e ka konsideruar një nismë të drejtëpërdrejtë antikorrupsion.

Në daljen e tij para medias Ministri Manjani e ka vënë theksin në detyrim e qartë që kanë nëpunësit e aparatit të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe çdo institucioni varësie që ofron shërbime publike, për të respektuar me rigorozitet afatet që parashikon ligji për dhënien e shërbimeve përkatëse.

“Unë nuk jam Ministër i Drejtësisë në kuptimin që të jap drejtësi, por jam Ministër i shërbimeve ligjore. Nga kjo pikëpamje, shërbimi ligjor ndaj qytetarëve shqiptarë është detyra ime numër një. Cilido nëpunës i Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të varësisë është i detyruar që ta kryejë shërbimin brenda afatit. Në qoftë se për të marrë një kartelë të freskët afati është 48 orë, në sekondën e parë të orës së 49 nëse kapet shërbim i pakryer ai punonjës nuk është më. Nuk mund të mbajmë nëpunës publik që paguhen nga njërëzit dhe të mos shërbejnë në afat”, u shpreh z. Manjani

Për Ministrin e Drejtësisë, z. Manjani, vonesa në kryerjen e shërbimit nënkupton shkak të drejtëpërdrejtë për korrupsion.

“Unë do të doja shumë të raportoja para jush se si do të shërbejmë më mirë, por kjo është sot në programin shumë ambicioz të axhendën së qeverisë. Dixhitalizimi i shërbimeve është një program që do të marri kohë, por derisa të vijmë në standardin e shërbimeve dixhitale ku gjërat bëhën me një komandë kompjuteri, urdhëri im është që të shërbehet, asgjë tjetër, vetëm shërbim”, theksoi z. Manjani

Njëkohësisht, në funksion të zërit qytetar, në mënyrë që ky i fundit të ketë një dritare të drejtpërdrejtë komunikimi me Ministrin e Drejtësisë, z. Manjani informoi edhe mbi një tjetër nismë të rëndësishme që lidhet me publikimin e portalit “Shkruaji Ministrit”.

“Dua të kuptoj se kush nuk shërben. Jo se nuk kam besim tek drejtuesit, të cilët janë njerëz të nderuar dhe të respektuar, por do t’i marrim gjërat sipas hierarkisë”, tha z, Manjani

Në vijim të komunikimit të tij publik, Ministri Manjani ka apeluar edhe ndaj drejtuesve të institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë për më shumë vëmendje ndaj sigurisë, transparencës dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit.

“Të nderuar drejtues të institucioneve, ju keni një detyrë të jashtëzakonshme, sepse jeni ju përgjegjësit e parë nëse vartësit tuaj nuk shërbejnë. Kur unë të jap llogari përpara qeverisë dhe më lart, kini parasysh që të gjithë ju duhet të keni dhënë llogari përparaJu lutem shumë merrni masat sepse shërbimi publik ka kosto, nuk lejohet të kesh arsye, ka vetëm shërbim”, u shpreh z. Manjani

Kreu i drejtësisë shqiptare bëri me dije se do të vijonë puna për realizimin e të tjera prioriteteve, me ndërhyrje e nisma konkrete.

“Kam qenë dhe mbetem përkrahës i pikëpamjes së afateve. Djalli i korrupsionit fshihet tek detajet dhe detaji numër një është afati. Nëse nuk shërbehet në afat është e sigurt që ka korrupsion. Le ta fillojmë kështu dhe le ta mbajmë këtë ritëm”, e përfundoi deklaratën e tij z. Manjani