Urdhëri i Ministrit Manjani për mbarëvajtjen e bashkëpunimit mes ZRPP dhe ALUIZNI-t - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/01/2016

Urdhëri i Ministrit Manjani për mbarëvajtjen e bashkëpunimit mes ZRPP dhe ALUIZNI-t

 

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka pasur ditën e sotme një dalje për media gjatë së cilës ka përcjellë edhe njëherë shqetësimin lidhur me cilësinë e ofrimit të shërbimeve pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë territorin e vendit.

Duke bërë prezent rëndësinë e zërit të qytetarit lidhur me mangësitë në këtë shërbim, por referuar edhe rëndësisë së mbarëvajtjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, z. Manjani ka bërë apel se nuk do të tolerohet askush që nuk shërben në afat.

Gjithashtu në funskion të bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore, z. Manjani bëri publik një urdhër të firmosur ditën e sotme, i cili detyron ndërveprimin mes Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t, në ndërtimin e një produkti të përbashkët që kërkon shkëmbim informacioni.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:

“Në përgjigje të interesit të shumë qytetarëve të cilët janë ankuar në Ministrinë e Drejtësisë, sipas tyre, për çështjen e shërbimit të munguar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dua të bëj edhe një bilanc të shkurtër të punës së bërë që pas urdhërit tim të parë, për respektimin e afateve ligjore dhe për të kuptuar të gjithë së bashku se në këto dy muaj ka patur një zhbllokim të konsiderueshëm të praktikave që qëndronin prej muajsh, për fat të keq edhe prej vitesh. Nuk fshihem dhe as krenohem me shifra statistikore, por e shoh çdo problematikë të çdo qytetari si sfidë për zgjidhje. Jam ende i pakënaqur nga mënyra se si shërbehet në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme sepse ka ende shqetësime të vërejtura nga qytetarët kudo ku jetojnë dhe detyra ime ka qenë vetëm në favor dhe në mbështetje të tyre. Unë e kuptoj se nëpunësit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë vështirësi. Në disa raste nuk kemi burimet e nevojshme, e kuptoj se ka probleme të trashëguara nga koha, e kuptoj që dixhitalizimi do të jetë zgjidhja përfundimtare e këtij problemi, e kuptoj që ka vështirësi në mënyrën se si qarkullon informacioni, por nuk kuptoj dhe s’kam ndërmend të mirëkuptoj askënd që nuk shërben në afat. Asnjë tolerancë për atë që shkel afatet! Kjo ka qenë arsyeja që kemi sugjeruar masa ekstreme administrative ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin, që shkelin afatet dhe ndaj të gjithë atyre që përdorin autoritetin e shtetit dhe të ligjit për të kërkuar para. Për këtë kam komunikuar në mënyrë të përsëritur me Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjithë shërbimin e prokurorisë, me të gjitha agjencitë e fshehta dhe të dukshme, që të rrisin vëmendjen dhe aftësinë provuese ndaj kujdo zyrtari në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që kërkon para. Ashtu siç përsëris ftesën timë publike dhe shumë të sinqertë për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që të mos i japin asnjë qindarkë askujt, sepse askush nuk po ju bën një nder që po ju regjistron apo po ju jep informacion për pronën tuaj. Nuk do të ndaloj derisa të kuptojë edhe skeptiku më i madh në këtë vend se duhet të shërbejë. I kam kërkuar zyrtarisht Kryeregjistruesit të Republikës që për çdo vend vakant në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kudoqoftë, asnjë emërim në detyrë nuk do të bëhet pa ju nënshtruar më parë një testi apo një konkursi publik. Prandaj çdo vend vakant do të jetë i publikuar në faqen zyrtare të internetit të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe unë ftoj publikisht të gjithë ata shtetas që janë inxhinier ndërtimi, arkitekt, jurist apo menaxher, që përbëjnë profesionet që kërkohen në këtë shërbim, të paraqesin kërkesën e tyre dhe CV-në tek Kryeregjistruesi, ku të gjitha do të jenë të arkivuara, të regjistruara dhe të shqyrtuara një e nga një. Sot po bëj publik edhe urdhërin për të gjithë drejtuesit e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që i detyron të bashkëpunojnë me zyrat e ALUIZNI-t, për të ndërtuar punë të përbashkët në një hartë të përbashkët. Për këtë ka vendosur edhe Qeveria e Republikës së Shqipëris dhe këtu s’ka më diskutime. Harta zyrtare që do përdoret për titujt e pronësisë do të jetë harta që prodhohet nga zyrat e ALUIZNI-t. Kjo është një përgjegjësi zyrtare, ligjore, Kushtetuese e vendosur nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe nuk ka zyrtar tjetër që ta verë në diskutim këtë histori. Për hir të transparencës, u detyrova ta bëj urdhër dhe ta komunikoj nëpërmet jush që në momëntin e parë të normimit, për të sqaruar njëhërë e mirë se kjo është rruga e bashkëpunimit dhe nuk ka më diskutime. Ai drejtues në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që nuk do të jëtë në gjendje të raportojë produktin nga bashkëpunimi me zyrën e ALUIZNI-t, për efekt të hartës, do të duhet ta leri zyrën dhe është automatikisht i kallëzuar për ndjekje penale. Refuzim në zbatimin e ligjit të shtetit, nuk ka krim më të rëndë se sa ky. Ligji i shtetit do të zbatohet dhe ky është qëllimi i këtij urdhëri. Çështja e zbatimit të ligjeve ndonjëherë është një çështje mentaliteti, kështu që detyra ime është që të qendroj fort në ndryshimin e këtij mentaliteti dhe të vendos ura bashkëpunimi. Nuk ka asnjë hezitim që ta çoj deri në fund analizën e përgjegjësive”, u shpreh Ministri Manjani.