Ministri I Drejtësisë, z.Ulsi Manja së bashku me Ministren e Infrastrukturës znj. Belinda Balluku, ka qenë I pranishëm sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës Shqiptare, ku është prezantuar zv/drejtoresha e përgjithshme e këtij institucioni, znj.Laureta Omeri, njëkohësisht edhe koordinatorja e Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Në fjalën e tij, Ministri I Drejtësisë ka prekur një nga plagët më të vjetra të këtij sistemi, atë të ndërhyrjes në pagesat e pensionistëve. “Qëllimi është shumë I qartë. Duhet që ta zhveshim këtë institucion nga një mentalitet që po na dëmton çdo ditë. Duhet ta themi hapur: Vendi I punës më I kërkuar në postën shqiptare është arkëtari në sportel, pra ku jepen pensionet dhe ndihma ekonomike. Asnjë nuk shkon të kërkojë punë ku përpunohen letrat, zarfat, korrespodenca. Të gjithë duan të bëhen arkëtarë. Mos të bëjmë bisedë me maska: Është e qartë pse duan tek arka. Tek arka duan sepse duke funksionuar ai sistemi I shpërndarjes së pensioneve me zarfa dhe nisin e bëjnë arkëtarët llogaritë: Nga pensioni I ish-kooperëtivës heq 200 lekë, nga ai I shtetit heq 500 lëkë, kur I shkon në shtëpi 1000 lekë”, është shprehur z.Manja. Duke u bazuar edhe në informacionet e marra paraprakisht pikërisht nga Drejtoria Antikorrupsion, ai foli dhe për një marrëveshje pothuaj të detyrueshme mes arkëtarëve dhe qytetarëve. “Pensionisti, invalidi, personi që vjen tek sporteli merr një zarf, firmos e as nuk I numëron në shumicën e rasteve sepse ka një si marrëveshje të heshtur me hajdutët e arkave. Por hajdutët fillojnë që këtu. Këtu ku jemi sot. Korrupsioni nga poshtë shkon lartë, jo nga lartë poshtë. Dikush I mban këta në punë”, ka thënë Ministri I Drejtësisë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.