Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani i është përgjigjur sot interesit të medias lidhur me çështjen “Panama Paper”, ku ndër të tjera bëri me dije se është i gatshëm për të propozuar përgatitjen e një ligji i cili do të detyrojë të gjitha kompanitë e huaja që duan të investojnë në Shqipëri, të bëjnë publike listën e aksionerëve.
Sipas Ministrit Manjani kjo nismë e cila është bërë me dije një ditë më parë edhe nga homologu i tij gjerman, z. Heiko Maas, do të kishte një ndikim mjaft pozitiv në rritjen e transparencës mbi pronësinë e kompanive “offshore”.
Ministri Manjani informoi se ka nisur puna për të verifikuar se në cilën pjesë të legjislacionit do të ndërhyhet, ndërsa çdo hap do të hidhet në bashkëpunim edhe me eskpertë të Ministrisë së Financave.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:
“Ministria e Drejtësisë do të përgatisë një ligj që të detyrojë të gjitha kompanitë e huaja që duan të investojnë në Shqipëri, të bëjnë publike listën e aksionerëve dhe për këtë do të do të ndiqet modeli gjerman. Mbështes 100 përqind nismën e Ministrit të Republikës Federale të Gjermanisë, që është prezantuar dje dhe që është një nismë shumë interesante. Çështja e kompanive “offshore” është një çështje globale dhe nuk ka lindur në Shqipëri. Me pak fjalë Ministri i Drejtësisë së Gjermanisë dje ka prezantuar një nismë ligjvënëse për shtetin gjerman sipas të cilës kushdo nga kompanitë “offshore” që investon në Gjermani duhet të bëjë publik emrat e aksionerëve. Një ligj të tillë jam gati ta bëjë edhe unë, ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë po e shohin mundësinë se ku do të traspozohet kjo pjesë e legjislacionit. Ekspertëve të huaj që ne na asitojnë ju kam kërkuar ndihmë të posaçme për këtë çështje, si dhe do të hyjmë shumë shpejt në bisedime me Ministrinë e Drejtësië së Republikës Federale të Gjermanisë për ta marrë këtë model dhe për ta bërë këtë gjë sa më të mundshme dhe sa më të zbatueshme edhe në Shqipëri, sigurisht edhe pasi ta konsultoj me Ministrin e Financave sepse kjo gjë është edhe financiare. Ishte shumë shqetësues raporti i Komisioneres për Konkurencën e cila nuk ka pasur mundësi që të investigonte dhe unë po flas për një legjislacion që t’ju japë mundësi të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit që të investigojnë sa herë të kenë nevojë dhe sa herë të duan të kenë informacione. Por tashmë jam plotësisht dakort me Ministrin gjerman sepse nuk është koha për të fol për privatësi në këtë çështje po është koha për transparencë dhe transparencë në një mjedis biznesi do të thotë që të jetë e mundur të ekspozohet e gjithë lista e aksionerëve, që me pak fjalë do të thotë se çdo kompani “offshore” e regjistruar në vendet “offshore” që do të investojë në Shqipëri ose është në Shqipëri sipas këtij ligji të ri, kur të jemi gati për ta bërë, duhet të ekspozojnë se kush janë aksionerët dhe publiku duhet ta dijë këtë gjë. Kemi nisur punën për të verifikuar mundësinë se ku dhe ç’pjesë të legjislacionit do të ndërhyjmë, pra jemi në një fazë ende paraprake dhe bashkë me ekspertët e huaj dhe ata të Ministrisë së Fianacave, ndoshta edhe me të tjerë eskpertë, kryesisht të pastrimit të parave, do të jemi në gjendje që të japim një legjislacion modern, që do t’i përgjigjet sfidave të kohës. Prokuroria e Përgjithshme ka gjithë mbështjen time për të bërë hetime të plota dhe të qarta dhe për të sqaruar në radhë të parë opinionin publik apo edhe këdo që administron para apo elementë të ekonomisë kombëtare në mënyrë jo trasnparente”, u shpreh Ministri Manjani.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.