Tedi Dobi shërben si Zëvendësministër i Drejtësisë nga Prilli 2024, ku mbulon kryesisht kuadrin strategjik në fushën e drejtësisë dhe çështjet e integrimit europian si Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për kapitullin 23 mbi “Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore”. Më herët ka qenë ekspert i nivelit të lartë për shtetin e së drejtës dhe integrimit Europian pranë projektit “Mbështetje për Procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë” (SEI) si dhe pranë një numër projektesh të asistencës teknike Europiane, kryesisht në çështjet e parandalimit të korrupsionit, mbështetjes financiare nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit si dhe të kontrollit të pajtueshmërisë me acquis të BE, në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë viteve 2021 dhe 2022 ka shërbyer në pozicionin e Këshilltarit në Kryeministri, si pjesë e programit LEAD Albania, ku është përfshirë me hartimin dhe përmirësimin e akteve prioritare përpara paraqitjes së tyre në Këshillin e Ministrave si dhe përgatitjen e projektmarrëveshjeve dhe udhëheqjen e negociatave teknike dhe diskutimeve mbi marrëveshje ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe. Gjatë viteve 2017 deri 2021, Z. Dobi ka qënë i angazhuar si ekspert ligjor vendas pranë projektit EURALIUS në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke u përfshirë në hartimin e iniciativave ligjore në fushat e së drejtës civile dhe administrative, parandalimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave, organizimin e disiplinën profesionale, profesionet e lira ligjore, arbitrazhin si dhe ndihmën juridike falas. Paralelisht, ai ka mbështetur menaxhimin e ndryshimit dhe fuqizimin e kapaciteteve të Drejtorive të Inspektimit dhe të Kodifikimit të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe ka mbështetur procesin e riorganizimit të punës në Gjykatën e Lartë në drejtim të një strukture më efikase dhe procedurave efektive për evadimin më të shpejtë të çështjeve. Z. Dobi zotëron diplomë të dyfishtë Bachelor në Drejtësi dhe Politikë nga Universiteti i Edinburgut dhe Master shkencor nga Universiteti Cornell, si dhe ka përfunduar studime ekzekutive pranë Universitetit të Harvardit. Ai ka shërbyer si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës për lëndët e Drejta Sociale dhe e Drejtë Biznesi dhe është trajnues në fusha si e drejta e biznesit, praktika, etika dhe disiplina profesionale, si dhe teknika legjislative për hartimin e akteve normative dhe të akteve përafruese me acquis të BE.