Të burgosurit dhe përfaqësuesit e kombëtares, përballë në një ndeshje futbolli - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/02/2015

Të burgosurit dhe përfaqësuesit e kombëtares, përballë në një ndeshje futbolli

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Bashkinë e Kavajës, organizuan sot ndeshjen finale të minikampionatit të futbollit të burgjeve 2015, ku luajtën të burgosurit përballë përfaqësuesve të kombëtares shqiptare.

 

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës, ku forcat e policisë së burgjeve dhe ato të policisë së shtetit garantuan mbarëvajtjen e plotë dhe sigurinë e të burgosurve.

 

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, z. Elvis Roshi, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armando Duka, përfaqësues nga Drejtoria e Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, drejtues të disa IEVPenale, si dhe përfaqësues të lartë nga DPB.

 

Në fjalën e tij për mediat gjatë ndeshjes së futbollit mes të burgosurve dhe përfaqësuesve të kombëtares, Ministri tha se natyrshëm ai ishte në përkrahje të ekipit të burgjeve.

 

“Gjithmonë kam qenë tifoz i kombëtares, por sot skuadra ime e zemrës është ajo e bluzave të bardha”- u shpreh ai, duke iu referuar ekipit të të burgosurve.

 

I pranishëm gjatë gjithë ndeshjes, Ministri i Drejtësisë u pyet nga mediat edhe mbi hapjen e burgjeve të reja për menaxhimin e situatës së përkohshme të mbipopullimit.

 

“Unë dua që ne të ndërtojmë rrugë, shkolla, spitale dhe jo burgje, por duhet ta pranojmë se edhe burgjet janë të nevojshme për qëllimin rehabilitues që ato kanë për personat që kryejnë vepra në konflikt me ligjin.”- theksoi Naço.

 

Ndërsa në lidhje me sigurinë e të burgosurve gjatë kësaj ndeshje që u mbajt në një mjedis të hapur, siç ishte stadiumi “Besa”, Ministri Naço iu përgjigj mediave se aktivitete të tilla janë stimuluese dhe rehabilituese, prandaj mbështetja ndaj tyre është e padiskutueshme.

 

“Do isha i gatshëm të rrezikoja edhe karrierën time dhe këtë ndeshje nuk do ta pengoja që të realizohej.”- tha ai.

 

Ndeshja finale vjen pas një periudhe disa- mujore, gjatë së cilës është zhvilluar minikampionati i futbollit midis të gjitha IEVPenale në vend. Të burgosurit që morën pjesë u përzgjodhën nga disa ekipe finaliste, konkretisht IEVP Vaqarr, Rrogozhinë, Lezhë, Lushnje dhe Peqin.

 

Në fund të ndeshjes, Federata Shqiptare e Futbollit dhuroi një kupë për ekipin fitues të burgjeve, i cili fitoi me rezultatin 6: 3, si dhe shpërndau 20 medalje simbolike për pjesëmarrësit dhe organizatorët.