Ministri i Drejtësisë z. Naço ka zhvilluar një vizitë pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave nga ku garantoi një vëmendje reale ndaj shtresës së ish pronarëve, larg demagogjisë së djeshme të atyre që përbetoheshin për ata dhe nuk bënë asgjë.
Z. Naço vlerësoi përpjekjet e bëra gjatë këtyre muajve për vënien në punë të të gjithë arkivës, sektor të cilin e ka vizituar edhe në nisje të mandatit të tij.
“Para disa kohësh kur kam ardhur këtu, dosjet ishin në një gjendje të mjerueshmë, nuk kishin asnjë lloj inventari dhe qytetarët nuk e dinin se si administroheshin pronat e tyre, të paktën në letër. Kemi projekte konkrete për ta reformuar dhe dixhitalizuar të gjithë arkivën e këtij institucioni të rëndësishëm”, garantoi z. Naço
Ministri i Drejtësisë shprehu shqetësimin e tij për mangësitë e dosjeve për të cilat vuri në dukje se janë pa asnjë lloj procesverbali dhe inventari dhe se do të duhet një punë e madhe për t’i administruar dhe më pas mund të mësohet se sa është fatura financiare për shtresën e ish pronarëve.
“Dyert e këtij institucioni do të jenë të hapura ndryshe nga dje, për t’u shërbyer më shumë qytetarëve. Kontrollet janë të vazhdueshme dhe fakti që pjesa më e madhe e dosjeve janë pa inventar të lë të kuptosh se është abuzuar me praktikat e këtyre dosjeve. Dixhitalizimi i arkivës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluejtshme, për të cilën po punojmë do të nxjerri në pah abuzimet, për t’i identifikuar ato dhe për të bërë kallzimet përkatëse në ato raste që ka elemente të veprës penale”, deklaroi z. Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.