Mbështetja e Këshillit të Evropës përmes shqyrtimit të mundësive të reja në funksion të prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, për reformat në fushën e drejtësisë ishte tema qendrore e takimit mes Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Programeve në Këshillin e Evropës, Znj. Verena Taylor.
Gjatë takimit Znj. Taylor theksoi se është parashikuar një vlerësim i ndërmjetëm (në Janar 2014) i ecurisë së zbatimit të projekteve, rishikimi i prioriteteve dhe diskutimi mbi prioritete të reja bashkëpunimi.
Gjithashtu, Znj. Taylor garantoi vijimin e asistencës së KiE duke u ndalur në prezantimin e disa projeketeve që janë në planet e Këshilli i Evropës, sikurse është projekti për efiçencën e gjyqësorit, Programi Europian për trajnimin e profesionistëve ligjore për të Drejtat e Njeriut (Programi HELP), asistencën me Komisionin e Venecias etj.
Ministri Naço është ndalur në prezantimin e reformave të ndërmarra së fundmi në sistemin e drejtësisë duke garantuar se ato shprehin vullnetin e nevojshëm politik për ta adresuar drejt rrugës së duhur sistemin në tërësi.
“E kemi nisur me luftën kundër korrupsionit” u shpreh Ministri Naço, ndërsa theksoi se përmes miratimit të paketës antikorrupsion, qeveria shqiptare dëshmoi se është e vendosur për ta dekurajuar korrupsionin.
“Njëkohësisht janë hedhur hapa konkrete përmes një fushate të gjerë ndërgjegjësimi duke përfshirë aktorë të rëndësishëm siç janë media dhe shoqëria civile, sikurse edhe ftesa ndaj qytetarëve për të qenë pjesë aktive për luftën ndaj këtij fenomeni”, u shpreh Z. Naço.
Në Tetor 2012, KiE dhe Shqipëria ranë dakord për një dokument bashkëpunimi, i cili ofron programe strategjike për një qasje gjithëpërfshirëse dhe koherente për bashkëpunim, duke siguruar një paketë të detyrave prioritare të përcaktuara bashkërisht, si rezultat i konsultimeve të gjera të përbashkëta.
Fushat prioritare për dokumentin e bashkëpunimit rrjedhin nga një numër burimesh; prioritet politike të vendit, standardet përkatëse të KiE dhe rekomandimet e organeve monitoruese të KiE, si dhe përvoja e zbatimit të projekteve të mëparshme dhe në vazhdim të KiE-ës në Shqipëri.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.