Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar të tjera takime të nivelit të lartë, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takimin e radhës Ministri Naço është pritur nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së z. James M. Cole.
Z. Naço i ka kërkuar z. Cole vazhdimësinë e mbështetjes përmes programeve të ndihmës në fushën e drejtësisë, nëpërmjet OPDAT, ICITAP dhe USAID, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për kontributin e këtyrë programeve në drejtim të thellimit të proceseve reformuese.
Gjatë diskutimit Ministri Naço e ka informuar z. Cole lidhur me rëndësinë që do të kishte prezenca e FBI-së për trajnime dhe veprime operacionale të përbashkëta.
“Jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe me çdo mjet. Paketa ‘Antikorrupsion’ do të na ndihmojë për ta dekurajuar këtë fenomen”, theksoi z. Naço
Z. Cole ka përshëndetur reformat ligjore antikorrupsion dhe e ka inkurajuar Ministrin Naço për t’i vijuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurave Penale.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, duke sjellë si model Njësitë e Përbashkëta Hetimore.
Shkëmbimi i informacionit është cilësuar nga z. Cole si një element i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu gjatë takimit, bashkëbidesuesit janë ndalur edhe në rëndësinë e rishikimit dhe të plotësimit të marrëveshjeve lidhur me ekstradimet dhe transferimet.
Ndërkohë, më herët Ministri Naço ka zhvilluar takime edhe me kongresmenët Gary C Peters dhe Eliot Engel, ku ndër të tjera ka diskutuar edhe mbi proceset integruese të Shqipërisë.
Kongresmenët e kanë përgëzuar Ministrin Naço në lidhje me kursin e reformave të qeverisë por edhe të reformës në drejtësi, ndërsa kanë theksuar nevojën e rezultateve konkrete kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Gjatë takimit Ministri Naço ka kërkuar nga kongresmenët edhe krijimin e mundësive për lehtësimin e regjimit të vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.