Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka bashkëbiseduar ditën e sotme me studentë shqiptar të cilët kanë studiuar dhe janë diplomuar në universitetet jashtë vendit, duke u ndalur në perspektivat e reja për përfshirjen e tyre në sistem.
Gjatë këtij takimi, Ministri Manjani ka bërë me dije se është gati nisma për vendosjen e kritereve të reja mbi pranimet në Shkollën e Magjistraturës për studentët e diplomuar në universitetet më të mira jashtë vendit si dhe për studentët e fondit të ekselencës në vendin tonë, ku ndër të tjera parashikohet dhe pranimi i tyre pa konkurs.
“Shkolla e Magjistraturës deri më sot ka funksionuar shumë mirë, natyrisht me kuota të vogla sepse kështu ka qenë nevoja. Ka edhe disa angazhime financiare të cilat duhet t’i mirëmendojmë dhe nuk është një gjë që bëhët sa hap dhe mbyll sytë, por kemi ndërmend ta nisim këtë proces. Është në nderin e shoqërisë shqiptare që t’ju hapë rrugë juve për të marrë sa më shumë kontribute në sistemin gjyqësor dhe jo vetëm në të, por flas në tërësi në mënyrën se si menaxhohet drejtësia. Nisma që kam përgatitur dhe që do të propozoj është që ju të pranoheni pa konkurs në Shkollën e Magjistraturës dhe për brezin e parë të mund të ndikojmë edhe me një kurrikul të përshpejtuar”, u shpreh z. Manjani
Ministri Manjani vlerësoi se ecuria dhe zbatimi i reformës në drejtësi do të kërkojë burime njerëzore të kualifikuara dhe të formuara sa më mirë, duke cilësuar se është momenti i duhur për ndryshimin e mentalitetit të vendit, përmes një fryme të re, e cila mund të përcillet edhe nëpërmjet këtyre studentëve.
“Reforma në drejtësi është më e thella që është projektuar ndonjëherë dhe sigurisht që do të ketë edhe ndryshime të thella, por ndryshimet nuk bëhen pa njërëz dhe njërëzit nuk do t’i “shpikim”. Ata nuk do jënë as amerikanë dhe as nga Bashkimi Evropian, por do të jenë shqiptarë. Këtë radhë shpresojmë të jenë të formuar mirë, të edukuar mirë, të pjekur mirë, të verifikohen në Shkollën e Magjistraturës dhe të jenë gati për të marrë në dorë magjistraturën e ardhshme, e cila kërkon njërëz të shkolluar, të mençur dhe që do të ndryshojnë mentalitetin e këtij vendi. Pa ndryshim mentaliteti nuk vjen asnjë reformë e suksesshme”, tha z. Manjani
Z. Manjani bëri me dije se shumë shpejt do të nisin dikutimet edhe me Shkollën e Magjistraturës për të arritur në një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme ndërsa vlerësoi se janë shumë gjyqtar dhe prokurorë që sillen shumë mirë në raport me ligjin, që janë të trajnuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe të diplomuar atje.
Pas përfundimit të fjalës së z. Manjani, bashkëbisedimi ka vijuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe këndvështrimin e këtyre të rinjve ndaj propozimeve konkrete të deritanishme të kësaj reforme.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.