Takimi me Prokurorin e Përgjithshëm të Suedisë, në fokus drejtësia për të miturit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/05/2016

Takimi me Prokurorin e Përgjithshëm të Suedisë, në fokus drejtësia për të miturit

 

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të Suedisë, z. Anders Perklev.

Temë qendrore e diskutimit ishte projekti për drejtësinë për të miturit si dhe rëndësia që paraqet riintegrimi i tyre në jetën sociale, për t’i shkëputur nga sjelljet devijante.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se tashmë krimi është një fenomen global, në përgjigje të së cilit është e rëndësishme që reagimet të jenë të menjëhershme dhe ç’është më e rëndësishmja të jenë të koordinuara. Në këtë kuadër u theksua roli pozitiv i forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, referuar hetimit penal ndërkombëtar.

Gjatë takimit, Ministri Manjani dhe z. Perklev janë ndalur edhe në ecurinë e reformës në drejtësi, ku ndër të tjera Ministri Manjani vuri në dukje se qytetarët janë lodhur nga retorika e njëjtë e 25 viteve dhe sot janë në një moment që kanë nevojë për veprime konkrete dhe masa reaguese që lidhen me reformën e këtij sistemi me kaq rëndësi.

Më tej, biseda është fokusuar në rëndësinë e shkëmbimit të eskperiencës përmes planeve konkrete të bashkëpunimit, sikurse një hap më rëndësi është edhe nisja nga zbatimi i programit për të miturit e përfshirë në vepra penale, i cili do të ndërlidhet me strukturat e policisë suedeze, sistemit gjyqësor dhe Shërbimit të Provës në Suedi.