I nderuar Prokuror i Përgjithshëm z. Cela,
I nderuar Drejtues i Prokurorisë së Posacme z. Kraja,
E nderuar anëtarja e KLP-së znj. Cami,
E nderuar znj. Lakomy, drejtuese e misionit të OPDAT
Të nderuar drejtues të prokurorive,
Kam nderin të marr pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme të institucionit të prokurorisë, si Ministër Drejtësie, përpara jush për të prezantuar Rekomandimet Prioritare në luftën kundër kriminalitetit.
Jam e ndërgjegjshme se momenti në të cilin gjendemi dhe në të cilin vepron prokuroria sot është një moment delikat dhe i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të efekteve të zbatimit të reformës në drejtësi: Vetting-u është ende në proces, institucionet e drejtësisë janë ende në plotësim e sipër. Kjo, pa dyshim, shkakton ngarkesë të madhe pune dhe pasiguri në ushtrimin e detyrave të përditshme.
Por, nuk duhet të harrojmë transformimin rrënjësor që ka pësuar fizionomia e institucionit të prokurorisë dhe të bëjmë një bilanc real të rezultateve të arritura deri më sot.
Nga viti i kaluar, janë bërë një sërë hapash përpara për të realizuar një sistem drejtësie funksional dhe efikas në realizimin e objektivave. Vetë prania në këtë mbledhje për herë të parë e drejtuesit të ri të prokurorisë së posacme – të cilit së bashku me strukturën i uroj suksese në këtë vit të parë pune dhe sfidash – është tregues dhe njëherësh dëshmi e progresit të pandalshëm të reformës në drejtësi. Prokuroria e Posacme është tashmë tërësisht funksionale me më shumë se dhjetë prokurorë. Ndërkohë, që së shpejti pritet emërimi i një drejtuesi të Byrosë Kombëtare të Hetimit e më tej plotësimi i organikës së zyrës.
Në krahasim me situatën e tre viteve më parë, institucioni i prokurorisë është futur në një shtrat të ri kushtetues dhe ligjor, që garanton emërime cilësore, karrierë transparente dhe meritokratike dhe pavarësinë e çdo prokuori në trajtimin dhe vendimmarrjen e cështjes.
Tashmë, nderi dhe detyrimet janë tërësisht tuajat, janë tërësisht të çdo prokurori. Shumë çka varet tashmë nga angazhimi, përkushtimi dhe profesionalizmi i gjithsecilit në kryerjen e kësaj detyre, që është njëkohësisht edhe një mision.
Ka ardhur koha që pavarësia e secilit prokuror, thelbësore për një trajtim të pandikuar të cështjeve konkrete, të shoqërohet me më shumë proaktivitet, përgjegjësi dhe llogaridhënie të prokurorëve, që është faqja tjetër e së njëjtës medalje.
Qëveria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë strukturën e prokurorisë në të gjitha përpjekjet e saj vetëreformuese, me qëllim modernizimin e mjeteve të hetimit dhe sistemeve të regjistrimit të cështjeve penale, sigurimin e stafit të nevojshëm administrativ, dhe rritjen e profesionalizmit të prokurorëve.
Por, Prokuroria duhet të dijë t’i përgjigjet nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve për drejtësi.
Kur flasim për drejtësi, flasim për autoritetin dhe besueshmërinë e Shtetit ndaj qytetarëve të tij, si rezultat i kujdesit që tregon ndaj të drejtave të tyre, duke kontribuar në këtë mënyrë në mbrojtjen e demokracisë.
Shqiptarët presin sot përgjigje të shpejta nga prokuroria, pa zvarritje dhe sorollatje, me muaj e me vite; presin që prokuroria të mos mbyllë sytë përpara veprave penale apo, akoma më keq, të bëhet palë me kriminelin, sic kemi vëmë re në disa raste kohët e fundit; presin që prokuroria të mos pushojë a mosfillojë çështje në kundërshtim të hapur me ligjin dhe provat. Presin me pak fjalë drejtësinë e re.
Jemi në një process shumë të rëndësishëm gjithashtu në kuadrin e integrimit evropian ku rezultatet e zbatimit të reformës në drejtësi janë kyce për suksesin e këtij procesi. Dhe duke mbajtur parasysh rekomandimet e adresuara nga Komisioni Evropian, si dhe nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve në luftën për drejtësi, Qeveria i ka orientuar rekomandimet e këtij viti me 5 drejtime kryesore për luftën kundër kriminalitetit.
Këto rekomandime i përcillen organit të prokurorisë në ushtrim të përgjegjësisë shtetërore të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë, për ndjekjen dhe realizimin e politikës së përgjithshme në fushën e drejtësisë dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve. Përmes Prokurorit të përgjithshëm, këto rekomandime i drejtohen të gjithë prokurorive të të gjitha shkallëve por pa dyshim tashmë e strukturuar ndryshe edhe Prokurorisë së posacme e cila ka një peshë dhe përgjegjësi të madhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Drejtimet kryesore në të cilat fokusohen rekomandimet prioritare që Këshilli i Ministrave adreson për t’u ndjekur nga institucioni i prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2020 ashtu siç thashë janë 5 drejtime:
Drejtimi I parë është Garantimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit
Krijimi i një organi të ndjekjes penale të pavarur dhe të paanshëm është një nga parimet kryesore të një sistemi drejtësie efektiv dhe një parim thelbësor i procesit penal. Pavarësia dhe paanshmëria janë jo vetëm një kërkesë bazë për ekzistencën e procesit penal, por ka një rol të rëndësishëm për gjithë sistemin e drejtësisë penale, pasi fillimi i hetimit dhe ndjekja në tërësi e të gjithë procesit në zbatim rigoroz të legjislacionit me profesionalizëm dhe objektivitet ndikon në luftën kundër kriminalitetit dhe vënien përpara përgjegjësisë së autorëve të veprave penale.
Ashtu siç thashë krijimi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) përbën një gur themeli në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht korrupsionin e zyrtarëve të lartë, problematikë e cila përbën sfidën për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në këto kushte, me konstituimin dhe fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, lind nevoja për konsolidimin e raportit ndërinstitucional me prokuroritë e rretheve, lidhur me identifikimin e kompetencës materiale, kalimin e kompetencës midis prokurorive, me synimin e garantimit të efektivitetit të hetimit dhe vënies përpara përgjegjësisë së autorëve të tyre.
Reforma në sistemin e drejtësisë, garanton pavarësinë e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës, megjithatë kjo reformë krahas decentralizimit të sistemit të prokurorisë dhe forcimit të pavarësisë së prokurorit, ka parashikuar dhe krijimin e mekanizmave të kontrollit disiplinor. Për këtë arsye në këtë drejtim të parë Qeveria ka rekomanduar:
Drejtimi I dytë është Lufta kundër korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore edhe për vitin 2020 për garantimin e pavarësisë së institucioneve dhe organeve publike, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin shoqëror të Shqipërisë. Finalizimi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të arrihet vetëm duke vendosur një standart të lartë në luftën kundër korrupsionit.
Jo vetëm si Ministre e Drejtësisë por edhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, si një përgjegjësi në nivel kombëtar për luftën kundër korrupsionit një sërë rekomandimesh drejtuar organit të prokurorisë lidhen me masat që duhet të merren në hetimin e veprave penale të korrupsionit.
Fillimi i funksionimit dhe efektiviteti i Prokurorisë së Posacme përbën një rol të padiskutueshëm në fushën e ndëshkimit të korrupsionit, të zyrtarëve të lartë dhe në gjyqësor vecanërisht atyre që referohen nga komisionet e vettingut, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale, apo çdo lloj pasurie së pajustifikuar si pasojë e korrupsionit me qëllim rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Gjithashtu krijimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përbën një hallkë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, si një njësi e posacme dhe e specializuar për hetimin e veprave penale në këtë fushë.
Nisur dhe nga problematikat e vitit të kaluar, ku Ministria e Drejtësisë falë edhe raportimit edhe nga Prokurori i Përgjithshëm por edhe adresimit të një sërë rekomandimeve nga partnerët ndërkombëtarë, të institucioneve ndërkombëtare, ka rekomanduar për vitin 2020 disa nënrekomandime përsa i përket luftës kundër korrupsionit:
Drejtimi I tretë është Lufta kundër krimit të organizuar
Tashmë dihet krimi i organizuar ka qënë një shqetësim i viteve të fundit jo vetëm për shtetin Shqiptar por edhe më gjerë, ndaj lufta ndaj krimit të organizuar është një ndër prioritet kyçe të qeverisë, pikë së pari si një detyrim i të gjithëve ne, ndaj qytetarëve shqiptar por edhe si një ndër rekomandimet kryesore të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë.
Krijimi i Prokurorisë së Posaçme synon të forcojë luftën kundër formave të bashkëpunimit kriminal, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë së pjesëmarrësve në këto organizata dhe garantimin e sigurisë dhe rendit publik. Ndaj është rekomanduar forcimi i bashkëpunimit midis institucioneve ligjzbatuese dhe rritja e mëtejshme e bashkëpunimit me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, për të luftuar këtë fenomen kriminal.
Duke mbajtur në konsideratë disa problematika që vijnë edhe nga kontrolli i ligjshmërisë nga MD të veprimtarive të profesioneve të lira, është rekomanduar rritja e rasteve hetimore në pastrimin e parave duke u përqëndruar edhe tek palët e treta të përfshira në këtë aktivitet sic janë profesionet e lira dhe nga vetë subjektet raportuese.
Rekomandohet gjithashtu krijimi i një sistemi statistikor të monitorimit të çështjeve të pastrimit të parave.
Rekomandohet rritja e numrit dhe cilësisë së hetimeve për veprën penale të pastrimit të produkeve të veprën penale dhe atë të pastrimit të produkteve dhe pastrimit të parave si dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit.
Një prioritet i Qeverisë Shqiptare vijon të jetë lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikut të drogave të ndryshme si një nga drejtimet ku është fokusuar lufta kundër krimit të organizuar. Suksesi i institucioneve dhe strukturave të ngarkuara me parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe përdorimit të kanabisit në vend matet me identifikimin, zbulimin, ndalimin dhe vënien përpara drejtësisë të financuesve dhe drejtuesve të grupeve dhe rrjeteve kriminale.
Padyshim dihet që dobësimi i financave të rrjeteve kriminale të krimit të organizuar dhe terrorizmit nëpërmjet sekuestrimit dhe konfiskimit te pasurive dhe të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal është po ashtu një tjetër drejtim kryesor ku duhet të fokusohet lufta kundër krimit të organizuar, duke zbatuar drejt kuadrin ligjor mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave kriminale.
Vijon të jetë prioritet forcimi i kapaciteteve në hetimin financiar si pjesë përbërëse e hetimit penal të përgjithshëm, identifikimin e sfidave dhe i mënyrës së adresimit të sistemeve informale të qarkullimit të parave, rekomandim i përcjellë edhe nga Moneyval dhe Komisioni Evropian.
Në rekomandimet e adresuara në këtë drejtim të tretë gjithashtu është ritheksuar nevoja për bashkëpunim Prokurorisë së Posaçme me policinë e shtetit dhe OFL për zbatimin e objektit dhe qëllimin e ligjit për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda, por njëkohësisht edhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese rajonale dhe ndërkombëtare për veprat penale që lidhen sidomos me trafikimin e narkotikëve, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, trafikimin e qenieve njerëzore, etj;
Drejtimi i katërt që janë adresuar rekomandimet janë Respektimi i të drejtave të njeriut.
Respektimi i të drejtave të njeriut është padyshim një prioritetet tjetër i rëndësishëm i Qeverisë shqiptare me fokus të veçantë te grupet më të dobta të shoqërisë. Për këtë arsye janë dhënë një sërë rekomandimesh lidhur me rritjen e kërkesave për dënimeve alternative për autorë me rrezikshmëri të ulët shoqërore, për zbatimin e kodit penal për të miturit me qëllim trajtimin e të miturit në kontakt me organet e drejtësisë në zbatim të legjislacionit, është rekomanduar ashpërsimi i masave të sigurimit dhe masës së dënimit për veprat me natyrë gjinore dhe diskriminuese, si dhe për rastet e keqtrajtimit/abuzimit/shfrytëzimit e trafikimit të të fëmijëve.
Ndërkohë dhuna në familje ka qënë dhe është gjithashtu një nga drejtimet ku ne si Qeveri kemi fokusuar punën tonë nëpërmjet programeve, iniciativave dhe strategjive për adresimin më të mirë të rasteve të dhunës në familje, dhe për këtë arsye një ndër rekomandimet e përsëritura institucionit të Prokurorisë për ashpërsim të masave ndaj kësaj vepre penale, duke ndërmarrë dhe nisma ligjore, të cilat janë bërë së fundmi por padyshim do duhet të kenë një zbatim më të mirë lidhur me ashpërsimin e dënimeve të përfshira në ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Sërish mbetet prioritet dhe rekomandohet jo vetëm ashpërsimi por edhe rritja e cilësisë së hetimit dhe kujdesi që institucioni i prokurorisë apo prokurorët do duhet të kenë në drejtim të mosndryshimin të klasifikimit të veprave të tilla në vepra të tjera që parashikon Kodi Penal.
Gjithashtu rekomandohet ashpërsimi i masave të sigurimit dhe masës së dënimit për veprat me natyrë gjinore, seksuale dhe diskriminuese, duke mbajtur në konsideratë jo vetëm rastet e fundit por njëkohësisht duke parë që ka nevojë më shumë përsa i përket cilësisë së hetimit të kryer nga prokuroria.
Drejtimi i fundit që Qeveria ka drejtuar rekomandimet e saj është Bashkëpunimi ndërinstitucional.
Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar ndërmjet agjencive ligjzbatuese ndikon drejtëpërdrejtë në rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe ju e dini mjaft mirë që është premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë lidhur me hetimin dhe goditjen e kriminalitetit.
Lufta ndaj grupeve të strukturuara kriminale, organizatave kriminale apo terroriste është më e lehtë dhe premisat për të pasur sukses janë më të mëdha në rastet kur organet ligjzbatuese bashkëpunojnë më njëra-tjetrën. Bashkëpunimi i organeve të hetimit me ILDKPKI-në, KLSH-në, DPPPP-në, ASHK-në apo edhe subjekteve private, të tilla si: bankat, firmat e ndërtimit, agjencitë e pasurive të paluajtshme etj. është një parakusht për suksesin e luftës kundër kriminalitetit. Sespe padyshim janë burimet kryesore të hetimit të institucionit të prokurorisë për këto vepra penale. Shumë i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar me agjencitë analoge, sidomos për veprat penale me natyrë ndërkombëtare si terrorizmi, krimi i organizuar, krimi ndërkufitar, parandalimi i krimeve kompjuterike të përdorura për pastrimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale në përgjithësi, si dhe ato për financimin e terrorizmit, si dhe bashkëpunimet e Posaçme për personat që i fshihen drejtësisë.
Gjithashtu grupet hetimore të përbashkëta është rekomanduar të rriten duke mbajtur në konsideratë edhe rezultatet e suksesshme që kanë sjellë këto grupe të përbashkëta hetimore në bashkëpunim gjithashtu edhe me institucione ndërkombëtare ashtu siç është edhe ku ne së fundmi kemi aderuar për përcaktimin dhe emërimin e prokurorit Shqipëtar në Hagë.
Qeveria Shqiptare do të vijojë të japë gjithë mbështetjen e nevojshme si në drejtim të kuadrit ligjor dhe atij infrastrukturor, por njëkohësisht kërkon angazhimin maksimal të gjithë institucioneve ligjzbatuese, në marrjen e masave për luftën kundër korrupsionit, goditjen e krimit të organizuar në të gjitha format e tij, intesifikimin e luftës kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të individit, barazinë e shtetasve përpara ligjit, por njëkohësisht edhe për plotësimin e angazhimeve të saj ndërkombëtare. Mbase u zgjata pak shumë, por doja t;jua adresoja drejtpërdrejtë ashtu siç në fakt është zakoni ku njëherë në vit Ministri i Drejtësisë prezanton rekomandimet tek të gjithë drejtuesit e prokurorive dhe padyshim edhe para prokurorit të përgjithshëm. Por këtë vit na u desh të ndryshonim formatin dhe të jemi në formatin online.
Por gjithsesi në fund të këtij takimi më lejoni të falenderoj edhe njëherë Prokurorin e Përgjithshëm për organizimin e këtij takimi, dhe inkurajoj secilin drejtues në kapërcimin e të gjitha sfidave që kemi përpara bashkarisht, duke ju garantuar mbështetjen maksimale lidhur me arritjen e rezultateve pozitive në luftën kundër kriminalitetit, si një obligim i të gjithëve ne, i të gjithë aktorëve për të arritur këto prioritete për qytetarët.
Faleminderit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.