Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka pritur në një takim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, z. Augustin Zegrean, i cili po zhvillon një vizitë pune pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë diskutimit, bashkëbiseduesit u ndalën në nevojën e vazhdueshme për reforma, të cilat i nevojitet çdo sistemi drejtësie, me qëllimin final konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve.
Ministri Naço e ka informuar z. Zegrean lidhur me reformat e ndërmarra që në nisjen e mandatit të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë.
Ndër të tjera z. Naço e njohu z. Zegrean me kërkesën e bërë nga ana e tij, në emër të qeverisë shqiptare, ndaj Komisionit të Venecias për ta mbështetur Ministrinë e Drejtësisë përmes ekspetizës së tij, në reformimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu kreu i drejtësisë shqiptare, bëri me dije se ndryshimet ligjore të ndërmarra më parë, ishin bërë të copëzuara ndaj dhe lindi nevoja e një pakete të plotë më ndryshime ligjore, një pjesë e të cilave tashmë janë votuar edhe nga parlamenti.
“Reformat duhet të jenë të konsoliduara dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë është shumë e nevojshme në drejtim të thellimit të tyre”, u shpreh Ministri Naço
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, z. Zegrean vlerësoi gjatë këtij takimi hapat e hedhura deri më tani, ndërsa theksoi se reformat kërkojnë kohën e tyre dhe se duhet të jenë të vazhdueshme dhe afatgjata.
“Në Rumani, mbas vitit 1998 janë tranformuar të gjitha institucionet shtetërore. Ndërkohë çdo vit bëhet një raport në lidhje me institucionet e drejtësisë rumune.”, u shpreh z. Zegrean
Ndërkohe, kreu i Gjykatës Kushtetuese të Rumanise e cilësoi me rëndësi gjykimin dhe dënimin e atyre funksionarëve të lartë rumunë të cilët kishin shkelur ligjin, dhe vuri në dukje se për këtë shkak, tashmë tek qytetarët është krijuar mendimi se drejtësia po funksionon.
Duke u ndalur tek lufta kundër korrupsionit, z. Zegrean u shpreh se nuk mund të bëhet një luftë ndaj korrupsionit nëse faktori qeveritar nuk merr masat.
Në këtë kuadër, Ministri Naço shprehu bindjen e tij se qeveria shqiptare tashmë e ka treguar vullnetin e saj të palëkundur përkundrejt luftës ndaj korrupsionit, dhe referuar edhe ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurave Penale, Ministri Naço vuri në dukje se po nisin të duken edhe rezultatet e para, kur tashme në radhët e gjyqësorit kemi dy arrestime.
“Shikoj një besim të qytetarëve tek qeveria. Jemi të fokusuar në luftën kundër korrupsionit në çdo lloj niveli dhe të vendosur për dekurajimin e këtij fenomeni”, tha z. Naço.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.