Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka vijuar takimet zyrtare në kuadër të vizitës në Spanjë, me ftesë të homologut z. Rafael Catalá.
Kreu i drejtësisë shqiptare është pritur nga Prokurorja e Përgjithshme zj. Consuelo Madrigal.
Gjatë bisedës janë trajtuar disa çështje me rëndësi që lidhen me organizimin dhe funksionimin e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme në dy vendet tona, ndërsa theksi është vënë në nxitjen e bashkëpunimit midis tyre.
Gjithashtu bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në rëndësinë që paraqesin masat dhe iniciativat ligjore të ndërmarra apo në proces, nga të dy vendet, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, terrorrizmit dhe korrupsionit.
Ministri Naço e njohu zj. Madrigal me ndryshimit ligjore të realizuara në Shqipëri për t’i luftuar këto fenomene, si dhe e informoi atë mbi vizionin e Qeverisë Shqiptare për realizimin e një reforme të plotë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë, reformë kjo e cila do të prekë dhe insitucionin e Prokurorisë së Përgjithshme.
“Kriminaliteti nuk njeh kufij dhe për këtë qëllim kërkohet bashkëpunim midis institucioneve ligjzbatuese të vendeve tona, për të cilin ne jemi të hapur dhe shprehim dëshirën për të përfituar nga eksperienca Spanjolle. Shqipëria ka dhënë mesazhe të qarta për të gjithë se nuk do të jetë strehë për asnjë që kryen veprimtari kriminale”, u shpreh ndër të tjera z. Naço.
Prokurorja e Përgjithshme Spanjolle, zj. Consuelo Madrigal vlerësoi iniciativat e ndërmarra nga Shqipëria, duke evidentuar se në luftën kundër korrupsionit është shumë e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit qytetar dhe opinionit publik si nje aleat i pazëvendësueshëm.
“Nuk mjaftojnë vetëm ligjet e mira, por nga ana tjetër edhe organet ligjzbatuese duhet t’i përdorin këto ligje mësë miri në praktikë”, tha Madrigal.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.