Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço ka pritur sot në një takim Ambasadorin Hollandez, Z. Martin de la Beij.
Ndërsa e ka falenderuar Ambasadorin De la Beij për vizitën dhe mbështetjen e deritanishme, Ministri Naço ka bërë një prezantim të shkurtër mbi masat organizative, ligjore dhe institucionale të ndërmarra në kuadër të prioriteteve të Qeverisë Shqiptare.
Ministri Naço e ka konsideruar Hollandën si një vend mik të Shqipërisë dhe ka shprehur dëshirën e tij për vazhdimësinë e asistencës hollandeze nga e cila vendi ynë priret të marri eksperiencën më të mirë në përmbushjen e sfidave për integrim.
Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Ambasadori De la Beij gjatë takimit, e ka njohur Ministrin Naço në lidhje me lançimin për herë të parë të programit Matra Coprol “Programi i Lidershipit për Sigurinë dhe Shtetin Ligjor”, Serbi e Shqipëri.
Reforma në drejtësi dhe fryma e qeverisë shqiptare për t’i shpallur luftë pa kompromis korrupsionit është vlerësuar maksimalisht nga Ambasadori De la Beij. Ai e ka perkrahur bindjen e Ministrit Naço se beteja ndaj korrupsionit, si një fenomen mjaft i përhapur në vendin tonë, mund të fitohet vetëm përmes një vullneti të fortë politik, mungesa e të cilit nuk i vë para përgjegjësisë maksimale organet ligjzbatuese.
Gjithashtu, Ambasadori hollandez ka shprehur vlerësimin e tij për deklaratën e Ministrit Naço në “Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit” gjatë të cilës u theksua se:- “Nuk ka formula magjike për të luftuar korrupsionin, por ndëshkimi mbetet zgjidhja e vetme për ta shndëruar atë nga një aktivitet me risk të vogël dhe me fitim të madh, në një aktivitet me rrezik të madh dhe pa përfitim”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.