Ministri i Drejtësisë ka pritur ditën e sotme në një takim kortezie Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu.
Ministri Naço i ka uruar suksese Ambasadorit Lu në vijimin e mandatit të tij dhe ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor në vendin tonë.
Z. Naço ka vlerësuar asistencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes projekteve të akorduara ndër vite, të cilat kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve në drejtim të ndërmarrjes së reformave.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu, ka theksuar se reforma në drejtësi është prioritet madhor për Ambasadën Amerikane, ndërsa ka vlerësuar vendosmërinë ndaj afateve të përcaktuara nga qeveria shqiptare për realizimin e reformave në drejtësi.
Ministri Naço e informoi Ambasadorin Lu se që në nisjen e mandatit të tij në krye të drejtësisë shqiptare, është orientuar drejt thellimit të reformave që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene që janë vërejtur me problematikë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në këtë kuadër, z. Naço vlerësoi me rëndësi asistencën që mund të jepet përmes shkëmbimit të eksperiencës me FBI-në dhe DEA-n, të cilat mund të jenë present në vendin mes asistencës së ekspertëve të tyre. Një fakti i tillë u vlerësua edhe nga Ambasadori Lu, i cili është shprehur optimist për gjetjen e mundësive që kjo asistencë të jetë prezente edhe në Shqipëri.
Ministri Naço e ka njohur z. Lu edhe me takimet që ai ka zhvilluar pranë Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë, duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj proceseve reformuese në Shqipëri, të cilat lidhen me politikat e sundimit të shtetit ligjor.
Z. Naço gjithashtu ka shprehur vlerësimin e tij për ndikimin mjaft pozitiv që ka patur Projekti Just i USAID dhe duke e konsideruar atë si një histori suksesi, shprehu angazhimin e tij në drejtim të thellimit të bashkëpunimeve të mëtejshme.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.