Takimi i Ministrit Vasili me delegacionin e Gjykatës së Lartë të Kinës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/05/2017

Takimi i Ministrit Vasili me delegacionin e Gjykatës së Lartë të Kinës

 

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili ka pritur sot në një takim një delegacion me gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Kinës, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Ministri Vasili e vlerësoi këtë takim si një mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të ideve dhe eksperiencave të ndërsjella mes Shqipërisë dhe Kinës.

Z. Vasili theksoi se administrimi i sistemit të drejtësisë në një vend të madh si Kina duhet të vlejë si një eksperiencë e rëndësishme për të na ndihmuar në miradministrimin dhe rritjen e efiçencës të sistemin tonë të drejtësisë.

Referuar zhvillimit të madh që ka pësuar ndër vite bashkëpunimi në biznes mes dy vendeve tona, z. Vasili solli në vëmendjen e të pranishmëve se pa një drejtësi që funksionon siç duhet, nuk ka biznes që ecën përpara.

Njëkohësisht, z. Vasili shprehu interesin e institucionit që drejton për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete dhe nënshkrimit të marrëveshjeve në dhënien e ndihmës së ndërsjellë juridike dhe memorandumeve të bashkëpunimit midis Ministrive të Drejtësisë të të dy vendeve.

Përfaqësuesit e Delegacionit Kinez e vlerësuan si mjaft të frytshme vizitën e tyre në Shqipëri, ndërsa bënë me dije së të gjitha çështjet e ngritura gjatë takimeve të zhvilluara i konsiderojnë si një përgjegjësi të rëndësishme, që duhen realizuar, duke përfituar kështu të dy popujt tanë.