Takim online me përfaqësuesit e klinikave të ligjit dhe studentët e drejtësisë të universiteteve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/01/2021

Takim online me përfaqësuesit e klinikave të ligjit dhe studentët e drejtësisë të universiteteve

Është zhvilluar një takim i përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e klinikave të ligjit dhe studentët e drejtësisë të universiteteve ku kemi hapur këto qendra. Aksesi në drejtësi është një element themelor i shtetit të së drejtës, për të cilin Qeveria, Ministria e Drejtësisë së bashku me partnerët po punojnë çdo ditë për zbatimin sa më efektiv në praktikë të këtij elementi.

Në sistemin tonë të ri të drejtësisë është tejet e rëndësishme garantimi i të drejtës së barabartë të aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët, për ata të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme financiare për të marrë një avokat, por njëkohësisht edhe për kategori të posaçme si viktimat e dhunës, trafikimit, të miturit në konflikt me ligjin, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera të veçanta të përfituesve të parashikuara në ligj.

Një nga risitë e ligjit për #NJF është pikërisht dhe parashikimi për herë të parë i Klinikave të Ligjit pranë IAL-ve si ofrues të shërbimit të ndihmës juridike parësore, të cilat shërbejnë për informimin e qytetarëve për legjislacionin shqiptar, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Shteti Shqiptar, por edhe çështje të cilat lidhen me ndërmjetësimin, këshillimin, përpilimin e akteve, përfaqësimin pranë organeve të administratës shtetërore si dhe shërbime të tjera.

Ministria e Drejtësisë ka një bashkëpunim shumë të mirë me strukturat universitare si me Universitet Publike dhe ato Jo-Publike. Një bashkëpunim i cili ka qënë i frytshëm jo vetëm në forcimin e aksesit në drejtësisë, por edhe në drejtim të zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme me karakter edukues dhe ndërgjegjësues. Për më tej ofrimi i këtij shërbimi nga ana e Klinikave të Ligjit, është dhe një mundësi shumë e mirë për studentët që të angazhohen pranë tyre duke i mundësuar një gjenerate të re të thellojnë njohuritë profesionale të fituara gjatë studimeve, të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve ligjore, të japin informacion për legjislacionin, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve në Republikën e Shqipërisë, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në edukimin ligjor të publikut.

Znj. Gjonaj në fjalën e saj u shpreh se: “Dëshiroj të theksoj se nëse dikur Ndihma Juridike Falas ofrohej vetëm nga organizata të Shoqërisë Civile, sot kemi mundësinë ta ofrojmë atë dhe me buxhetin e Shtetit. Ne kemi mundësuar jo vetëm të realizojmë objektivat tona, por edhe t’i tejkalojmë pritshmëritë përsa i përket ngritjes së qendrave dhe klinikave ligjore dhe funksionimit të tyre. Për fatin tonë kemi patur edhe mbështetjen e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, ku në veçanti dua të përmënd bashkëpunimin me OSFA-n dhe UNDP-në.“

 Tashmë me shumë kënaqësi mund të them se kemi garantuar aksesin në drejtësi për të gjithë qytetarët dhe më vjen mirë që kemi arritur të krijojmë një sistem të ndihmës juridike të diversifikuar, ku kemi një shtrirje gjeografike të gjërë të ofruesve të ndihmës juridike parësore dhe dytësore qoftë nëpërmjet Qendrave të NJF, Klinikave të Ligjit apo shërbimit të ofruar nga OJF-të e licensuara në qytete si Tirana, Durrësi, Shkodra, Lezha, Gjirokastra, Fieri, Lushnja, Pogradeci e shumë qytete të tjera. Për më tej falë bashkëpunimit me partnerët tanë kemi mundësuar ofrimin e Ndihmës Juridike parësore edhe nëpërmjet portalit juristionline.al dhe së fundmi dhe portalit e-albania. Gjithashtu që nga fillimi i pandemisë është vënë në shërbim të qytetarëve edhe numëri i gjelbër 0800 1010, i cili ka mundësuar vijimin e punës edhe në kushtet e masave të rrepta për të luftuar pandeminë e shkaktuar nga COVID19.” mbylli fjalën e saj ministrja Gjonaj.

Sigurisht që ne synojmë dhe po punojmë që shërbimet e ndihmës juridike parësore të kenë shtrirje në të gjitha qarqet dhe të jenë edhe më afër qytetarëve. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rritjes së kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve dhe po vijon puna e nisur për monitorimin e cilësisë së ofrimit të këtij shërbimi.

 

<?php echo do_shortcode(‘

‘); ?>