Takim me prokurorin e Antimafias italiane - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/09/2018

Takim me prokurorin e Antimafias italiane

Hetim i përbashkët kundër krimit të organizuar

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Prokurorja e Përgjithshme, znj. Arta Marku, janë pritur në një takim zyrtar në Romë nga Kryeprokurori i Drejtorisë Kombëtare kundër Mafias dhe Terrorizmit, z. Federico Cafiero de Raho. Forcimi i bashkëpunimit për hetimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, përmes shkëmbimit reciprok të informacionit dhe dhënies së ekspertizës nga pala italiane, ka qenë në qendër të diskutimeve midis dy delegacioneve. Ministrja e Drejtësisë, ka theksuar se lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj në këtë sfidë. Sipas ministres, ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi, do të krijojë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kallëzimeve penale në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike. Nga ana e tij, Kryeprokurori i Antimafias italiane ka falënderuar ministren Gjonaj dhe kryeprokuroren Marku për dhënien e një tjetër dimensioni bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. “Midis dy vendeve tona ekziston një sintoni e plotë në luftën kundër krimit të organizuar, të cilën duhet ta çojmë më tej”, ka thënë z. De Raho. Ai ka shprehur vlerësimet më të mira për bashkëpunimin dhe impulsin maksimal që Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, secila në rolin e vet, kanë dhënë në luftën kundër krimit të organizuar.