Takim koordinues për prezantimin e platformës elektronike - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/05/2023

Takim koordinues për prezantimin e platformës elektronike

Më datë 9 Maj 2023, pranë Ministrisë së Drejtësisë, u organizua takimi informues mbi Platformën e re Elektronike për mbajtjen dhe raportimin e veprve penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Takimi u drejtua nga Zëvendësministrja e Drejtësisë, njëkohësisht dhe negociatore për Kapitullin 23 dhe Kriterin Politik, znj Adea Pirdeni. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Drejtoria e Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë, Drejtoria e Integrimit dhe Negociatave pranë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Prokuroria e Posaçme, Agjencia e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Gjykatat e jursidiksionit të Përgjithshëm dhe gjykatës së shkallës së parë dhe Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe ILDKPKI.

Gjatë këtij takimi, institucionet u informuan mbi Platformën e re Elektronike, e cila do të shërbejë për të mbledhur të dhëna dhe raportuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të plotë në kuadër të procesit të integrimit evropian, mbi historikun e veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmit etj..

Platforma synon të të lehtësojë mbajtjen, raportimin dhe analizimin e të dhënave statistikore dhe historikun e proceseve penale, për institucionet kombëtare dhe shërbimet e Komisionit Evropian duke zëvendësuar mbajtjen manuale të të dhënave, në tabela Excel-i, të ndjekura deri më tani nga institucionet shqiptare të përfshira në këtë proces duke zëvendësuar praktikën e mëparshme të shkëmbimit të informacionit.