Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço ka ritheksuar edhe njëherë sot se korrupsioni në vendin tonë është tashmë një fenomen dhe se ky fakt konstatohet nga të gjitha sondazhet vendase dhe ato të huaja.
I pranishëm gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, kreu i drejtësisë shqiptare përsëriti se ndryshimet ligjore të deritanishme nuk kanë sjellë rezultatet e dëshiruara në luftën kundër korrupsionit.
Ministri Naço vuri edhe njëherë në dukje se Progres-Raporti 2013 evidenton se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2012 ishin të pamjaftueshme për efekt të zbatimit të ligjit përderisa nuk u shoqëruan me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
“Në kuadër të proceseve integruese jemi në monitorim të vazhdueshëm dhe na kërkohen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. Është fakt që përpos gjithë ndryshimeve ligjore të deritanishme shifrat tregojnë të dhëna të pamjaftueshme dhe të pakënaqshme në luftën kundër korrupsionit. Pikërisht për këto arsye edhe Progres Raporti 2013 rithekson nevojën e forcimit të masave dhe të luftës kundër korrupsionit”
Ndërsa u ndal në ndryshimimet ligjore të Kodit Penal, Ministri Naço bëri me dije se këto ndryshime nuk e prekin këtë kod në kuptimin material dhe kësisoj nuk ndryshon dhe as nuk ashpërsohet masa e dënimit.
Më tej Z. Naço sqaroi se ndërhyrja që propozohet, ndër të tjera, synon unifikimin e praktikës (hetimi dhe gjykimi nga një trupë gjyqtarësh dhe prokurorësh), sepse deri tani praktika ka treguar që nuk ka një trajtim uniform të rasteve si nga pikëpamja e masës së dënimit ashtu edhe të dënimeve plotësuese pothuajse inekzistente.
“Për të gjitha këto arsye, si dhe në vlerësim të faktit se Gjykata e Krimeve të Rënda i është përgjigjur më së miri kompetencës lëndore të saj, përfshirë këtu edhe rezultate pozitive në luftën kundër trafiqeve, bandave dhe grupeve kriminale, rezultate të cilat janë vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtar, kemi të gjitha arsyet të besojmë se përfshirja në kompetencën lëndore të kësaj prokurorie dhe gjykate edhe të veprave penale që lidhen me korrupsionin, do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në rezultatet e pritshme në luftën kundër korrupsionit. Nga ana e tjetër duhet theksuar fakti se jo vetëm ndëshkimi por edhe parandalimi dhe dekurajimi konsiderohen si elementë mjaft të rëndësishëm në kuadër të kësaj lufte. Në këtë kuptim, ndryshimet ligjore të propozuara në Kodin e Procedurës Penale do të ishin të pamjaftueshme nëse nuk do të shoqëroheshin me masa të drejtëpërdrejta ndaj pasurive që burojnë apo që lidhen me veprat penale të korrupsionit”, tha Ministri Naço
Në përfundim, Ministri Naço shprehu bindjen se të dyja këto masa legjislative të kombinuara së bashku dhe të shoqëruara me vullnetin e palëkundur politik për të luftuar dhe ndëshkuar çdo praktikë korruptive do të japin efektet e dëshiruara duke kënaqur pritshmëritë si të opinionit publik vendas ashtu edhe të faktorit ndërkombëtar.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.