Strategjia e Drejtësisë për të Miturit, Ministri Vasili takim me përfaqësuesit e UNICEF - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/05/2017

Strategjia e Drejtësisë për të Miturit, Ministri Vasili takim me përfaqësuesit e UNICEF

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili zhvilloi sot një takim me përfaqësuesen e UNICEF në Shqipëri znj. Antonella Scolamiero, gjatë të cilit u diskutua mbi hapat që pritet të ndërmerren në kuadër të konsultimit, miratimit dhe zbatimit të Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit.

Në nisje të takimit, bashkëbiseduesit kanë vlerësuar miratimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, i cili bën të mundur plotësimin e kornizës ligjore që trajton rastet e të miturve në konflikt me ligjin.

Më tej diskutimi u fokusua në rëndësinë që mbart Strategjia e Drejtësisë për të Miturit 2017-2020 e cila qëllim parësor ka promovimin dhe mbrojtjen sa më efektive të të drejtave dhe nevojave për të miturit, nëpërmjet implementimit të standardeve më të mira ndërkombëtare.

Ministri Vasili, sugjeroi nisjen sa më parë të fazës së konsultimit publik lidhur me draft- strategjinë, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në proces, për t’i hapur më pas rrugën ndjekjes së procedurave të mëtejshme për miratimin e këtij dokumenti strategjik.

Zhvillimi sa më parë i konsultimit publik është mbështetur edhe nga znj.Antonella Scolamiero, përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri, e cila shprehu vullnetin për t’i asistuar nga afër ekspertët grupit të punës, në mënyrë që kjo strategji të mund t’i përmbushi sa më mirë nevojat specifike që paraqet vendi ynë në këtë drejtim.

Strategjia e Drejtësisë për të Miturit 2017-2020 do të përmbaj një qasje ndërdisiplinore, që do të integrohet me të gjithë dokumentet e tjera ekzistuese kombëtare dhe do të shoqërohet me aktivitete konkrete.