Strategji kombëtare për të përballuar sfidën e Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit në burgje - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/04/2018

Strategji kombëtare për të përballuar sfidën e Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit në burgje

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj mori pjesë në konferencën e organizuar në bashkëpunim me OSBE-në,  me temë  “Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çojnë në Terrorizëm në Burgje dhe në Shërbimin e Provës”. Më poshtë fjalimi i plotë i mbajtur në konferencën e sotme.

Në muajin Nëntor të vitit të kaluar mes Ministrisë së Drejtësisë, Koordinatorit Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Prezencës së OSBE në Tiranë, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi, si një projekt i përbashkët për “Parandalimin dhe Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çojnë në Terrorizëm në Burgje dhe në Shërbimin e Provës”.

Qeveria shqiptare, e vendosur për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ka bërë të gjitha përpjekjet e saj, duke miratuar të gjitha dokumentet strategjike, siç janë Strategjia Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planit të Veprimit, si dhe njëkohësisht ka ngritur Qendrën e Koordinimit të Ekstremizmit të Dhunshëm.

Me ndjenjë përgjegjësie, më duhet të pranoj se sistemi penitenciar në Shqipëri ka një sërë mangësish dhe problematikash, pjesa më e madhe e tyre të trashëguara prej shumë kohësh, por edhe të shfaqura vitet e fundit.

Për zgjidhjen e këtyre mangësive, si dhe për të përmirësuar sistemin në mënyrë që të jetë plotësisht në përmbushje të standardeve europiane dhe në respektim të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ne kemi kërkuar bashkëpunimin e partnerëve tanë strategjik.

Qeveria shqiptare, tashmë, ka nisur një reformë të thellë në sistemin penitenciar, e cila filloi me sistemin e ri të rekrutimit të stafit të burgjeve, ku për herë të parë drejtuesit e IEVP-ve u zgjodhën nëpërmjet një konkursi të hapur dhe publik, si persona me integritet moral dhe profesional në krye të këtyre institucioneve.

Këta drejtues, sot janë përballë një sfide dhe kanë disa prioritete dhe objektiva, të cilët duhet t’i realizojnë dhe të japin rezultatet për t’u konfirmuar në detyrën që ata kanë marrë.

Objektivat kryesore të punës së tyre lidhen pikërisht me:

Trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve, uljen e rasteve të korrupsionit në sistemin penitenciar, si dhe rritjen e sigurisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Sistemi i ri i rekrutimit plotësohet nga mënyra krejtësisht e re e rekrutim-trajnimit për stafet e të gjitha niveleve të tjera në burgje.

Përmes një marrëveshjeje që Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar me Ministrinë e Brendshme për zhvillimin e rekrutimeve, nëpërmjet Akademisë së Sigurisë, të stafit policor të Burgjeve, është arritur që nëpërmjet dy proceseve i gjithë stafi policor i burgjeve për vendet vakante të zgjidhet nëpërmjet testimit dhe rekrutimit nga Akademia e Sigurisë.

Testimi dhe trajnimi fillestar do të kryhet ekskluzivisht nga Akademia e Sigurisë dhe do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe profesionalizmit të punonjësve të rinj.

Në të njëjtën kohë edhe projekti që ne po çojmë përpara me Praninë e OSBE në Tiranë dhe me partnerët e tjerë, me të cilët jemi mbledhur sot këtu, synon rritjen e kapaciteteve dhe profesionalizmit të personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës në drejtim të Parandalimit dhe Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çojnë në terrorizëm, si një sfidë tashmë globale.

Personeli i burgjeve dhe ai i Shërbimit të Provës kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme, që synojnë rritjen e profesionalizmit, si dhe arritjen e standardeve të nevojshme për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në këto institucione.

Parandalimi dhe Lufta Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit që çojnë në Terrorizëm në Burgje dhe Shërbimin e Provës është një provë e re për personelin e këtyre dy institucioneve, për të cilën kërkohet më shumë përkushtim dhe më shumë profesionalizëm.

Përmes këtij projekti janë trajnuar rreth 110 punonjës nga 23 institucione të vuajtjes së dënimit, të cilët kanë mësuar specifikat e fenomeneve të të burgosurve, të dënuar për vepra të lidhura me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Trajnimi bazë i punonjësve lidhur me këto çështje është i domosdoshëm për të kuptuar dhe punuar me këtë kategori të dënuarish dhe të paraburgosurish, për të cilin, e kuptojnë edhe vetë, duhet treguar kujdes i veçantë, sidomos për rehabilitimin e tyre.

Ndër vite, nuk i është kushtuar asnjë rëndësi faktit që për këtë kategori të dënuarisht kërkohet një vëmendje e veçantë dhe trajnime mjaft specifike për stafin e Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit dhe Shërbimit të Provës, kjo edhe për shkak të problematikave që mund të ndikojnë në rehabilitimin dhe në vazhdimësinë e qëndrimit të këtyre të dënuarve në institucione.

Është vlerësuar gjithashtu, si shumë e nevojshme, rritja e kapaciteteve të psikologëve dhe punonjësve socialë në institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe të Shërbimit të Provës, për t’i siguruar më shumë kujdes dhe vëmendje rehabilitimit të të dënuarve dhe për të reduktuar mundësinë e radikalizmit të tyre, por dhe të dënuarve të tjerë, për shkak të izolimit.

Pas kësaj faze mjaft të rëndësishme për këtë projekt, si një analizë e qenësishme e gjendjes së institucioneve tona të vuajtjes së dënimit, Ministria e Drejtësisë e ka shprehur dhe shpreh gjithë mbështetjen dhe angazhimin e saj për të siguruar vazhdimësinë e reformimit të këtij sistemi edhe në këtë drejtim.

Kjo do të jetë një punë në vazhdim, e cila synon të theksojë cilësinë në trajnimin e punonjësve të burgjeve dhe rritjen e tyre profesionalisht, në mënyrë që të adresojnë me sukses të gjitha sfidat e ardhura për shkak të punës me të dënuarit për këto vepra, duke sjellë gjithashtu ndryshime të rëndësishme për parandalimin dhe rehabilitimin e të dënuarve lidhur me çështjet e terrorizmit dhe radikalizmit.

Ndihmesa që po jep dhe do të japë në të ardhmen Prezenca e OSBE, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë për rritjen e kapaciteteve të stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të Shërbimit të Provës është shumë e nevojshme për parandalimit dhe luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit në këto institucione, si dhe për sfidat e tjera që kemi përpara në sistemin penitenciar.

Përfitoj nga rasti të falënderoj kryesinë Austriake të Prezencës së OSBE, Qeverinë Suedeze dhe Qeverinë Gjermane për mbështetjen e këtij projekti në këtë fazë dhe për përpjekjet e përbashkëta me Qeverinë shqiptare me qëllim parandalimin e radikalizmit që sot tashmë është një fenomen global.