Font Resize

Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 110/2018 “Për noterinë”, të ndryshuar”

Ministria e Drejtësisë

|

Postuar më: 03/12/2024

|

Data e Mbylljes: 31/12/2024

|

Nr.Komenteve: 2

|

Nr.Shikimeve: 1335

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

Ministria e Drejtësisë, në kuadër të procesit të konsultimit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 110/2018 “Për noterinë”, të ndryshuar”, mirëpret sugjerimet nga çdo subjekt dhe institucion i interesuar, Dhoma Kombëtare e Noterëve, etj.  

Kontributet që në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së projektligjit, do të përcillen nga institucionet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik: Greis.Como@drejtesia.gov.al .

Komentet nga qytetarët

Duke qenë se në Ligjin nr. 110/2018 “Për Noterinë”, po ndërmerren shtesa dhe ndryshime, do sugjeroja që në një pikë të veçantë të këtij projektligji të shtohej edhe një nen i cili ka të bëjë me aksesin që individi qytetar apo subjekti tregtar, sipas rastit kur nënshkruan një akt notarial, të këtë akses nëpërmjet platformës qeveritare e-Albania në të dhëna bazike si më poshtë:

-Emri mbiemri i noterit ku është lidhur akti notarial.
-Nipti i noterit ku është lidhur akti notarial.
-Nr. Koleksioni.
-Nr. Repertori.
-Data e aktit notarial.
-Lloji i kontratës (psh. Për qira ambienti).

Këto të dhëna do e ndihmonin, si qytetarin apo edhe subjektin tatimpagues, sipas rastit, kur do i duhet një akt noterial që e kanë humbur dhe nëpërmjet këtyre referencave i interesuari të mund ta gjejë më lehtë marrjen pranë zyrës noteriale të një akti që mund ta ketë nënshkruar shumë vite më parë.

Në rast se ky sugjerim realizohet, atëherë popullimi i të dhënave sipas numrave NID dhe NUIS, të mos këtë fuqi prapavepruese, por të hyjë në fuqi në një afat të caktuar, kur edhe sistemi të jetë gati për operim.

Noter Vasil Martini data 31.12.2024
Adresa
Rruga Luigj Gurakuqi nr 2. Lezhe
Nr. cel 0682049692

Relacion në lidhje me ndryshimet ligjore në ligjin 110 datë 20.12.2018 “Për Noterine” i ndryshuar.
Duke marrë shkas, nga propozimi i MD për ndryshimin e ligjit nr. 110/2018 “Për Noterinë”, po ju sjellë një analizë sqaruese në lidhje me obsevacionet e mia në lidhje me këto ndryshime të propozuar.
Unë jam Vasil MARTINI, noter në detyrë prej 25 vitesh dhe kam marrë pjesë aktive në periudhen e diskutimeve për projektligjin gjatë vitit 2017 dhe 2018 kur janë bërë diskutimet në Kuvendin e Shqipërisë, si në fillim për miratimin e disa ndryshimeve të ligjit të mëparshëm, por edhe kur u ra dakort që të ribëhet ligji nga fillimi. Unë kam qënë pjesë aktive e grupit të DHKN që kam marrë pjesë deri në natën e fundit me datën 18.12.2018 kur në orën 24.00 kur i është dhënë dora e fundit ligjit aktual të 2018, së bashku me përfaqësuesit e huaj dhe në këto kushte jam në gjendje të bëj edhe observacionin tim në lidhje me shumë nga çështjet e shtruara në Projektligjin e propozuar, bazuar edhe në konsultimet e bëra me një numër jo të vogël noterësh që ndajnë të njëjtat mendime si unë, por që për shkak të mënyrës së zgjedhur nga Drejtuesit e DHKN nuk ka një debat as info në lidhje me ndryshimet në ligj. Pasi megjithëse MD me shkresen e datës 31.10.2024 ka dërguar draftin e projektligjit dhe raportin e tij në DHKN, drejtuesit e saj nuk e kanë përcjellë tek noterët, ata janë informuar vetëm nga shtypi kur projektligji u shpall për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë.
Më duhet të bëj me dije se ligji në 2018 u bë një ligj i ri, si pjesë e reformës në drejtësi, ku u angazhuan edhe përfaqësues të huaj, sic ishte Euralius dhe ligji ishte një huazuar nga ai gjerman, si modeli më mirë. (shiko Raportin per Projektligjin “Per Noterine” date 18.12.2018 si dhe Revisten e Kuvendit Nr 11/2019 faqja 41-52, me autor z. Ulsi Manja).
Per sa i përket ndryshimeve të propozuara në projektligjin e vitit 2024, ju sqaroj se:

Ne duhet të kishim një analize se si ka funksionuar Shërbimi i Noterisë gjatë kohës së funksionimit të ligjit 110/2018 “Për Noterinë”, I ndryshuar” dhe të bëhet një debat në lidhje me të metat e konstatuara dhe me mënyrën e funksionimit të Sistemit Elektronik, i cili u paraqit si risi dhe të funksionimit të Bordit të Disiplinës, Bordit të Auditit dhe të Qendrës Shqiptare të Trajnimit të Noterëve, parë në këte optike ndryshimet e paraqitura dhe të kërkuara nga DHKN të lënë përshtypje se janë më shumë shqetësime të drejtuesve të DHKN se sa të vetë noterëve të cilët ndajnë mendime të tjera të cilat unë po i rradhis më poshtë:

Aktualisht nuk kemi asnjë raport të bërë publik nga Dhoma Kombetare të arësyeve që e çojnë në propozimin për ndryshimin e raportit 1 Noter për 7000 banor.
Përpara se të caktojmë një raport të një Noteri per x banore duhet të analizojmë paraprakisht disa problematika.
Se pari:- Aktualisht ne jemi profesion që ushtrojmë funksione publike dhe nuk disponojmë as nga DHKN as nga MD, asnjë informacion për noterët se çfarë masash jane marrë për ta, kush ka dalë në pension dhe kujt i është hequr licensa, apo kujt i është pezulluar për sa kohë. Pra ne nuk përditësohemi me të dhënat e noterëve të cilët e lënë profesionin apo e pezullojnë atë.
Ju bëj me dije, se në sistemin tone noterial, janë rreth 360 noterë aktivë që punojnë çdo ditë, ndërsa duke përllogaritur noterët që licencat i kanë aktive janë në total 410 notere, por që ky fakt nuk konfirmohet as nga MD as nga DHKN në asnjë shkresë, tabelë, publikim në faqen web etj. Përkundrazi ne faqen web të noterisë www.notariati.al vijojnë të jenë emra noterësh të cilët janë hequr, nuk e ushtrojnë në Shqipëri profesionin por jetojnë jashtë Shqipërisë dhe mbajne peng licencën, apo noterë që iu është hequr licenca por vijojnë ende të jenë në listë.
Deri në vitin 2011 kemi qënë rreth 230 noterë dhe pastaj janë shtuar brenda 5 viteve në rreth 470-480 noterë. E thënë ndryshe në vitin 2011 kanë hyrë 33 noterë, në 2012 kanë hyrë 68 noterë, ne 2013 kanë 57 noterë, në 2014 kanë hyrë 54 noterë në vitin 2016 kanë hyrë 58 noterë dhe në 2017 kanë hyrë 3 noterë duke e cuar numrin në numrin e përgjithshëm diku tek 470-480 (duke e dyfishuar) pasi askush nuk e ka deklaruar numrin e saktë për këtë fakt.
Së dyti: Për të analizuar saktë nëse duhet të shtohet numri i noterëve, apo jo, nga dhoma duhet të analizohej saktë se sa është niveli i xhiros së Noterëve sipas fashave, fasha e parë 01- 4’000’000’0lekë fasha e dytë 4’000’0001.0–8’000’000 lekë dhe fasha e tretë 8’000’001.0-14’000’000.0lekë dhe katërt mbi 14’000’000 lekë. Kjo për arsye që noteri të mos bjerë poshtë pragut të mbijetesës monetare, ku aktualisht kemi kolege që dalin me minus, për shkak se nësa heq të gjitha shpenzimet e zyrës, të qirasë, të sigurimeve, të punonjësve, atëhere nuk arrin dot të sigurojë as një të ardhur në minimumin e një punonjësi të administrates, në këtë rast sipas ligjit është DHKN që do t’i rimbursoje nga fondi i solidaritetit këta Notere dhe pastaj do të shikonim nëse do të kërkonte ndryshimin e raportit të banorëve për një noter. Pasi të ndahen noterët sipas këtyre fashave, duhet parë se ku ndodhen noterët e fashës së parë? Duhet analizuar çfare ka ndodhur që ka këta Noterë janë kaq poshtë në xhiro? Një pjesë e madhe e tyre janë në zonat periferike të vendit, siç janë, Malesi e Madhe, Pukë, Fushë–Arrës (këtu nuk ka Noter), Tropojë, Has, Kukës Peshkopi, Librazhd, Korçë, Ersekë, Përmet dhe ndonje qytet i izoluar si Burreli, Mirdita, Bulqiza, Skrapari etj. ku megjithëse numri i banorëve për Noter është i lartë ata nuk realizojnë të ardhurat e duhura për të mbajtur shërbimin në kondicionet e duhura sipas ligjit, pasi ligji ka lejuar që aktet që duhen bërë në këto qytete të bëhen në Tiranë apo në ndonjë rreth tjetër rreth tyre, duke reduktuar ndjeshëm punën e tyre.
Së treti:- Ku janë të vendosur Noterët të cilët janë në fashën e katërt të xhiros? Cila është struktura e akteve dhe veprimeve Noteriale që kryejnë ata? Cila është vjetërsia në punë? Cili është organizimi apo profesionalizmi i tyre? Sa korrekt janë ata me ligjin, udhëzimet e MD dhe të gjitha aktet nënligjore? A kemi konkurencë të pandershme? Cilat janë arësyet e xhiros së lartë? E njëjta gjë për krahasim në të njëjtën Njësi Vendore edhe me ata që janë në fashën e parë që janë në të njëjtën njësi vendore? Këtë diferencë të zhvillimit duhet ta kishte studiuar DHKN dhe MD në kontrollet e saj nëpërmjet Bordit të Auditit dhe Sektorit të Inspektimit në MD, për të arritur në një konkluzion llogjik dhe real të ketij ndryshimi. Kjo është detyra e një shteti korrekt dhe që garanton standarte të barabarta për të gjithë operatorët e tregut. Dua të shpjegoj se sistemi elektronik NISA i ka të gjitha mundësitë për të bërë të mundur në kohë reale për të nxjerrë një statistikë sipas përcaktimeve si më lart. Kjo analizë duhet të ishte pjesë e materialit që keni bashkëlidhur me raportin.
Së katërti:- Cilat janë masat e parashikuara në Ligj, apo në Udhëzimet e MD, apo të DHKN për të inkurajuar Noterët e “periferisë” që të qëndrojnë aty dhe mos të ndihen të diskriminuar dhe të pavlerësuar për punën dhe shërbimin që kryejnë? A mos do të ishte e dobishme që të shikohet mundësia dhe të përcaktohet në ligj që aktet e tjetërsimit të pasurive të paluajtshme të bëhen vetëm në njësinë vendore ku ndodhet prona dhe për rrjedhojë kjo fuqizon Noterët e “periferive”, kjo është një politikë jo e re e jona, por praktikë e sanksionuar në ligj dhe në aktet e tjera nënligjore në të gjitha vendet e bashkimit europian dhe në këto kushte ne na duhet ta përshtasim në mënyrë që të fuqizojmë Noterët e “periferise”.
Së pesti: Cila është struktura e moshës së Noterëve aktual? Aktualisht, nëse i referohemi daljes në pension 70 vjec, atëherë i bie që brenda 8 viteve të ardhshme kemi 49 noterë që mbushin moshën e pensionit. Pa llogaritur këtu edhe ata që janë Noterë që janë në ndjekje penale apo edhe administrative dhe mund të kemi një reduktim tjetër të numrit të përgjithshëm. Gjatë këtyre pesë viteve kemi më shumë dalje nga sistemi me masa disiplinore ose vendime gjykate se sa dalje në pension. Nga një analize një për një, sipas njësive vendore ku ata janë, rezulton se në disa qytete si në Puke, Fushe-Arres, Has, Kukes, Erseke, Pustec e ndonjë njësi vendore tjetër të mbetemi shumë shpejt pa asnjë noter dhe duke qënë se kemi dy vjet që nuk kemi asnjë kontigjent asistentesh në formim mendoj se ky është një problem shumë i madh. Ndërsa në ndryshimin ligjor, propozohet që edhe zëvendesnoterët të hyjnë direkt në konkurs për vende si Tirana dhe Durrësi, që duhet te jenë qytete karriere dhe mundësia e parë t’i jepet noterit që ka qënë në rrethe dhe ka pritur radhën prej vitesh. Nuk mund të barazohet nje zevendesnoter me 1 vit punë me një Noter që të paktën ka 8 vjet që pret radhën për të ardhur në Tiranë. Në gjykimin tim hapja e një konkursi për të filluar formimin e kandidatëve për noterë të destinuar për këto zona, duhet të ishte parësore nga DHKN dhe MD. Ripërtëritja e Noterëve në këto njësi është problem që duhet të na shqetësojë në këtë kohë dhe jo ulja apo ndryshimi i raportit të banorëve për një noter.
Së gjashti:- Ulja e numrit të banorëve për një noter shkakton një tërmet tek noterët, si në qytetet e mëdha, por edhe në ato të vogla, pasi shton noterë dhe nga ana tjetër puna është po ajo dhe ju mbetet të ndajnë punën që në rastin më të zakonshëm nuk e kalon fashën e parë të xhiros. Ndërsa për qytetet e mëdha nuk sjell asnjë përmiresim apo hap pozitiv në zhvillimin e shërbimit të Noterisë. Ulja e raportit bën të mundur që të jepen licensa për njësitë ‘periferike’ dhe të transferohen fizikisht në Tiranë, për të punuar FSHEHURAZI në Tiranë apo edhe në rrethe të tjera, në mënyrë të fshehtë siçndodh edhe aktualisht (ky është konstatimi i MD kur është miratuar projektligji se janë rreth 50 noterë te rretheve që punojnë në Tiranë). Tani ne nuk kemi asnjë të dhënë që pas funksionimit të sistemit elektronik a vazhdojnë ta ushtrojnë aktivitetin në Tiranë këta Noterë. Në këtë rast ndryshimi i raportit nuk sjell ndryshime pozitive për sistemin e Noterisë. Kur u konceptua sistemi elektronik ishte parashikuar që sistemi do të kishte edhe një hartë të shpërndarjes reale të noterëve nëpër Njësitë Vendore, ku ata punojnë realisht dhe nese do te ishte përdorur ky funksion DHKN dhe MD do të kishte edhe harten reale ku janë të vendosur Noterët sipas Njësive Vendore dhe do të kishim disa të dhëna më të qarta për të gjykuar ndryshe.
Së shtati:-Ligji në tërësine e tij duhet të garantojë një garë të ndershme dhe shanse e mundësi të barabarta të të gjithe notereve, pavarësisht se ku ata e ushtrojnë aktivitetin, në mënyrë që deviza e Unionit Latin të Noterëve që brenda një shteti “Noteri duhet të afrojë të njëjtin shërbim për qytetaret e tij, me të njëjtën cilësi, me të njëjtin çmim dhe me të njëjtën vlefshmëri të aktit në çdo pjesë të territorit te tij” dhe që të jetë reale dhe kuptimplotë kjo duhet të udheheqe ndryshimet ligjore që mund t’i bëhen këtij ligji. Ndryshimi i raportit të banorëve për Noter nuk i shërben ketij qëllimi.
Së teti:- Gjatë procesit përgatitor të ligjit të vitit 2018 që ne kemi aktualisht, kanë dhënë një kontribut të madh edhe Dhoma Federale e Noterëve Gjermane dhe Euralius-i dhe në relacionin që ka përcjellë në Kuvend, Komisioni i Ligjeve për miratimin e ligjit, ju është referuar jo pak herë për orientimet në përgatitjen e ligjit aktual, Ndërsa brenda 5 viteve nga implementimi nuk ka reference as ekspertizë nga këta dy aktorë shumë të rëndësishëm, pasi edhe vite më përpara kur qeveritë e kohes e kanë ulur numrin e banorëve për noterë në 1/4900 banore, u kërkua ndihma e Dhomës Federale të Noterëve të Gjermanisë dhe e Euralius-it që të ndryshonte raporti në 1/15000 banorë dhe çfarë ka ndryshuar sot? Gjermania e ka me nje raport 1/33000 banore dhe nuk ka problemet që kemi ne sot. Ligji aktual nuk detyron as DHKN as MD që të ulë numrin e noterëve në 200 apo më shumë apo më pak, por shprehet se noterëve aktual nuk ju hiqet licensa për efekt të hyrjes së këtij ligji.
Ndërkohë në analizën e dhënë nga Dhoma Kombëtare (e cila nuk ka marre miratimin e noterëve në Asamble, sepse nuk e ka parashtuar një gjë të tillë) argumentohet se pavarësisht censiusit (që ka nxjerrë në Shqipëri 2’400’000 banorë), ne u shërbejmë edhe të huajve( se me perpara nuk ju kemi shërbyer). Por nëse ne e lexojmë ndryshimin e ligjit, ajo thotë sërish 1 me 7000 banore, nuk thotë në të 7000 persona që hyjnë në Shqipëri. Argumenti i sjellë nga dhoma dhe i pranuar nga MD, është shumë i ulët dhe joprofesional, sepse ne edhe me kaq noterë sa jemi dhe 40 % e tyre janë në kufijtë e mbijetesës monetare, sepse nuk arrijnë dot të perballojne qeratë shumë të shtrejta apo kostot e tjera të mirëmbajtjes, të cilat do të duhet të analizoheshin nga Dhoma Kombetare.

Në lidhje me nenin 4 Pika 2 togfjalëshi “jo më pak se 3 vjet” të zëvendesohet me Togfjalëshin “Jo më pak se 2 vite”
Këtu dua të bëj nje sqarim nuk duhet të ulim kohën e detyrueshme të zëvendesnoterit që ta ketë si kohë të detyrueshme, pasi nisur nga përvoja dhe rastet e konstatuara me shkelje dhe që ju është hequr licensa apo janë dhënë masa disiplinore, janë noterët që nuk kanë marrë pjesë në trajnime zakonisht dhe që kanë hyrë në sistem këto 13 vitet e fundit, por ka edhe noterë që megjithëse kanë nga 20 apo 25 vite punë për shkak të tipologjisë së gabuar të fillimit të punës dhe shmangies së përballjes me sistemin, kanë vijuar të punojnë duke qënë jo korret me zbatimin e ligjit dhe mendoj se koha duhet të jetë detyrimisht 2 vite që në total e çon kohën e formimit të një noteri minimalisht në 5 vite dhe pastaj ka një tjetër kohë pritje që mund të shkojë edhe 5 vite të tjera për të filluar punë si Noter. Nëse synojmë të rritim cilësine e Notariatit Shqiptar, mendoj se kjo është e vlefshme. Po ti referohemi rastit të Gjermanisë, të cilit i jemi referuar në fillim kur u bë ndryshimi në ligj koha e pritjes se nje zëvendësnoteri zgjat 10 dhe 15 vite, kjo na është bërë e ditur që në atë kohë dhe drejtuesit e DHKN e kanë pranuar vetë këtë fakt.
Ligji në thelb nuk ka qëllim vetëm të formojë Noterë, por duke qënë se është funksion publik ka për detyrë që të bëjë më të qëndrueshëm kalimin e stafetes nga një brez në tjetrin dhe për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarit, e cila është parësore në çdo inisiative ligjore dhe për të mos cënuar standartin e shërbimit nga kalimi i një brezi tek tjetri.

Neni 15
Në nenin 67 pas pikës 3 të propozuar në Projektligj kërkoj të shohet edhe pika 4:
4- Dhoma Kombëtare e Noterëve 6 muaj përpara se Noteri mbush moshën për pension cakton Noterin që do të marre arkivin e Noterit që del në pension. Ky vendim pasqyrohet në faqen e Web-it të DHKN dhe në faqen e web-it të MD.
Nisur nga praktika, duke ja lënë rastësisë ose momentit të fundit është bërë e mundur që shumë noterë kanë dalë në vite në pension por edhe gjatë këtyre 5 viteve të funksionimit të ligjit të ri dhe arkivat e tyre, nuk janë transferuar tek noterët që kanë pasur për detyre për ti marre arkivat, ose edhe kur i kanë marrë ato janë të pa digjitalizuara, çka e rëndon shumë situaten e digjitalizimit të arkivës së Noterit në largim. Ne kemi raste që e dime ose e kemi marre vesh rastësisht që filan noter ka mbush moshën për pension, ose ka dalë por nuk kemi informacion zyrtar për këtë fakt dhe kush e ka arkivin e tij. Noteri është një profesionit që ushtron funksionin e tij publik ne kuadrin e një profesioni të lire të rregulluar, në këto kushte brenda network-ut të noterëve nga ana e DHKN dhe MD të gjitha këto akte që kanë të bëjnë me Noterët duhet tu dërgohen Noterëve për dijeni, pasi përvoja ka treguar se janë evidentuar shkelje në disa raste.
Duke përcaktuar këtë vendim 6 muaj më përpara e bën më të lehtë kalimin e stafetës nga Noteri në ikje tek Noteri vijues i shërbimit.
Neni 16
Ne nenin 72, pika 3 ndryshohet si me poshte:
… edhe Kryetari i Dhomës Kombëtare të Noterisë si administrator i sistemit elektronik bën bllokimin e menjëhershëm të aksesit në sistem.
Nisur nga përvoja e këtyre pesë viteve të përdorimit të sistemit është bërë e mundur që të gjithë Noterët pa asnjë përjashtim sot të gjitha aktet i bëjnë në sistem dhe mbeten aty të rregjistruara dhe lehtësisht të verifikueshme nga institucionet kompetente, por kemi vërejtur se ka Noterë që janë arrestuar, janë dënuar, kanë dalë në pension, ju është hequr licensa, ju është pezulluar dhe nuk ju është mbyllur aksesi në sistem dhe ata në mënyrë të paligjshme kanë vijuar të lëshojnë akte pasi nuk ju është mbyllur Username në sistem, veprim i cili duhet kryer nga Kryetari i Dhomes Kombetare te Noterise.
Ky përcaktim do të bënte të mundur ekzekutimin e menjëhershëm të Vendimeve të Gjykatave, apo të Vendimeve për heqjen e Licensave apo pezullimin e tyre dhe do të bënte të mundur ruajtjen e informacionit të arkivuar në sistem.
Neni 17
Nëe nenin 82 të shtohet edhe pika si më poshtë:
e) – të diskutohen në çdo degë vendore problematikat që atakojnë shërbimin noterial në tërësi, përpara se të diskutohen ato në Asamblenë e Përgjithshme.

Nga ana e organizimit të përfaqësimit të Noterisë në tërësinë e saj e kemi Degë Vendore dhe DHKN, por nga ana e percaktimit të ligjit aktual kemi një shuarje të aktivitetit të Degëve Vendore pasi ato janë kthyer në shtojca administrative të disa detyrave qe mund ti kryeje me delegim DHKN, atëherë do të duhet që këto degë vendore të shkrihen sepse nuk luajnë asnjë rol administrativ.
Praktikisht pas zgjedhjeve në Degen Vendore dhe krijimit të një këshilli të Degës për tre katër detyra administrative Dega Vendore nuk ka asnjë detyrë tjetër. Nuk ka tagër Dega për të diskutuar asgjë pasi nuk parashikohen në ligj, përfaqësuesi i Degës në Këshillin Kombëtar nuk ka ku të dëgjojë opinionet e Noterëve të Degës, pasi nuk ka asnjë mbledhje të Deges, shkon në Këshillin e Dhomës Kombëtare dhe flet për Degen sipas opinionit personal të tij dhe nuk përfaqëson mendimin apo shqetësimet e Noterëve të degës së tij nga e cila është zgjedhur, në këto kushte ose duhet shkrirë Dega si nocion, ose duhet t’i shtohet detyrimi që paraprakisht çdo problem që afekton veprimtarinë e Noterit dhe që do të kalohet për diskutim në Asamblenë e Përgjithshme duhet të diskutohet paraprakisht në Asamblenë e Deges Vendore. Pasi sot me ligjin aktual kemi shkelje të rregullave demokratike të përfaqësimit.

Neni 18
Në Nenin 83 të ndryshohet pika 3 germa “gj” dhe pika 4, si me poshtë.
gj) miraton buxhetin vjetor të Dhomës në fund të vitit dhe raportin financiar vjetor të Këshillit të Dhomës ne fillim të vitit.
4. Asambleja e Përgjithshme mblidhet të paktën dy herë në vit.

Dhoma Kombëtare e Noterisë administron një buxhet vjetor që sot shkon diku mes 86’000’000.0 -95’000’000.0 lekë të reja ne vit, apo e thënë ndryshe rreth një milion dollarë amerikane, ajo ka një strukturë administrative dhe një personel, të cilet paguhen nga të ardhurat e krijuara nga të gjithë noterët sipas xhiros vjetore dhe fundi i krijuar, nuk mund të administrohet në mënyrë të njëanshme nga ana e Këshillit Kombëtar të DHKN dhe duke mos u paraqitur për miratim në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Noterëve, por edhe kur janë paraqitur dhe pa asnjë debat dhe duke paraqitur edhe buxhetin edhe bilancin për miratim edhe Raportin e Bordit të Auditit me turne dhe me shpejtësi dhe pa asnjë debat, të lë shije të hidhur dhe të lë të kuptosh që ketu ka diçka që nuk shkon dhe dikujt i intereson kjo formë, por buxheti i dhomës krijohet nga kontributet tona si noterë dhe duhet të jemi të qartë dhe të informuar në mënyrë periodike dhe të detyrueshme për çdo qindarkë që shpenzohet dhe si shpenzohet. pasi është mundi dhe djersa e noterëve.
Duhet përcaktuar në ligj që Asambleja duhet të ketë dy mbledhje vjetore, ku në mbledhjen e fundvitit të miratohet buxheti dhe të diskutohen prioritetet e investimeve në Shërbimin Noterial duke miratuar edhe strukturën dhe pagat. Pasi nuk kemi një miratim të programit të aktiviteteve, promovimeve, apo publikimeve gjatë vitit pasardhes dhe me projektbuxhetin përkatës të tyre dhe kjo të mos i lihet rastësisë.
Në mbedhjen e Asamblese së Përgjithshme të fillim vitit duhet të diskutohet dhe miratohet Bilanci i vitit të shkuar dhe të diskutohet edhe Raporti i Bordit të Auditit, i cili nuk duhet të mbetet vetëm në komentimin e bilancit, por duhet të paraqesë gjetjet e veta në lidhje me zbatimin e Buxhetit të miratuar nga Asambleja Kombëtare e Notërve.

Neni 19
Në Nenin 86 pika 8 të shtohet edhe një paragraf si më poshtë:
d)- Kryetari i Dhomës Kombëtare të Noterisë është ushtrues i funksionit të administratorit të sistemit elektronik të Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe është përgjegjës për aksesin në sistem, për hapjen apo mbylljen e llogarive në sistem si dhe për ekzekutimin e vendimeve të Prokurorive, Gjykatave, të Ministrit të Drejtësise dhe të Bordit të Disiplinës.

Nisur nga praktika e ndodhur në rastet e paraqitura në ndryshimet e nenit 73 pika 3, për të mos rënë në përsëritje të argumentave, duhet parashikuar në ligj kjo kompetencë në menyre ekskluzive e Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Noterisë, pasi është një kompetencë e cila duhet të jetë e përcaktuar shprehimisht dhe mos ekzistenca e saj në ligj, ka bërë të mundur që të abuzohet me këtë mungesë nga ana e Kryetares në detyrë në ekzekutimin e vendimeve ndaj noterëve.

Neni 20
Në nenin 115 duhet pika 1 duhet të shtohet edhe një paragraf tjetër si më poshtë:
-Në rastin kur është lëshuar Dëshmia e Trashëgimisë dhe është rregjistruar dhe ka dhënë efektet e saj, Noteri me kërkesën e pales, ose edhe vete kryesisht, me vendim të arësyetuar deklaron pavlefshmërinë e Dëshmise së lëshuar, e cila ju njoftohet palëve dhe pas kalimit të afatit 30 ditor të marrjes dijeni nga ana e trashëgimtarëve dhe kur nuk ka kundërshtim nga palët procedon me lëshimin e dëshmisë së re.

Në praktikë ne ndeshemi me rastin kur një Dëshmi Trashëgimie është lëshuar nga Noteri është rregjistruar në ASHK, apo në ndonjë institucion tjetër dhe ka dhënë efektet e saj. Noteri me kërkesën e palës që është cenuar nga Vendimi i pare, ose edhe kryesisht kur e konstaton vetë, lëshon Vendimin për pavlefshmërinë e Dëshmisë së Trashëgimisë të lëshuar prej tij, e cila duhet t’ju njoftohet të gjitha paleve dhe tu jepet edhe koha e ankimimit të Vendimit të Noterit për pavlefshmërinë e saj në Gjykatë dhe vetëm pas kalimit të këtij afati Noteri do të procedojë me lëshimin e Dëshmisë së re të Trashëgimisë. Me vendimin e Pavlefshmërisë së Dëshmisë së Trashëgimisë, Noteri mund të aplikojë në ASHK për të pezulluar veprimet me Deshminë e parë në mënyrë që të minimizojë dëmet e shkaktuara nga Dëshmia e parë.

Neni 21
Në Nenin 108, pika e parë duhet të ndryshohet si më poshtë:
1-Akti noterial përpilohet në një kopje të vetme e cila qëndron në arkivën e Noterit dhe kopjet e saj, me të gjithë praktikën bashkalidhur ju dërgohet klientëve në llogarinë personale në e-albania nëpërmjet sistemit elektronik të Noterit, ose nëpërmjet postës elektronike të noterit, kur nuk kane nje llogari te tillë. Me kërkesën e palëve Noteri ju jep kopje të njësuara me origjinalin.

Nisur nga praktika e vendeve të bashkimit europian të cilëve ju jemi referuar në rastin e përgatitjes se ligjit aktual si Gjermania, Austria, Zvicra si edhe të rajonit si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, aktet përpilohen në një kopje autentike, e cila qëndron në zyrën e Noterit dhe ka gjithë dokumentacionin original dhe nënshkrimet autentike dhe ky akt ngarkohet në sistemin e elektronik të Noterisë nenshkruhet elektronikisht nga noteri dhe pas këtij veprimi dokumenti i dërgohet personit që ka kryer aktin në llogarinë e tij në e-albania tek rubrika “Dokumentet e Mia” dhe i ka të sistemuara aty përgjithmonë, ndërsa per qytetarët e huaj që nuk kanë llogari në e-albania ju dërgohet nga Noteri nëpërmjet adreses elektronike zyrtare tek e-maili personal i personit.
1-Në pikëpamje të përgjegjësisë së Noterit, kemi rritje të përgjegjshmërisë së Noterit dhe identifikim të saktë dhe të plotë të pergjegjësisë së Noterit në kryerjen e aktit, në rastin e një hetimi penal dhe në rastin e një hetimi administrativ është më e thjeshte verifikimimi i përgjegjësisë së Noterit për kryerjen e aktit konformë standarteve që kërkon ligji,
2-Rritet transparenca e Noterit në kryerjen e veprimeve mes klienteve të cilët janë përfaqësues me prokurë dhe nuk ju japin aktet palëve të cilet ata përfaqësojnë, si dhe ne rastin e revokimit të akteve njoftimi ju shkon automatikisht në llogarinë personale në e-albania.
3-Kemi ruajtje të të dhënave personale të paleve që marrin pjesë në akt dhe njoftim në kohë per gjithçka bëhet në emrin e tyre në zyrën e Noterisë.
4-Imponon sigurimin e kushteve më të mira dhe të sigurta të zyrave të noterëve për ruajtjen e arkivave Noteriale.
Ky sugjerim shkon në përputhje me direktiven e BE për digjitalizimin e shërbimeve ligjore dhe rritjen e transparencës së kryerjes së tyre.

Shënim: Ky ndryshim i këtij neni kërkon edhe një ndryshim në Ligjit 111/2018, i ndryshuar, në Nenin 24 Pika 3, e cila duhet të shfuqizohet dhe në këtë mënyrë bëhet e mundur që realizimi i rregjistrimit të Akteve Noteriale në ASHK, të behet vetëm nga noterët dhe në përgjegjësinë e tyre dhe shmang shumë burokracinë e punonjësve të ASHK-së, që megjithëse aktet ju kanë shkuar elektronikisht dhe fizikisht por deklarojnë se nuk ju kane ardhë dhe kjo do ta bënte edhe institucionin e ASHK-se më të zhdërvjellët dhe më efikas në punë.

Neni 22
Në nenin 113 pika tete duhet te ndryshohet si me poshte:
8. Noteri lëshon dëshminë e trashëgimisë në nje kopje origjinale e cila mbahet në arkivin noterial dhe në rrugë elektronike një kopje u jepet trashëgimtarëve dhe një kopje dërgohet në institucionin përgjegjës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Nëse kërkues është një palë e interesuar, jotrashëgimtar, noteri procedon me lëshimin e një kopjeje të njësuar me origjinalin edhe për kërkuesin.
(Arësyetimi është i njëjtë si në nenin 21)

Neni 23
Në nenin 126 duhet të shtohet pika 3 si më poshtë:
3-Noteri eshte kompetent për kryerjen e transaksioneve për pasuritë e paluajtshme vetëm për pasuritë të cilat ndodhen në Njësinë Vendore në të cilën ai është licensuar, me përjashtim të shkëmbimit të pasurive e pjestimit, kur janë në njësi të ndryshme vendore.

Nëse flasim për mbrojtje të interesave të Notërve por edhe të qytetarit, ne duhet të përcaktojmë me ligj se transaksionet e pasurive të një njesie vendore do të bëhen vetëm në njësine vendore ku është Noteri kjo për disa arësye:
Së pari:-Noteri i Njesise Vendore është më i njohur me historikun e një prone dhe me gjithë problematikat që ajo ka pasur në vite.
Së Dyti:-Në rast se Akti bëhet objekt gjykimi, kompetente është gjykata që ka mbulon territorin ku është prona. Ne rast të hetimit të Noterit për shpërdorim detyre, do ta dërgojë atë në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshem të vendit ku ushtron aktivitetin noteri dhe ne këto dy raste ju kemi sjelle shume probleme qytetarëve.
Së treti:-Rrisim të ardhurat për Noterët e periferive dhe qytetarit i shërbehet më mirë dhe me afër.
Së katërti:- Të gjitha vendet e BE por edhe të rajonit e kanë të sanksionuar në ligj që transaksionet me pasuritë kryhen vetëm tek noteri i Njësisë Vendore.
Së pesti:- Per analogji ligjore, përcaktimi në ligj i Lëshimit të Dëshmive të Trashëgimise tek Noteri i Njësisë Vendore ku ka pasur vendbanimin e fundit Trashëgimlënësi, nuk ka sjellë asnjë problem vetëm sa e ka zgjidhur kompetencën dhe e ka sistemuar si duhet dhe ka shpërndarë ngarkesen e Noterëve dhe ka orientuar më saktë qytetarin. E njëjta gjë ndodh edhe në rast se e përcaktojmë në ligj dhe caktojmë nje datë nga e cila do të fillohet zbatimi i kesaj dispozite ligjore.
Ky ndryshim ligjor do të jetë shumë i mirëpritur nga të gjithë Noterët e “periferisë” dhe do ti motivonte ata më shumë në punë dhe do të dekurajonte kërkesat për transferime apo grumbullimin e Noterëve në Tiranë.
Çdo ligj në parashikimet e tij ka si qëllim ruajtjen e balancave të operatorëve të tregut dhe krijimin e perspektivave zhvilluese dhe inkurajuese për zhvillimin e tij. Mendoj se ndryshimi i propozuar do të ishte shumë i nevojshëm dhe do të sillte impakte shumë positive si sot, por më shumë në të ardhmen kur zbatimi i këtij ndryshimi të bëhet realitet.

Neni 24
Neni 134 Pika 4 duhet të ndryshohet si më poshtë:
4. Komunikimi mund të kryhet edhe me e-mail, nga adresa zyrtare e Noterit, Whatsapp......... nga telefoni zyrtar i Noterit, sipas rregullave të caktuara nga Ministri i Drejtësisë.

Mendoj se në gjithë punën e mirë që është bërë në vitin 2018 e vetmja gjë që nuk është marrë në konsideratë është neni 134 pika 4, e cila realisht është kopjuar nga ligji i vjetër por nuk ka marrë në konsideratë zhvillimin teknologjik të kohës që jetojmë. Pse e them këtë? Ka mbi 15 vite që telegram, teleksi, faksi e telefaksi nuk janë në përdorim si teknologji, pasi janë zëvendësuar me postën elektronike, apo edhe me komunikimet me Whatsapp, Vibër, Telegram etj.
Duke qënë se Noterët kanë tashme adresat zyrtare që janë gjeneruar nga sistemi i DHKN dhe janë të rregjistuara dhe janë e-maili zyrtar i noterit, komunikimi elektronik i Noterit duhet të jetë posta elektronike zyrtare e tij, e cila duhet të jetë e publikuar në faqen web të DHKN.
Sa i përket aplikacioneve whatsapp, Vibër, Telegram etj. duhet Ministri i Drejtësisë i cili duhet të përcaktojë se cili aplikacion duhet të përdoret sipas propozimit të DHKN dhe në këtë rast të gjithë noterët duhet të deklarojnë username-in ku janë të rregjistruar në aplikacionin që do të përdoret si mënyrë komunikimi zyrtare, pasi këto aplikacione e ruajnë edhe historikun e komunikimeve.
Është e nevojshme të ndryshohet kjo dispozite pasi siç është e shkruar ne ligjin aktual dhe në Udhëzimin e MD të vitit 2020 është i pazbatueshëm.
Vasil Martini
Shenim:Une kam pergatitur edhe dfatin me ndryshimet por nuk ka ti ngarkoj.