|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 1
|
Nr.Shikimeve: 722
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
Ministria e Drejtësisë, në kuadër të procesit të konsultimit për projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 55, datë 6.2.2019, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti””, mirëpret sugjerimet nga qytetarët, ekspertë të fushës, nga të gjitha institucionet e interesuara, organizatat jofitimprurëse dhe shoqëria civile që kanë si ofrimin e ndihmës juridike falas.
Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së projektaktit, mund të përcillen nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë, Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë, në adresën e e-mailit të koordinatorit për konsultimin publik greis.como@drejtesia.gov.al.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) është njohur me Projektvendimin e Këshillit të Ministrave të publikuar në portalin e Regjistrit Elektronik “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin Nr. 55, datë 06.02.2019, të Këshillit të Ministrave “Për caktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti”.
Që në krye të herës, KSHH mirëpret marrjen e masave konkrete për lehtësimin e procedurave për autorizimin e OJF-ve që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti. Në vijim, dëshirojmë të ndajmë me ju sugjerimet tona lidhur me përmbajtjen e këtij projektvendimi:
• Lidhur me pikën 6:
KShH vlerëson se përpos lehtësirave praktike që ka sjellë platforma qeveritare e-Albania, është e sugjerueshme të mbahet në konsideratë mungesa e funksionalitetit të platformës elektronike, situata të përsëritura në vendin tonë edhe si rrjedhojë e sulmeve kibernetike. Njëkohësisht, KShH vlerëson se duhet marrë në konsideratë vulnerabiliteti i grupeve të caktuara dhe gjendja sociale ekonomike që vështirëson aksesin e tyre në platformën e-albania. Pamundësia e kërkuesve për të depozituar brenda afateve të parashikuara kërkesën për autorizim, mund të passjellë humbjen e së drejtës për të aplikuar, ndërkohë që kërkesat për rivendosje në afat të së drejtës do të zgjasnin procesin në kohë e në mënyrë jo eficente. Rekomandohet marrja në konsideratë e depozitimit të kërkesave për autorizim, në mënyrë alternative, edhe në rrugë postare, duke mos përjashtuar vijueshmërinë e ndjekjes së procesit për plotësim dokumentacioni nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ndaj organeve publike përgjegjëse.
• Lidhur me pikën 13:
Sa i përket përjashtimit të parashikuar për përdorimin e procedurës së deritanishme në këtë periudhë tranzitore, që kushtëzohet nga ofrimi i shërbimit përkatës nga AKSHI, KShH sugjeron parashikimin e afateve konkrete të cilat i shërbejnë konkretizimit të kësaj periudhe dhe vënies në funksion të sistemit të ri online.
• Lidhur me pikën 14:
KShH e vlerëson pozitivisht ndryshimin e propozuar në pikën 14 të projekt-vendimit, për lëshimin e autorizimit pa afat nga ana e MD ndaj OJF-ve që përmbushin kriteret ligjore për të ofruar shërbime të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti. Megjithatë, vlerësojmë se duhen mbajtur në konsideratë edhe mekanizma të tjerë që garantojnë konkurrimin meritokratik me rotacion, llogaridhënien dhe integritetin e organizatave përfituese. Me qëllim shmangien e krijimit të sistemeve monopoliste, ky proces duhet të shoqërohet me garantimin e transparencës në verifikimin e përmbushjes së kritereve ligjore nga të dhënat e raportuara nga ana e OJF-ve të autorizuara.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, shpresojmë që sugjerimet e adresuara të përmirësojnë sadopak përmbajtjen e projektvendimit të konsultuar!