PROJEKTLIGJ " PER PËRFUNDIMIN E PROCESEVE KALIMTARE TË PRONËSISË, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË"

Ministria e Drejtësisë

|

Postuar më:

|

Data e Mbylljes:

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 3017

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

Qëllimi i këtij ligji është krijimi i bazës ligjore të thjeshtuar dhe të harmonizuar, për përfundimin proceseve administrative të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, duke përcaktuar rregullat për:

Ligjërimin e titujve të pronësisë të dhënë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, për tokën bujqësore;
Ligjërimin dhe regjistrimin në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme për ndërtimet pa leje, objektet dhe trojet funksionale kur mungojnë aktet e fitimit të pronësisë, si dhe për oborret në përdorim;
Rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë në territoret e cilësuara si “zona të stimuluara me përparësi zhvillimin e turizmit”;
Inventarizimin dhe përditësimin e pronave të paluajtshme të qeverisjes qëndrore dhe vendore, si dhe transferimin e tyre;
Kalimin e të drejtës së pronësisë mbi trojet e pa privatizuara të ndërtesave të privatizuara, ndërtesave të shitura nga ndërrmarrjet shtetërore dhe të ngritura në bazë të lejeve të ndërtimit, pas datës 10.8.1991 si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore;
Trajtimin ligjor të problemeve të krijuara si pasojë e gabimeve materiale, parregullsive në zbatimin ligjit;
Harmonizimin e procedurave dhe të strukturës organizative shtetërore për përfundimin e procesit të njohjes dhe kompensimit të pronës sipas parashikimeve të ligjit 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Synimet e projektligjit kanë të bëjnë me reformimin në thelb të proceseve të sipër përmendura, duke parashikuar normat e nevojshme për zgjidhjen e problematikave që kanë shoqëruar zbatimin e tyre, në funksion të përmbylljes së çështjes së Pronës. Konkretisht, synimet e projektligjit fokusohen tek:

Trajtimi sistematik, që do të thotë se proceset e ndryshme të lidhura me pronën (legalizim, azhornim, trajtim prone, regjistrim AMTP-je, inventarizim i pronave shtetërore) do të konceptohen dhe zbatohen në mënyrë të njëkohshme dhe sistematike dhe jo më në mënyrë të çrregullt;
Proaktiviteti, që bazohet në idenë se, për çështjet që kanë të bëjnë me pronën, strukturat shtetërore duhet të marrin efektivisht rolin e rregullatorit dhe jo më atë konstatuesit/vrojtuesit të thjeshtë të problematikave.
Ligjërimi i faktit, i cili përbën frymën që do duhet të udhëheqë proceset e përkohshme që kanë të bëjnë me legalizimin e ndërtimeve pa leje, ligjërimin dhe regjistrimin e AMTP-ve inventarizimin e pronës shtetërore. Kjo është linja që duhet ndjekur, me qëllim stabilizimin e marrëdhënieve të pronësisë, në nivel të përgjithshëm. Arritja e këtij qëllimi kërkon detyrimisht një zgjidhje me ligj, për shuarjen e pasigurisë, që ka karakterizuar pronën e paluajtshme gjatë këtyre 25 viteve;
Unifikimi i bazës hartografike të funksionimit të të gjithë proceseve që lidhen me pasuritë e paluajtshme, cka përbën një ndër kushtet themelore për të mundësuar realizimin e reformës;
Deregullimi, që nënkupton shkurtimin e procedurave dhe dokumentacionit që shoqëron procesin admnistrativ, duke lehtësuar barrën burokratike që rëndon mbi subjektet e interesuara (pronarët/poseduesit e pasurive të paluajtshme);
Deburokratizimi, që do të thotë se nga mekanizmi aktual ligjor do të eliminohet cdo hallkë e panevojshme, që shkakton barrë qoftë për subjektet e insteresuara, qoftë për vetë strukturën shtetërore;
Dixhitalizimi i të gjitha proceseve të tjera të tjera administrative (tranzitore) të lidhura me pronësinë mbi pasuritë e paluajtshme. Materializimi i këtij parimi është një tjetër parakusht për suksesin e reformës.

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim