Font Resize
 Shqipëria, kryeqyteti botëror i së drejtës: Fillon Puna për "World Law Congress Albania 2027" - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/03/2025

Shqipëria, kryeqyteti botëror i së drejtës: Fillon Puna për “World Law Congress Albania 2027”

Në vitin 2027, Shqipëria do të mirëpresë një prej eventeve më prestigjioze të drejtësisë globale, “World Law Congress”, duke e vendosur vendin tonë në qendër të debatit juridik ndërkombëtar dhe duke konfirmuar rolin e saj si një faktor kyç në promovimin e sundimit të ligjit.

Pas marrjes ceremoniale të stafetës në Spanjë për organizimin e Kongresit Botëror, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti në Tiranë Javier Cremades, Presidentin Global të Shoqatës Botërore të Juristëve (WLF), së bashku me një delegacion ekspertësh të spikatur të drejtësisë. Takimi u përqendrua në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Kongresin Botëror të së Drejtës në Santo Domingo dhe nisjen e punës përgatitore për “World Law Congress Albania 2027”.

Ky kongres, i cilësuar si Lojërat Olimpike të ligjit, do të sjellë në Tiranë mbi 3,000 juristë, gjyqtarë të gjykatave kushtetuese e supreme, akademikë dhe ekspertë të së drejtës nga e gjithë bota. Për Shqipërinë, organizimi i tij është një mundësi unike jo vetëm për të pritur një ngjarje madhore në nivel global, por edhe për të treguar angazhimin e saj të palëkundur për sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe forcimin e sistemit gjyqësor.

Ministri Manja e vlerësoi këtë moment si një arritje historike për vendin:

“Një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe mendimin juridik shqiptar. Jo vetëm që do të mirëpresim një ngjarje madhore që do ta vendosë Shqipërinë në vëmendjen e botës, por do të dëshmojmë edhe përkushtimin tonë ndaj shtetit të së drejtës dhe forcimit të sistemit të drejtësisë.”