Zv/Ministri i Drejtësisë, Z. Arben Isaraj dhe Drejtori i Shërbimit të Provës, Z. Ilir Qafa, kanë pritur në një takim Zv/Ministri i Drejtësisë së kosovës Z. Avdyl Ymeri.
Z. Ymeri ka mbërritur në Tiranë për një vitita zyrtare i shoqeruar nga një delegacion, në përbërje të të cilit ishtë Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Sprovues të Kosovës, Znj. Metije Ademi si dhe disa drejtues të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.
Tema kryesore e këtij takimi ishte shkëmbimi i eksperiencave në lidhje me shërbimin e provës si dhe në veçanti mbikqyrja elektronike e të dënuarve.
Z. Isaraj theksoi se bashkëpunimi midis dy shteteve, në fushën e drejtësisë, ka qenë tejet i frytshëm. Kjo vërtetohet nga marrëveshjet e nënshkruara, për ekstradimin, ndihmën juridike dhe transferimin e të dënuarve apo bashkëpunimi i ngushtë që vendet tona kanë patur në lidhje me shërbimin e provës.
“Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova kanë eksperiencë në implementimin e sistemit të monitorimit elektronik të të dënuarve dhe të shërbimit të provës, respektivisht, ky shkëmbim eksperiencash rezulton të jetë tepër i domosdoshëm për të kaluar pengesat që konstatohen gjatë zbatimit të tyre. Për këtë arsye, takimet e këtij lloji shërbejnë për të vendosur ura lidhëse mes institucioneve të dy vendeve tona, e për të përgatitur takime, të një niveli më të drejtpërdrejtë, midis dy Ministrave të Drejtësisë, Z. Naço dhe Z. Kuçi”, u shpreh Z. Isaraj.
Z. Ymeri, vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis Shqipërisë e Kosovës, në fushën e drejtësisë. Më tej, Z. Ymeri bëri një përmbledhje të shkurtër të reformave të ndërmarra nga qeveria kosovare në lidhje me modifikimet në kodin penal e kodin e procedurës penale, që bëjnë të mundur implementimin e shërbimit të provës.
Në lidhje me këtë temë, Znj. Ademi, Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Sprovues të Kosovës theksoi se Kosova është shteti i parë në Ballkan i cili ka vënë në zbatim shërbimin e provës, fillimisht vetëm në qarkun e Prishtinës, e më tej në 7 qëndra të tjera rajonale. Që prej vitit 2002 (vit në të cilin u krijua shërbimi i provës) e deri më tani, qeveria e Kosovës ka proceduar me hapjen e disa shkollave profesionale për të miturit si dhe reformimin e kuadrit ligjor për sa i përket dënimeve alternative. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës po shqyrton mundësitë e implementimit të një sistemi monitorimi elektronik për të dënuarit dhe konsideron që sistemi i vënë në zbatim nga Shqipëria të merret si model për t’u implementuar edhe në Kosovë. Për këtë arsye, përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës do dëshironin të kishin më shumë informacion rreth funksionimit të këtij sistemi, si dhe të avantazheve të tij apo problemeve që konstatohen gjatë vënies në punë të monitorimit elektronik.
Gjatë takimit, të pranishmit ranë dakord rreth avantazheve të dënimeve alternative, si dhe të problemeve e pengesave që konstatohen në zbatimin e tyre.
Avantazhet të cilat konstatohen në nivel individual (për të dënuarit), shoqëror apo publik (shtetëror).
Por, në dhënien e dënimeve alternative konstatohen edhe disa probleme që lidhen me besueshmërinë e shoqërisë në efikasitetin e tyre, koston e infrastrukturës së nevojshmë për vënien në punë të sistemit të monitorimit elektronik të të dënuarve apo bindjen e gjyqtarëve se këto dënime janë, në disa raste, më efikase se dënimet me burgim.
Pra, sensibilizimi i shoqërisë në lidhje me funksionimin dhe organizimin e shërbimit të provës e për avantazhet që ai përmban, është thelbësor në implementimin sa më efikas të tij.
Në përfundim, Drejtori i Shërbimit të Provës, Z. Ilir Qafa, theksoi edhe një herë gatishmërinë për të vënë në dispozicion të palës kosovare, të gjitha materialet e përdorura për të implementuar këtë shërbim në Shqipëri (relacionet e dokumentat që kanë shërbyer për hartimin e kuadrit ligjor dhe nën-ligjor për krijimin e sistemit të monitorimit elektronik).
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.