Shkarkohet dhe kallëzohet në Prokurori Regjistruesi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, për përfshirje në fushatë zgjedhore - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 01/06/2017

Shkarkohet dhe kallëzohet në Prokurori Regjistruesi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, për përfshirje në fushatë zgjedhore

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, shkarkoi sot nga detyra Regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër z. Edmond Ndou, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Shkarkimi, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e Edmond Ndou, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin.

Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Edmond Ndou, me detyrë Regjistrues në ZRPP Shkodër, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal.

Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Aktualisht, falë bashkëpunimit me qytetarët, Ministria e Drejtësisë ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit.

Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.