Shërbimi i ri në ZRPP, Gjonaj: “Fast Track” modeli si do t’u shërbejmë qytetarëve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/12/2018

Shërbimi i ri në ZRPP, Gjonaj: “Fast Track” modeli si do t’u shërbejmë qytetarëve

 

Përshëndetje

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në përurimin e Shërbimit më të ri në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Shërbimi “Fast Track” është së pari një lehtësi shumë e madhe për qytetarët dhe për disa kategori të caktuara biznesi, siç janë noterët, ndërtuesit, bankat, apo përmbaruesit, të cilët do të kenë tashmë mundësinë shërbime në një kohë shumë të shkurtër dhe në të njëjtën kohë të mundësojnë edhe ato një shërbim më cilësor për klientët e tyre.

Në këto pak ditë që shërbimi ka nisur të funksionojë, vlerësimët e atyre që e kanë provuar kanë qenë më të vërtetë entuziasmuese.

“Më shkoi kartela e pasurisë në zyrë përpara meje. Të nesërmen e ditës që kisha aplikuar kur shkova në zyrë gjeta zarfin që ma kishte sjellë postieri”. Këto fjalë më tha pak ditë më parë një notere, me të cilën pata mundësi të bisedoja.

Është një ndjesi fantastike kur merr vlerësime të tilla pozitive, nga njerëz që për një kohë të gjatë janë stërmunduar sporteleve dhe zyrave të shtetit, për të marrë shërbime publike cilësore.

Nga ana tjetër për ne është një kënaqësi sepse vijmë në këtë përurim me një premtim të mbajtur për grupet e interesit, duke demonstruar edhe një herë se me vullnet të mirë dhe profesionalizëm çdo vështirësi është e kapërcyeshme dhe çdo risi është e mundur të arrihet.

Vetëm dy muaj më parë, në një interpelancë përmes platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqeduam.al, përfaqësuesit e biznesit na kërkuan shkurtimin e afateve kohore për një grup shërbimesh, më të përdorshme prej tyre.

Megjithëse realizimi praktik i shërbimit të ri nuk ishte aspak i lehtë, për shkak të ndryshimeve strukturore dhe procedurale që duheshin kryer, ne ishim të vendosur ta çonim deri në fund këtë premtim që bëmë. Dhe sot kemi kënaqësinë të shihemi sy ndër sy me njëri-tjetrin për të bërë të qartë dhe për t’ju treguar pikërisht këtë mundësi dhe këtë premtim që kemi realizuar.

Sigurisht që ky është vetëm një hap, ndër shumë të tjerë që duhet të ndërmarrim së bashku. Është vetëm një ndryshim i vogël krahasuar me reformat e thella që kemi nisur për të ndryshuar një sistem të tërë dhe për të sjellë në normalitet një situatë kaotike që kemi trashëguar në fushën e titujve të pronësisë.

Reforma e pronës dhe përmirësimi i shërbimeve që u ofrohen qytetarëve për  pronën, është një ndër nismat më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare në këtë mandat qeverisës.

Qëllimi është zgjidhja njëherë e mirë e problematikave të lidhura me pronën, që aq shumë kanë lënduar çdo qytetar në këto 27 vitet e fundit.

Problematika e pronës ka qenë e lidhur ngushtë me një situatë kaosi institucional dhe shpeshherë ligjor, një situatë kuadri institucional dhe ligjor të fragmentuar të cilit ne duam ti japim fund njëherë e mirë pikërisht me dy projektligjet e përgatitura nga një grup shumë i gjërë përfaqësuesish të institucioneve të ndryshme dhe njëkohësisht me konsultimin e një grupi ekspertësh, profesorësh, të cilat na kanë ndihmuar  për prezantimin e këtyre dy pr/ligjeve në Kuvend. Tashmë këto dy pr/ligje janë në diskutim në komisionet e posaçme në Kuvend dhe shpresojmë që projektligji “Për Kadastrën” dhe “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” t’i japë njëherë e mirë fund problematikave të çështjeve të pronësisë në Shqipëri.

Përfundimi i të gjitha proçeseve tranzitore është më tepër se kurrë edhe vullnet pozitiv i Qeverisë Shqiptare, e cila ka si synim kryesor të konsolidojë përfundimin e dhënies së titujve të pronësisë nga ligjet e posaçme dhe më pas ajo që është shumë e rëndësishme dhe që ka vuajtur deri tani sistemi është pikërisht një administrimin korrekt të tyre mbi bazën e një regjistri kadastral mbarëkombëtar që rrit gjithashtu sigurinë juridike në këtë fushë.

Ngritja e Agjencisë së re, e një agjencie unike do të integrojë të gjitha proceset që prekin pronën duke integruar në një institucion të vetëm ALUIZNI-n dhe ZRPP, duke mundësuar kështu zgjidhje të problematikave pa sorollatjen e më shumë se dy dekadave të fundit.

Sot që flasim, nga rreth 4.400.481 pasuri të paluajtshme, ku rezultojnë të regjistruar rreth 3.800.945 pasuri, prej të cilave për fat të keq 2.5 milionë prej tyre rezultojnë që të jenë me probleme në të dhëna pas procesit të digjitalizimit të kadastrës.

Vizioni jonë është që çdo pronë të jetë e regjistruar, të jetë e pasqyruar saktë dhe të ketë një pronar të identifikueshëm. Dhe për të realizuar këtë Qeveria pikërisht ka përgatitur këto dy projektligjet të cilat i ka kaluar dhe i ka miratuar Këshilli i Ministrave.

Është një ndërmarrje e vështirë, komplekse, por shumë e rëndësishme. Dhe pikërisht se pse është shumë e rëndësishme, në radhë të parë për zhvillimin ekonimik të vendit, por edhe në planin e detyrimeve që kemi në kuadër të procesit të integrimit europian, ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund këtë reformë.

Fast Track-u është shembulli më i mirë, që sado të vështira, apo të komplikuara të duken zgjidhjet e problemeve, ato janë plotësisht të mundshme dhe duhet të kryhen me çdo kusht, për t’u mundësuar qytetarëve të drejtën e tyre legjitime që të gëzojnë titujt e pronësisë dhe të përfitojnë shërbime cilësore dhe me standarde bashkëkohore.

Dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme, nëpërmjet shërbimit Fast Track ne po mundohemi që të minimizojmë dhe të zerojmë rastet e korrupsionit pranë sporteleve të ZRPP.

Dhe së fundmi, do të më lejoni të falënderoj pikërisht drejtuesit,  kryeregjistruesin dhe regjistruesin e Tiranës së bashku me stafet e tyre, të cilët me këmbëngulje dhe njëkohësisht me devotshmëri arritën që t’i japin jetë këtij projekti kaq të rëndësishëm, frytet e të cilit do t’i shikojmë në ditët në vijim.

Faleminderit