Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mori pjesë në takimin e Nënkomisionit për Zbatimin e Vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u mbajt në Tiranë nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Ministri theksoi se Shqipëria ka krijuar struktura dhe mekanizma të specializuara për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ, të cilat punojnë për të siguruar që këto vendime të implementohen në mënyrë efektive dhe të respektohen plotësisht në praktikë. Ai gjithashtu sqaroi se, në bazë të shqyrtimit të jurisprudencës së GJEDNJ për Shqipërinë, vendimmarrja fokusohet kryesisht në kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për një proces ligjor të rregullt.
Në lidhje me të drejtën e pronës, Ministri Manja nënvizoi se vitin e kaluar, me nismën e Ministrisë së Drejtësisë, u ndryshua ligji për trajtimin e pronës dhe për përfundimin e procesit të pronave, në zbatim të vendimit ‘Beshiri kundër Shqipërisë’ dhe në përputhje të plotë me qëndrimin e GJEDNJ-së mbi këtë çështje. Shqipëria mori masa për të garantuar trajtimin e drejtë dhe për të përputhur standardet ndërkombëtare për ish-pronarët.
Me qëllim përforcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Ministria e Drejtësisë ka hartuar për herë të parë Strategjinë për Viktimat e Krimit, e cila synon të ofrojë një kuadër strategjik për mbrojtjen e qytetarëve dhe për zgjerimin e nocionit të viktimës së krimit në përputhje me standardet më të mira evropiane, e cila u miratua nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 2023.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.