Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve prezantuan ditën e sotme ngritjen e Bordit Anti-Korrupsion në Sistemin Penitenciar.
Gjithashtu, në këtë aktivitet u publikua edhe iniciativa e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përfshirjen e studentëve të Masterit “Menaxhimi i shërbimeve sociale në institucionet e drejtësisë penale”, në Fakultetin e Shkencave Sociale. Studentët do të kryejnë praktikën mësimore në IEVPenale në të gjithë vendin dhe do të kenë funksionin e Inspektorëve Anti – Korrupsion, për të rritur transparencën e punës në IEVP dhe raportimin e korrupsionit në çdo formë që ai shfaqet në sistemin e burgjeve.
Zj. Marsela Mezini, Drejtore e Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, gjatë fjalës së saj në prezantimin e kësaj nisme theksoi se reformat dhe nismat e ndërmarra nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë në fokus të tyre ofrimin në institucionet e drejtësisë penale të njerëzve të kualifikuar, me koncepte të shëndosha sociale.
“Modernizimi, transparenca, mënyrat më të mira për të monitoruar veprimtarinë brenda IEVP-ve, një sistem efektiv i ankesave, mekanizmat e pavarura të inspektimit dhe monitorimit të jashtëm, janë disa nga mjetet e mundshme për përmirësimin e sistemit, si dhe një masë mbrojtëse e domosdoshme për të siguruar që të drejtat e të burgosurve janë të mbështetura edhe në praktikë, por jo vetëm. Monitorimi i herëpashershëm nga organizatat joqeveritare dhe grupet e të drejtave të njeriut mund të shënojë një impakt pozitiv në shmangien e rasteve të korrupsionit dhe dhunës”, u shpreh ndër të tjera zj. Mezini.
Gjithashtu zj. Mezini bëri me dije se në numrin e përgjithshëm të inspektimeve të kryera nga grupe të posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vitin 2014, vëmendje të veçantë kanë patur disa prej sektorëve, që mund të jenë më të prekshëm nga fenomenet korruptive, si: 23 inspektime të kryera në sektorin e shëndetësisë, 12 në sektorin social, 15 në sektorin e çështjeve ligjore dhe sigurisë, 239 në sektorin e policisë së burgjeve.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një fushatë sensibilizuese dhe informuese kundër fenomenit te korrupsionit në sistemin penitenciar, ku një numër i konsiderueshëm i të dënuarve dhe të paraburgosurve janë informuar mbi format me të cilat shfaqet korrupsioni në sistemin penitenciar. Ngritja e një Bordi Anti-Korrupsion në DPB, si dhe atashimi i një grupi studentësh të vitit të fundit në Masterin Shkencor për Shërbimet Sociale në Drejtësinë Penale, tregon se tashmë ekziston një vizion i qartë në funksionimin e sistemit penitenciar” tha zj. Mezini.
Në emër të Ministrisë së Drejtësisë zj. Mezini garantoi se nuk do të mungojë integriteti dhe vizioni i qartë në drejtim të përmirësimit të shërbimeve në sistemin penitenciar, duke vlerësuar se dinjiteti njerëzor mbetet një kusht i panegociueshëm, në çdo rrethanë që dikton jetën e gjithësecilit.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Artur Zoto vuri në dukje se masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit do të fokusohen në zbatimin e ligjit nëpërmjet rritjes së kapaciteteve investiguese, rritjes së vetëdijes qytetare dhe në veçanti të të paraburgosurve dhe dënuarve, për të denoncuar çdo rast abuziv apo korruptues si dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale të fokusuara në zhvillimin e aftësive profesionale te stafit.
Në këtë kudër gjatë këtij aktiviteti, z. Zoto bëri publik urdhërin e Ministri të Drejtësisë, z. Nasip Naço “Për fillimin e procesit të testimit të nivelit aktual të aftësive profesionale, fizike dhe kontrollin psiko-social të punonjësve të Policisë së Burgjeve, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
Në bazë të këtij urdhëri, z. Zoto informoi se do të kryhet testimi i të gjithë punonjësve me uniformë, i cili do të fokusohet te vlerësimi i njohurive profesionale si dhe aftësive fizike të punonjësve në këtë sistem.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.