Roli i zbatimit të ligjit, në forcimin e shtetit të së drejtës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/05/2014

Roli i zbatimit të ligjit, në forcimin e shtetit të së drejtës

Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë, z, Nasip Naço ka theksuar se reforma e nisur do të ketë në fokus të saj luftën ndaj çdo fenomeni negativ që implikon sistemin e drejtësisë, duke rritur bashkëpunimin midis aktorëve të sistemit.

 

Ndërsa ka prezantuar disa nga masat reformuese të ndërmarra së fundi në sistemin e drejtësisë, Ministri Naço vlerësoi se këro masa kanë përçuar frymën e progresit.

 

“Ndarja e pushteteve nuk mund dhe nuk duhet të kuptohet si një ndarje e ngurtë. Të gjithë ne jemi aktorë të sistemit të drejtësisë. Të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë, duhet të ndërveprojmë, në mënyrë që ndryshimet e propozuara apo të miratuara të jenë fryt i një vullneti të përbashkët. Asnjë reformë e ndërmarrë, sado cilësore të jetë ajo, nuk ka vlerë nëse nuk kuptohet, pranohet dhe zbatohet saktësisht nga të gjithë aktorët”, theksoi z. Naço gjatë fjalës së tij.

 

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë aktivitetit me temë “Roli i zbatimit të ligjit, në forcimin e shtetit të së drejtës”.

 

I nderuar z. Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese

I nderuar z. Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë

I nderuar z. Llalla, Prokuror i Përgjithshëm

I nderuar z Çefa, Nënkryetar i KLD-së

I nderuar z. Rambold, i ngarkuari me punë në Delegacionin Evropian

I nderuar z. Raunig, Ambasador i OSBE,

I nderuar z. Grise, përfaqësues i OPDAT

Të nderuar ish- Ministra të Drejtësisë, ish- kryetarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ish- Prokurorë të Përgjithshëm,

Të nderuar pjesëmarrës, miq e të ftuar,

Kam privilegjin dhe ndihem i nderuar të ndaj bashkë me ju këtë ditë historike për drejtësinë shqiptare.

Kur në një vend nuk ka drejtësi, nuk do të ketë as sundim të ligjit.

Dhe kur nuk ka sundim të ligjit, padrejtësia mbretëron.

Dita Kombëtare e Drejtësisë është dita e parë kur qeveria e Ismail Qemalit miratoi ‘Ligjin e Zhurisë’, mbi të cilin do të funksiononin gjykatat shqiptare, qysh nga themelimi i shtetit shqiptar.

Ne sot vlerësojmë, nderojmë dhe reflektojmë para kontributit të gjithë brezave, botës akademike shqiptare, të cilët padyshim i kanë sjellë një frymë dhe dimension të ri konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Ministria e Drejtësisë ka patur rastin të prezantojë një sërë masash reformuese të sistemit të drejtësisë, të cilat padyshim kanë përçuar frymën e progresit, të tilla si:

  1. Krijimi dhe funksionimi i Gjykatave Administrative, të cilën, me bindje të plotë, e kam cilësuar një revolucion të vërtetë në sistemin e drejtësisë, pasi

 

  • shqyrtimi i çështjeve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit ka afate të mirëpërcaktuara kohore;
  • ku për 30 ditë përfundon gjykimi i çështjeve në Gjykatën Administrative të Apelit.

 

  • dhe në respektim të plotë të të drejtave të palëve për një proces të rregullt ligjor, gjykimi në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë përfundon brenda 90 ditëve.

 

Ndërkohë, në kolegjin civil dhe penal të Gjykatës së Lartë presin rreth 10.000 çështje për t’u gjykuar, problematikë kjo e cila është në fokusin tonë për ndryshime legjislative, si pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi.

 

  1. Sistemi Audio

Në kuadër të rritjes së transparencës dhe parandalimit të korrupsionit është bërë i mundur instalimi i sistemit të regjistrimit audio të seancave gjyqësore, ku në rreth 30 gjykata të shkallëve të para dhe të apelit ka përfunduar instalimi dhe po funksionon:

–  në 24 gjykata dhe rreth 110 salla gjykimi,

– janë trajnuar rreth 295 gjyqtarë dhe i gjithë stafi administrativ i këtyre gjykatave.

Sistemi i regjistrimit të çështjeve me mjete audio e më pas me video, është sistemi më modern i regjistrimit, duke i bërë seancat gjyqësore:

  • më transparente,
  • më të besueshme për publikun dhe qytetarët.

sipas të gjitha standardeve më të mira ndërkombëtare,

Sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore (ICMIS) realizohet në rreth 28 gjykata, ku :

  • Ndarja e çështjeve me short bëhet në rrugë elektronike dhe ndikon drejtpërdrejtë në besimin e publikut,
  • në rritjen e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në veprimtarinë e gjykatave shqiptare,
  • në efektivitetin e veprimtarisë së administratës gjyqësore në kohë e cilësi, si dhe përmirëson procedurat e mbikqyrjes së veprimtarisë në këto gjykata.

Ministria e Drejtësisë vlerëson rolin që ka luajtur projekti  JUST i USAID-it, vlerëson asistencën e dhënë nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore, OSBE-ja dhe partnerët e tjerë, që me mbështetjen e dhënë kanë kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe atij gjyqësor në veçanti, prandaj gjej rastin sot t’i falenderoj.

  1. Shërbimi i provës,

Ne vazhdojmë ta konsiderojmë histori suksesi shërbimin e provës për konsolidimin dhe shtrirjen e tij, si një mundësi reale për dënimet alternative në të gjithë territorin, me synimin e:

– mbrojtjes së interesave publike,

– parandalimin e kryerjes së veprave penale,

– rehabilitimin e  personave me rrezikshmëri të ulët shoqërore, duke parandaluar fenomenin e recidivizmit (përsëritësit).

Investimi i bërë përmes projektit të binjakëzimit të Shërbimit të Provës në Shqipëri dhe Shërbimit të Provës në Britaninë e Madhe, si dhe konsolidimit të bashkëpunimit të shërbimit të provës me shërbimin e ndërmjetësimit dhe drejtësinë restauruese, me kontributin e Bashkimit Europian dhe UNICEF, ka qenë risi dhe tregues i qartë në interesin e madh për forcimin e këtij institucioni relativisht të ri dhe me shumë rëndësi për sistemin e drejtësisë në Shqipëri .

Për realizimin e këtij prioriteti kemi shtuar për vitin 2014, nëpërmjet buxhetit të shtetit, rreth 30 punonjës të tjerë në këtë shërbim.

4. Mbikëqyrja  Elektronike

Nje tjetër arritje suksesi, e cila ka nevojë për konsolidimin e tij të mëtejshëm, pas zbatimit të projektit pilot në Tiranë, është Mbikëqyrja Elektronike dhe shtrirja e tij, me fondet e buxhetit të shtetit, pranë çdo zyre të shërbimit të provës.

5. Dixhitalizimi i noterisë

 

Regjistri Dixhital Noterial, nëpërmjet sistemit “One Stop Shop’, rrit transparencën e shërbimit noterial dhe i ofron qytetarit një shërbim më eficient në transaksionet me pasuritë e paluajtshme, duke shmangur fenomenet korruptive në këtë sistem, e konsideruar edhe kjo nje histori suksesi.

 

6. Për t’i dhënë një dimension të ri, më të plotë, luftës kundër korrupsionit u miratua paketa antikorrupsion, ku në Kodin e Procedurës Penale”, në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, u shtuan edhe veprat penale të korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, të gjyqtarëve, prokurorëve etj.; ku korrupsioni konsiderohet si krim i rëndë, jo në kuptim të rritjes së masës së dënimit, por në faktin që këto vepra penale do të luftohen me të njëjtat mjete, siç luftohen organizatat dhe bandat kriminale.

Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vendin tonë, është një histori suksesi për sistemin e drejtësisë që nga viti 2004.

Gjithashtu me ndryshimet e bëra në K.Pr. Penale u harmonizua legjislacioni procedural, në përputhje me ndryshimet kushtetuese, të bëra në vitin 2012, për kufizimin dhe heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe gjyqtarët e të gjitha niveleve, pasi kjo reformë në atë kohë, nuk u shoqërua me ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale.

Gjatë një konference në Washington me Ekspertë për Ballkanin mbi korrupsionin, organizuar nga Fondacioni Heritage, që drejtohej nga ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Edvin Meese, është deklaruar se:

“Lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t’i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”.

Kjo deklaratë ka shërbyer si pikënisje për ndryshimet e propozuara nga ana jonë në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit. Në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (ligji antimafia) në fushën e zbatimit të tij u shtuan 6 vepra penale të korrupsionit, për zyrtarët e lartë që nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Deputetë, Ministra, gjyqtarë e prokurorë të çdo niveli, të zgjedhurit vendorë etj.

Synimi i këtij ligji është rritja e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum  korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Një vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe sistemit penitenciar. Është miratuar paketa ligjore në lidhje me trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, si dhe të policisë së burgjeve.

Ndryshimet e bëra kanë sjellë risi në:

  •  trajtimin më të kujdesshëm të të miturve,
  • trajtimin e të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor dhe me aftësi të kufizuara,
  • rehabilitimin social dhe riintegrimin,
  • kërkesat dhe ankesat, masat disiplinore, rregullat e transferimit,
  • lejet shpërblyese dhe të veçanta, etj.

 

7. Kodi i Ri i Procedurës Administrative

Ka kaluar për miratim në qeveri dhe është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me misionin SIGMA dhe me asistencën teknike të Bashkimit Evropian, të cilët sot dua t’i falënderoj.

Ky Kod synon, ndër të tjera:

  • Forcimin e parimit të sigurisë ligjore,
  • përmirësimin e transparencës së vendimmarrjes në procedurat administrative,
  • siguron procedura administrative të shpejta dhe efektive për administratën publike,
  • siguron për qytetarët mjetet e duhura e të nevojshme për të kërkuar të drejtat e tyre, në njehsimin me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me partnerë të tjerë ndërkombëtarë si OPDAT, OSBE, PAMEKA, Misioni EURALIUS, ka përgatitur një draft pune për ndryshime thelbësore në K. Pr. Penale, të cilat i janë shpërndarë për mendim gjithë aktorëve të drejtësisë, ku:

  1. Do të përmirësojë ndjeshëm sistemin ekzistues;
  2. Do të përcaktohen qartë rolet e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë,
  3. Do të përcaktohen brenda një kohe të arsyeshme afatet e hetimit paraprak, në respektim të parimit të hetimit brenda një kohe të arsyeshme;
  4. Do të shtohet një kapitull i veçantë për të dyshuarit e mitur,
  5. Risi kryesore do të jetë hartimi i një kapitulli të veçantë, sic është marrëveshja midis prokurorit dhe të pandehurit, për të zgjidhur çështjen me marrëveshje në çdo fazë të procedimit penal.

Të nderuar pjesëmarrës,

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sistemi i drejtësisë mbart në vetvete probleme serioze, të  adresuara dhe në progres raportin e vitit 2013, ku ndër të tjera theksohet, se:

“Institucionet shtetërore që trajtojnë luftën kundër korrupsionit mbeten të brishta ndaj presionit dhe ndikimit politik, ndërsa lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar.”

Po kështu: Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij të fundit për të drejtat e njeriut, ka evidentuar se:

•           Qeveria nuk e zbatoi ligjin dhe shpesh zyrtarët përfshihen në praktikat korruptive pa u ndëshkuar;

•           Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë;

•           përdorimi i sloganeve nga ana e qeverisë, që nxisnin tolerancën zero për korrupsionin, shpesh kufizonte raportimin dhe nxiste manipulimin e të dhënave, që tregonte se korrupsioni nuk ekzistonte.

Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime të përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Në këtë drejtim, nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar, por as edhe ato të publikut të gjerë, të cilët presin më shumë drejtësi dhe efiçencë nga të gjithë aktorët e drejtësisë. Është shumë e rëndësishme që kjo situatë:

– së pari  të pranohet si një realitet që duhet ndryshuar,

– dhe së dyti të reflektojmë një vizion të ri, vullnet dhe përpjekje të përbashkëta, në ndryshimin e këtij realiteti.

Për të ndryshuar këtë realitet, kemi kërkuar:

  • Reformimin i Gjykatës së Lartë

e cila po përballet me një numër çështjesh të mbartura rreth 10.000 çështje penale dhe civile, të cilat janë mbartur ndër vite dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkesë është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat proceduriale ekzistuese.

  • Reformimin e Gjykatës Kushtetuese

Reforma në Gjykatën Kushtetuese vlerësohet si prioritare me adresimin në çështjet që lidhen me emërimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve, procedurat e përzgjedhjes së tyre, organizimin e kësaj gjykate, vendosjen e afateve të arsyeshme për shpalljen e vendimeve etj.

  • Reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë është prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të problematikave, qe lidhen me: përbërjen, statusin, rolin e anëtarëve të KLD-së, emërimin, transferimin, procesin e vlerësimit të gjyqtarëve.

Por, njëkohësisht, shmangien e mbivendosjes së dy inspektorateve, të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së, si dhe harmonizimin e tyre, pse jo, edhe me kontrolle të përbashkëta. Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve, bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë, vetëm në sajë të meritës profesionale.

–     Reformimin e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm

Vëmendje do t’i kushtohet edhe reformimit të këtij Institucioni, ku ndër të tjera, prioritare do të jetë forcimi i kompetencave dhe transparencës së Këshillit të Prokurorisë, i cili aktualisht sot ka vetëm funksione këshillimore. Kjo në funksion të një ridimensionimi të kompetencave të tij, që ai të mos mbetet një organ vetëm konsultativ, por dhe vendimarrës, siç funksionon dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Për të gjithë këtë reformë të rëndësishme në sistemin gjyqësor kemi intensifikuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm, si OPDAT, OSBE, PAMEKA, Misionin EURALIUS, Bankën Botërore, si dhe në emër të Qeverisë Shqiptare, si Ministër i Drejtësisë, kam ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias për dhënien e ekspertizës së kualifikuar në këtë drejtim.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam i bindur se me reformat e ndërmarra do të ndryshojë ndjeshëm klima e mosbesimit të krijuar ndaj sistemit të drejtësisë. Për këtë është e rëndësishme që ne të inkurajojmë çdo punë të mirë që bëhet në sistemin e drejtësisë dhe të evidentojmë dhe promovojmë gjyqtarët dhe prokurorët profesionist dhe të ndershëm, me integritet e të pakorruptueshëm, të distancuar nga pjesa e gangrenizuar e sistemit.

Nga viti 1998, nga shkolla e magjistraturës janë futur në sistemin e drejtësisë rreth 150 gjyqtarë dhe po kaq prokurorë, të cilët janë harmonizuar me brezat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndër vite, duke përmirësuar ndjeshëm sistemin e drejtësisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në një nga vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian disa qytetarë, të ardhur nga një prej vendeve të Europës Juglindore, i kërkonin avokatit të tyre që përveç tarifës së shërbimit të paguanin edhe ‘tarifa’ të tjera shtesë për të fituar procesin e tyre gjyqësor. Avokati i tyre nuk e pranoi këtë kërkesë, duke shpjeguar se në këtë vend gjyqtari në asnjë rast nuk mund të blihej. Duke menduar për një zgjidhje tjetër, ata e pyetën avokatin se a mund të përdornin ndonjë politikan për të ndikuar në vendimarrje. Avokati qetësisht dhe i sigurt u përgjigjet:

“Asnjë politikan i këtij vendi, qoftë edhe Presidenti i Republikës, nuk guxon dhe nuk mund të ndikojë në vendimarrjen e gjyqtarit”.

Edhe pse nuk paguan dhe nuk përdorën ndërhyrjen e politikës në procesin e tyre gjyqësor, duke mos e besuar, ata e fituan gjyqin, pasi në vendin e tyre ndodhte ndryshe.

Të nderuar pjesëmarrës,

Unë kam bindjen, dhe besoj se ndaj të njëjtin mendim me ju, që edhe ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të cilët nuk korruptohen as politikisht dhe as ekonomikisht dhe që gjej rastin t’i inkurajoj publikisht. Për identifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional kemi lançuar sistemin e vetvlerësimit të gjyqtarëve, bazuar në kritere objektive dhe metodë të standardizuar, ku gjyqtarëve do t`u mundësohet promovimi dhe avancimi në karrierë vetëm në sajë të meritës së tyre profesionale.

Ka ardhur koha të promovojmë avokatin, gjyqtarin, prokurorin e vitit, ashtu si në çdo fushë tjetër. Jemi të vendosur për të luftuar çdo fenomen negativ që implikon sistemin e drejtësisë, duke rritur bashkëpunimin midis aktorëve të sistemit të drejtësisë, si dhe padyshim me përkrahjen e vazhdueshme të faktorit politik vendas e të huaj. Ndarja e pushteteve nuk mund dhe nuk duhet të kuptohet si një ndarje e ngurtë.

Të gjithë ne jemi aktorë të sistemit të drejtësisë. Të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë, duhet të ndërveprojmë, në mënyrë që ndryshimet e propozuara apo miratuara të jenë fryt i një vullneti të përbashkët. Asnjë reformë e ndërmarrë, sado cilësore të jetë ajo, nuk ka vlerë nëse nuk kuptohet, pranohet dhe zbatohet saktësisht nga të gjithë aktorët.

Të nderuar të ftuar e pjesëmarrës,

Kjo është ajo çfarë të gjithë qytetarët presin: një drejtësi të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, një drejtësi të barabartë në shërbim të tyre dhe jo një drejtësi të blerë nga pushteti i më të fortit politikisht apo dhe financiarisht. Do të doja të siguroja partnerët tanë ndërkombëtarë, si dhe aktorët e drejtësisë, se si Ministri i Drejtësisë do të jem në krah të çdo reforme që ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj  sistemit të drejtësisë, konsolidimit të shtetit të së drejtës, duke promovuar edhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Reformat në drejtësi duhet të flasin të njëjtën gjuhë, atë të Brukselit, pasi integrimi aktual i Shqipërisë kalon vetëm përmes së drejtës, ligjeve dhe përafrimit të tyre me të drejtën evropiane. Marrja e statusit të vendit kandidat do të kërkonte, padyshim, vullnetin e përbashkët politik të maxhorancës dhe të opozitës, për të kryer reformat në sistemin e drejtësisë, duke  respektuar në çdo rast Kushtetutën, Konventat Ndërkombëtare, Standardet më të mira Evropiane. Shqipëria është e të gjithëve dhe integrimi i saj është emëruesi i përbashkët, që duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese.

Miq të së drejtës dhe të ftuar në këtë ditë kombëtare të drejtësisë, mirëpres kontributin dhe bashkëpunimin Tuaj.

Ju faleminderit!