Roli i ndërmjetësimit, Ministri Manjani: Është një aktivitet me prespektivë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/03/2016

Roli i ndërmjetësimit, Ministri Manjani: Është një aktivitet me prespektivë

 

Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve ka nisur ditën e sotme trajnimin fillestar (25 Mars – 25 Qershor) për të gjithë të interesuarit që synojnë të licensohen si ndërmjetës të ardhshëm, të cilët janë mirëpritur në ambjentet e Universitetit Mesdhetar.

Gjatë ceremonisë së hapjes të këtij trajnimi, i pranishëm ishte edhe Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani i cili theksoi se pavarësisht faktit se aktiviteti i ndërmjetësimit është relativisht një aktivitet i ri, në planet e tij si Ministër ky është një aktivitet me rëndësi që duhet të promovohet dhe forcuar edhe me shumë për shkak të perspektivës së afërt që ka.

“Unë besoj shumë tek instrumenti i ndërmjetësimit. Ndërmjetësimi ka profesionistë që kuptojnë, psikologjisin dhe arrijnë të gjenjë gjuhën e komunimikit ndërmjet palëve në konflikt. Konflikti gjithnjë në Shqipëri është i vogël dhe bëhët rrugës i madh dhe ne duhet të tentojmë të përdorim instrumenta që vijnë vetë nga shoqëria, sikurse individët që kanë besueshmërinë e nevojshme për të zgjidhur konfliktin e vogël, në çastin që ndodh dhe për të mos e lenë që të bëhet i madh. Ne jemi një shoqëri që e drejta zakonore ka triumfuar prej shumë shekujsh. Kjo është një vlerë sepse është një e drejtë që ka funksionuar në kushtet kur shoqëria shqiptare nuk ka pasur shtet. Me këtë nuk dua të them se duhet të kthehemi pas, por të përdorim më të mirën e asaj tradite në kushtet e shoqërisë moderne”, u shpreh Ministri Manjani

Ministri Manjani vlerësoi se do të ishte me interes që mundësisht në çdo bashki të ketë qendra ndërmjetësimi.

“Investimi që ne duhet të bëjmë të gjithë së bashkë, sigurisht përmes dhomës dhe me të gjitha hapësirat ndihmëse, është të synojmë që ta kemi këtë shërbim në çdo bashki, sepse konflikti ndodh në terren, atje ku shteti nuk e ka mendjen. Gjykata është e mbingarkuar me çështje të cilat fare mirë mund të zgjidhen me ndërmjetësim. Nuk ka ligj apo edhe vendim më të mirë se sa ai që e zgjidh ndërmjetësi më pëlqimin e dy palëve në konflikt. Nuk e zgjidh dot gjykatësi i emëruar i shtetit më mirë konfliktin sesa ndërmjetësi. Sepse gjykatësin ta cakton shteti, ndërsa ndërmjetësin e zgjedhin palët. Ky është një dallim esencial dhe ne duhet të synojmë të ndërtojmë një shoqëri të paqme, duke synuar që të kemi sa më shumë ndërmjetësim në marrëdhëniet konfliktuale. Kjo është shoqëria e paqme. Vendimi i gjykatës caktohet me detyrim dhe zbatohet me detyrim kështu që gjithmonë njëra palë është e pakënaqur, duke goditur gjykatën, e cila nuk besohet më dhe përfundimisht krijohet klima e pabesueshmërisë. Ndërsa tek ndërmjetësi nuk është kjo situatë sepse janë palët që zgjedhin personin që kanë besim dhe vendimi që jep ai është i besueshëm”, u shpreh z. Manjani

Në këtë kuadër z. Manjani theksoi rëndësinë e lirimit të gjykatave nga disa konflikte dhe nxitjen e këtij aktiviteti sa më shumë të jetë e mundur.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë i përgëzoi të pranishmit për zgjedhjen e bërë dhe ka garantuar mbështetjen e tij në nismën që ata kanë ndërmarrë.