Risitë e Projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/04/2014

Risitë e Projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve”

Me qëllim përmirësimin e performancës së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit, Ministria e Drejtësisë ka ndërrmarrë hartimin e projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë vetëm në sajë të meritës profesionale dhe shërben si burim legjitimiteti të funksionit gjyqësor dhe garanci për pavarësinë e tij.

Ky projektligj synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të gjyqtarit në procesin e vlerësimit të tij duke e bërë partner në këtë mekanizëm.

Reformimi i sistemit gjyqësor është një nga prioritet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të parimeve bazë të shtetit të së drejtës.

Sistemi aktual i vlerësimit bazohet në vendimin nr. 261/2, datë 14.04.2010, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili parashikon se vlerësimi përgatitet në formë përshkruese dhe statistikore nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe bëhet nga vetë Këshilli.

Ky sistem vlerësimi nuk është ende plotësisht operacional dhe për vitin 2013, ka rezultuar se KLD i referohet për vlerësim performancës së gjyqtarëve në vitet 2005-2006.

 

Risitë e Projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”:

  • Rregullimi i sistemit të vlerësimit me ligj jep garanci për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur për zbatimin e tij.

 

  • Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit dhe siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent.

 

  • Vlerësimi bëhet nga Komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.  Komisioni i vlerësimit përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Ky konfigurim korrespondon me anëtarët e KLD-së, por janë përjashtuar Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë, pasi janë autoritete politike.

 

  • Procesi i vlerësimit zhvillohet në dy nivele, në gjykatë dhe në komision.

 

  • Gjyqtari bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij, duke plotësuar formularin dhe tabelat statistikore, dhe i dorëzon pranë kryetarit të gjykatës në të cilën ushtron veprimtarinë, brenda datës 31 janar të çdo viti.

 

  • Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, bën vlerësimin e gjyqtarit në formën e një akti të shkruar, duke u bazuar edhe në formularin e vetëvlerësimit të gjyqtarit, përshkruan veprimtarinë e gjyqtarit, duke bërë një vlerësim të respektimit të disiplinës në punë, të solemnitetit në gjykim dhe të etikës.

 

  • Vlerësimi i kryetarit të gjykatës, i njoftohet gjyqtarit dhe ky i fundit ka të drejtën për t`u dëgjuar dhe paraqitur komentet e tij në lidhje me vlerësimin.

 

  • Materialet e vlerësimit i dërgohen Komisionit. Në ndryshim nga sistemi i vjetër, ky projektligj ia heq kryeinspektorit detyrën për të përgatitur projektaktin e vlerësimit që në shumicën e rasteve linte vend për subjektivitet. Inspektorati i KLD-së shërben në këtë rast si mbështetje teknike për përgatitjen e dokumentacionit pranë Komisionit. Komisioni brenda 90 ditëve nga përfundimi i raportit paraprak të verifikimit prej Inspektoratit, shqyrton dosjen e vlerësimit të gjyqtarit apo kryetarit të gjykatës dhe projektaktin e vlerësimit, duke vendosur përfundimisht për vlerësimin e tyre.

 

  • Projektligji parashikon të drejtën e gjyqtarit për t`u dëgjuar nga Komisioni, ku diskutohen elementë të ndryshëm të vlerësimit të punës së tij. Ai ka të drejtë të parashtrojë kundërshtimet e tij dhe t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.

 

  • Ndaj vlerësimit përfundimtar të Komisionit, gjyqtari ka të drejtë të ankohet, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë. Për gjyqtarët e gjykatës administrative të Apelit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit, të një rrethi tjetër më të afërt. Ky parashikim shërben si garanci për mbrojten e të drejtave të gjyqtarit që procesi të zhvillohet në mënyrë sa më transparente dhe sa më objektiv.

 

  • Procedura e vlerësimit të përshpejtuar, përdoret në rastet kur kërkohet transferimi i gjyqtarit apo në rastet e ngritjes në detyrë. Eleminim të mungesës së vlerësimeve për një gjyqtar që konkuron të ngrihet në detyrë. Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë, që konkuron për gjyqtar në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatat për Krimet e Rënda, i nënshtrohet një vlerësimi me procedurë të përshpejtuar sipas kreut III të ligjit.

 

Ministria e Drejtësisë fton këdo që të përcjellë komente mbi projektin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit, me qëllim dhënien e kontributit për përmirësimin e projektit.