Risitë e projektligjit: “Dhënia e lejeve shpërblyese me planifikim vjetor” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/04/2014

Risitë e projektligjit: “Dhënia e lejeve shpërblyese me planifikim vjetor”

Projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të para burgosurve”, sjell disa risi të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në:

(i) Ndërmarrjen për herë të parë të iniciativave private dhe financiare, të njohura ndryshe si institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale, e cila erdhi për disa arsye si:

  • krijimi i një partneriteti publik me kapitalin privat ;
  • menaxhimi me efikasitet dhe eficencë i sistemit penitenciar ;
  • standardizimi i kësaj nisme sipas përvojave më të mira evropiane.

Në këtë ndërmarrje të re, shteti është në cilësinë e rregullatorit të këtij shërbimi që do të ofrohet nga ente private.

(ii) Përmirësimin e trajtimit të personave që kryejnë dënimin, por edhe në parandalimin e recidivizmit, përmes ri-integrimit të shpejtë të këtyre personave në shoqëri.

(iii) Përcaktimin e kritereve të veçanta për trajtimin e të miturve, grupmoshat 18-21 vjec, si dhe gratë, që kanë të bëjnë me parandalimin e çdo akti dhune që sjell dëmtim fizik, seksual apo psikologjik.

(iv) U njihet e drejta e punësimit të paraburgosurve dhe të dënuarve, duke ju ofruar mundësi punësimi në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me të drejta të barabarta si çdo qytetar tjetër.

(v) Krijimin e lehtësirave të veçanta për të miturit gjatë kryerjes së dënimit, të cilat përfshijnë programe arsimore, profesionale dhe riintegruese.

(vi) Respektimin e të drejtave të paraburgosurve ose të dënuarve të huaj dhe pa shtetësi të cilat kanë të bëjnë me shmangien e diskriminimit, zgjidhjen e problemeve specifike, me të cilat përballen këta persona në institucionet përkatëse.

(vii) Për herë të parë krijohen seksione të veçanta për trajtimin e personave që gëzojnë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

(viii) Garantimi i standardeve që lidhen me ofrimin e shërbimit mjekësor nga seksionet mjekësore të posaçme, përfshirjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në statusin e personave joaktivë, të cilët mund të përfitojnë nga të drejtat që rrjedhin nga skema e shërbimit të detyrueshëm.

  • Në këtë kuadër, të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor t’u garantohet trajtim i barabartë dhe pa diskriminim, duke respektuar integritetin fizik dhe dinjitetin njerëzor.

(ix) Në këtë projektligj është parashikuar një kapitull i veçantë në lidhje me trajtimin e të paraburgosurve, fokusuar kjo në :

  • respektimin e të drejtave të tyre;
  • normimin e procedurave të dhënies së lejeve të veçanta;
  • përcaktimin e nocioneve të qarta se riintegrimi i tyre fillon që në momentin e pranimit në institucionet e paraburgimit;

(x) Përcaktimin e procedurave të sakta e transparente në lidhje me dhënien e lejeve të veçanta dhe shpërblyese, nëpërmjet të cilave është bërë e mundur:

  • planifikimin vjetor të dhënies së lejeve shpërblyese;
  • krijimin e një bordi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për monitorimin dhe mbikëqyrjejen e dhënies së lejeve të veçanta dhe shpërblyese.

(xi) Trajtimi i të miturve të dënuar, të mbështetet në parimin e interesit më të lartë të fëmijës, detyrim ky që rrjedh nga Komiteti i Gjenevës.

Duke u bazuar në ligjin nr. 44/2012 “Për shëndetin mendor” si dhe në Raportin Progresin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, një fokus i veçantë në parashikimet e projektligjit i është kushtuar të drejtave dhe trajtimit të të miturve të dënuar, të kategorisë së personave me çrregullime të shëndetit mendor dhe të kategorisë së personave me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu është parashikuar që:

  • Masat legjislative të ndërmarra padyshim do të shoqërohen me hartimin dhe ndryshimet e akteve nënligjore në zbatim të tyre.
  • Nxitja e punës te personat që vuajnë dënimin, të shihet si një koncept jo ndëshkues, por motivues.
  • Ndërkohë, përmirësimi i rregullave të shpërblimit të punës së kryer prej tyre, do të jetë ndër angazhimet tona, mes iniciativave nënligjore, për 6-mujorin e parë të vitit 2014.

Krahas reformave të deritanishme lind si domosdoshmëri dhe ndërmarrja e iniciativave ligjore për këtë qëllim, të cilat do të kenë një impakt pozitiv në drejtim të:

  • Uljes së kostos dhe rritjes së cilësisë së shërbimit;
  • Zbatimin me efektivitet të marrëveshjeve bilaterale me vende të ndryshme për transferimin e personave shqiptarë të dënuar në shtete të tjera;
  • Përmirësimin në rritje të kushteve të trajtimit dhe edukimit të të burgosurve.