Ministria e Drejtësisë vijon t’i kushtojë vëmendje të veçantë brezit të ri të magjistratëve, duke monitoruar here pas here procesin e studimeve për t’i inkurajuar dhe siguruar në rrugëtimin e tyre profesional.
Në kuadër të bashkëpunimit me universitetet, zëvendës ministrja Fjoralba Caka mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit “Përgjegjësia familjare dhe Ndihma juridike” të ndërmarrë nga Fakulteti i Drejtësisë në UT.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Caka vlerësoi punën e studentëve duke theksuar rëndësinë që paraqet trajnimi i tyre në lidhje me ofrimin e ndihmës juridike parësore për kategoritë e veçanta.
Mes të tjerash, ajo përgëzoi studentët dhe stafin akademik për kujdesin e treguar mbi hartimin e fletëpalosjes informuese për ndihmën juridike të garantuar nga shteti e cila do të ofrohet falas.
Në emër të Ministrisë së Drejtësisë, Caka siguroi studentët e rinj, se sistemi ku do të hyjnë po reformohet dita ditës dhe se në themel ka parimet e shtetit të së drejtës.
“Kënaqësi për Ministrinë e Drejtësisë pjesëmarrja në eventin mbyllës të projektit “Përgjegjësia familjare dhe ndihma juridike”, organizuar me përkushtimin e madh të Departamentit Civil të Fakultetit të Drejtësisë.
Në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve tona shkëmbyem në ceremoninë përmbyllëse gjendjen respektove të realizimit të përgjegjësisë që ndajmë për rritjen e efikasitetit të Klinikës Ligjore, njëherësh edhe si një nga pikat kyçe të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që nënshkruam në prill të këtij viti.
Teksa Ministria e Drejtësisë po përmbyll punën për ngritjen e Drejtorisë për Ndihmën Juridike falas me miratimin e VKM-ve të fundit të nevojshme për procesin në bazë të Ligjit Nr. 111/2017, përgëzime Fakultetit të Drejtësisë që tregon edhe me këtë hap se përgatitja profesionale e stafit akademik drejt veprimtarisë kërkimore – shkencore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm profesional dhe rritjes së karrierës akademike të tyre, si edhe aftësimi i studentëve për kërkim të pavarur në këtë fushë të ligjit mbetet prioritet.
Meqenëse vetë ligji “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” (i ndryshuar) i njeh Klinikat e Ligjit të ngritura pranë institucioneve të Arsimit të Lartë si pjesë e subjekteve që mund të ofrojnë ndihmë juridike parësore për kategoritë e veçanta të subjekteve që mbulohen nga ky ligj, kjo nismë e trajnimit të studentëve mbi ofrimin efikas të ndihmës juridike për qytetarët në nevojë fiton rëndësi të madhe dhe shtron më tej rrugën për juristë profesionistë të së sotmes dhe së nesërmes që shërbejnë për rritjen e aksesit sa më të gjerë të sistemit të drejtësisë për çdo individ subjekt të ligjit, pavarësisht nga gjendja e tij pasurore.
Përgëzime studentëve dhe stafit akademik që në kurorëzim të projektit u përkujdesën për hartimin e Fletëpalosjes Informuese mbi Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti, e cila do të ofrohet falas për të gjithë studentët e FDUT, si edhe për të gjitha kategoritë vulnerable”, nënvizon Caka.
Në përfundim të aktivitetit, Fjoralba Caka mori pjesë në shpërndarjen e certifikatave për studentët pjesëmarrës në këtë projekt duke kërkuar prej tyre bashkëpunim të pandërprerë me Ministrinë e Drejtësisë, e cila sipas të dhënave këtë vit ka punësuar 44 studentë të ekselencës dhe një pjesë tjetër i ka angazhuar me programe praktike.
Më herët, edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka adresuar mesazhe të vazhdueshme ndaj të rinjve duke i ftuar të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara ku nëpërmjet meritës të bëhen gjyqtarë e prokurorë të denjë për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë e munguar prej dekadash.
Në një kohë, kur reformimi i drejtësisë ka avancuar ndjeshëm dhe vettingu vijon të dëbojë nga sistemi prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, brezi i ri i magjistratëve shihet si alternativa që do të ofrojë profesionalitet dinjitoz larg ndikimeve politike apo trysnisë së pandëshkueshmërisë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.