Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur në një takim një grup të përbërë nga 15 gazetarë të vendeve te ndryshme të BE-se, si Austria, Republika Çeke, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Spanja, Rumania etj, të cilët e kanë vizituar Shqipërinë në kuadër të një vizite studimore me fokus reformën në drejtësi, zbatimin e ligjit dhe politikat antikorrupsion.
Ministri i Drejtësisë gjatë këtij takimi bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së reformës në drejtësi duke u ndaluar te krijimi i Komisonit të Posaçëm Parlamentar, si dhe tek komponentet e kësaj reforme, ndryshimet kushtetuese dhe paketën e ndryshimeve ligjore.
Z. Manjani theksoi se miratimi i reformës ka nevojë për një shumicë të cilësuar të anëtarëve të parlamentit.
“Është bërë një punë e madhe dhe është shpenzuar shumë kohë dhe energji për këtë reformë. Gjithashtu, ka pasur konsultime me ndërkombëtarët, Misionin Euralius dhe OPDAT, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për ndryshimet kushtetuese dhe përgatitjen e pakës ligjore. Këto kanë qenë proceset teknike, ndërsa përsa i përket procesit politik, tashmë është koha për marrjen e vendimeve politike. Kemi dëgjuar shumë pretendime dhe argumenta, por tashmë presim që më date 21 korrik të bëhet miratimi i reformës në drejtësi. Si Ministër i Drejtësisë dëshiroj që kjo reformë të miratohet pasi puna ime fillon një ditë më pas. Ka një kalendar dhe një Plan Veprimi që ne duhet t`a implementojmë por deri më tani detyra jonë primare është miratimi në datën 21 korrik”, u shpreh z. Manjani
Më tej z. Manjani tha se debatet politike vazhdojnë prej muajsh lidhur me reformën në drejtësi, ndërsa vlerësoi si mjaft optimale që në miratimin e kësaj reforme të përfshihet dhe opozita pasi konsensusi politik do të ishte zgjidhja më e mirë.
“Kjo reformë përfshin sistemin gjyqësor dhe për këtë arsye padyshim nevojitet konsesusi. Ne kemi pasur dhe reforma të tjera në të shkuarën, si reforma e vitit 1992 dhe reforma e dytë ka ndodhur në vitin 1998. Në të dyja këto reforma nuk u përfshi opozita dhe mbase kjo është arsyeja që kemi një reformë të tretë. Ajo çfarë ka shkuar keq në Shqipëri është se njerëzit kanë mosbesim në sistemin gjyqësor. Ky kredibilitet i ulët vjen nga jeta politike dhe për këtë arsye nevojitet konsesusi. Nëse të dyja palët bien dakort, publiku ditën e nesërme do të ketë një perceptim tjetër. Ne padyshim kemi nevojë për reformën në drejtësi. Kjo reformë iu nevojitet të gjithëve”, tha z. Manjani.
Z. Manjani tha gjithashtu se vendi ynë ka nevojë për gjyqtarë të rinj të cilët kanë studiar në perëndim.
“Ka qenë pjesë e planit tim, pavarësisht faktit nëse drafti do të miratohet, kam propozuar ndryshime për ligjin lidhur me hapjen e kuotave për pranimin e gjykatësve në Shkollën e Magjistraturës. Nëse kemi 360 gjykatës, ne duhet të kemi dhe 360 gjykatës të tjerë që presin në listë në mënyrë që të rritet konkurrenca. Për këtë arsye, kemi nevojë për një formatim te ri të Shkollës së Magjistraturës. Duhet të kemi gjyqtarë të gatshëm, të cilët kontribojnë në sistem dhe kjo është filozofia ime”, vlerësoi Ministri Manjani
Ministri i Drejtësisë iu përgjigj dhe pyetjeve të tjera me interes për gazetarët lidhur me çështjet e migracionit dhe anëtarësimit të Shqipërise në Bashkimië Europian pas Brexit.
Z. Manjani theksoi se Europa është projekt me i madh për ne, për t’u bërë pjesë e saj na nevojitet të përmbushim reforma dhe të plotësojmë kritere.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.