Reforma në drejtësi, EURALIUS mbledh Komitetin e Aktorëve të interesuar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/06/2015

Reforma në drejtësi, EURALIUS mbledh Komitetin e Aktorëve të interesuar

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka qenë sot i pranishëm në mbledhjen e dytë të Komitetit të Aktorëve të Interesuar,  EURALIUS IV “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, z. Naço ka bërë me dije të gjitha nismat e ndërmarra nga institucioni që ai drejton, në kuadër të përmbushjes së të gjitha detyrimeve që lidhen me proceset integruese, veçanërisht lidhur me realizimin e Prioritetit nr.2 të Udhërrëfyesit.

Ndërsa është ndalur në një analizë të shkurtës mbi secilën nga nismat, z. Naço theksoi se në katër prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, ndihma e deritanishme e misionit Euralius ka qenë vlerë e shtuar, që ka ndikuar jo vetëm në cilësinë e produkteve, por mbi të gjitha në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes të gjithë aktorëve.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço

Më lejoni, që në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptaretë shpreh kënaqësinë time për pjesëmarrjen në këtë takim të dytë, të Komitetit të Aktorëve të Interesuar për Projektin  EURALIUS  IV.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Projektit EURALIUS 4, kam shprehur besimin tim se bashkëpunimi ynë në këtë mision do të ishte i frytshëm.

Sot që kanë kaluar disa muaj nga çelja e këtij projekti, kam kënaqësinë dhe përfitoj nga rasti për të falenderuar shefin e Misionit z. Deville, për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka patur me stafin e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe për kontributin që kanë dhënë në disa prej nismave më të rëndësishme të kësaj Ministrie.

Ministria e Drejtësisë, përveç faktit që është institucion lider në kuadër të realizimit të Prioritetit nr.2 të Udhërrëfyesit, ka edhe angazhime të përcaktuara me afate konkrete.

Në përmbushje të këtyre angazhimeve, paralelisht me funksionimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, pranë të cilit Ministria e Drejtësisë ka dhënë mbështetjen e saj dhe do vazhdojë të japë mbështetje të pakushtëzuar, deri në realizimin e qëllimit për të cilin u krijua, Ministria ka ndërmarrë dhe është drejt përmbylljes së disa prej nismave që lidhen me Udhërrëfyesin.

Këto nisma ligjore një pjesë e të cilave janë miratuar, apo janë në proces shqyrtimi dhe diskutimi, nuk ndikojnë në produktin që do të duhet të nxirret në përfundim të mandatit të tij nga Komisoni i Posaçëm.

Më lejoni që të përmend, disa nga nismat e Ministrisë së Drejtësisë, për të cilat fola më sipër.

  1. Së pari, kam këmbëngulur gjithmonë se për të patur një sistem gjyqësor ;
  • të paanshëm,
  • objektiv dhe të ndershëm,
  • profesional dhe të pavarur,

ku mundësinë për karrierrë ta kenë të gjithë gjyqtarët, por ta përmbushin ëndrrën e tyre, vetëm ata gjyqtarë të cilët vërtet e meritojnë.

Në këtë aspekt kam çmuar gjithmonë se gjyqësorit i nevojitet një sistem vlerësimi i plotë, i qartë dhe tërësisht jashtë ndikimit politik dhe koorporatist.

Që prej ditëve të para si Ministër i Drejtësisë, kam evidentuar nevojën për një sistem krejtësisht të ndryshëm të vlerësimit të gjyqtarëve, duke u bazuar në vetëvlerësim, por të konfirmuar nga drejtuesit e gjykatave ku ata ushtrojnë detyrën si dhe KLD.

Ndërkohë që, kam përsëritur në çdo dalje timen publike se sistemi aktual i vlerësimit të gjyqtarëve, ka dështuar.

Për këto arsye u pa e udhës, hartimi i një projektligji për vlerësimin e veprimtarisë së gjyqtarëve.

Ministria e Drejtësisë së bashku me kontributin e Misionit Euralius 4, KLD dhe Inspektoratit të tij, si dhe komunitetit të gjyqtarëve hartuan dhe morën mendimet e grupeve të interest për projektligjin “Për vlerësimin e gjyqtarëve”, projektligj ky i cili tashmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe  i është dërguar Kuvendit.

Jam i sigurtë që sistemi i ri i vlerësimi që tashmë është në fazën e diskutimit përfundimtar dhe miratimit në Kuvend, i shoqëruar me ndërhyje të tjera ligjore, që po përgatiten për reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, KLD-së, institucioneve të tjera të së drejtës, në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, do të bëjnë të mundur që  sistemi ynë i drejtësisë të funksionojë sipas rregullave të duhura me qëllim “Garantimin e Pavarësisë dhe Përgjegjshmërisë në Sistemin Gjyqësor”.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i veprimtarisë së gjyqësorit në tërësi,

  • duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë,
  • nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të veprimtarisë së gjyqtarit.

Ky projektligj ndjek strukturën aktuale institucionale sipas të cilës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi përgjegjës për vlerësimin e gjyqëtarëve.

Sipas progres raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë vlerësimi i gjyqtarëve, përbën një kriter vendimtar, për një proces të bazuar në meritë dhe transparencë, të transferimit dhe ngritjes në detyrë.

Nevoja e rregullimit të sistemit të vlerësimit me ligj përbën garanci dhe parakusht për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur zbatimit të tij.

  1. Së dyti, një nismë tjetër ligjore për të cilën po punojmë dhe shumë shpejt do të propozojmë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend, janë ndryshimet në Kodin e Proçedurës Penale, ndryshime këto të cilat bazohen në propozimet e Komisionit Evropian, në bashkëpunim me projektet e asistencës si PAMECA dhe ACFA.

Këto ndryshime janë vlerësuar prej tyre, si prioritare me qëllim heqjen e pengesave ligjore ndaj kryerjes së hetimeve efiçente dhe proaktive.

Kemi treguar kujdesin maksimal që këto ndryshime t’i konsultojmë me Prokurorinë e Përgjithshme, me aktorë të tjerë dhe posaçërisht me Misionin Euralius 4 dhe misionin Pameca, në mënyrë që ky projektligj, të përmbush sa më shpejt qëllimin për të cilin po propozohet dhe rezultatet e pritshme të vijnë menjeherë.

Këto propozime synojnë ndryshime në lidhje me ;

  1. Afatin kohor për përfundimin e hetimeve,
  2. Dispozitat mbi sekuestrimet,
  3. Përgjimet ,
  4. Si dhe afatet për hetimet paraprake.

Në projektligj gjithashtu janë përfshirë disa ndryshime urgjente, të propozuara nga USAID që lidhen me regjistrimin e seancave me mjete audio dhe video, ndryshime këto të vonuara në fakt dhe që nevojiten për të mundësuar përdorimin e mjeteve teknike për regjistrimin e seancave gjyqësore në procesin penal, duke qenë kështu në të nëjtën linjë me ndryshimet e realizuara në Kodine Procedurës Civile.

Për këtë qëllim disponimet ligjore që zbatohen në gjykimet e ҫështjeve civile mbi përdorimin e mjeteve të regjistrimit audio ose audiovizive, nuk janë transpozuar në Kodin e Procedurës Penale dhe në këtë mënyrë lind nevoja për t’u parashikuar në mënyrë të shprehur detyrimi i gjykatave për përdorimin e këtij sistemi gjatë gjykimit të ҫështjeve penale.

Sot në rreth 28 Gjykata dhe në rreth 115 Salla Gjykimi përdoret sistemi Audio.

Në praktikëGjykatat e Apelit në disa raste kanë prishur vendimet e Gjykatave të Shkallës së Parë, për shkak se procesverbali nuk është mbajtur sipas parashikimit të Kodit aktual.

Ministria e Drejtësisë krahas shkeljeve të tjera ka filluar procedimin disiplinor ndaj një Gjyatqri i cili në 289 seanca gjyqësore kishte aplikuar sistemin e regjistrimit audio vetëm në 8 seanca ose në 3.4 % të kohës efektive.

Realizimi i këtyre ndryshimeve është një kërkesë e parashtruar nga USAID, si parakusht për fillimin e fazës së dytë të projektit të financuar prej tyre,

ndërkohë që sa i takon këtyre dispozitave janë reflektuar sugjerimet e Euralius dhe Pameca.

  1. Së treti, një dokument me shumë rëndësi për vijueshmërinë e punës jo vetëm të Ministrisë së Drejtësisë por dhe më gjerë është dhe Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë, dokument ky i cili është përcjellë për konsultim të brendshëm dhe jemi duke mbledhur sugjerimet dhe komentet e ministrive të linjës.

Në situatën e mungesës së një dokumenti të mirëfilltë politikash në sistemin e drejtësisë

dhe në mbështetje të opinionit e rekomandimeve të Bashkimit Europian për domosdoshmërinë e ekzistencës së një dokumenti të tillë për vitet vijuese, Ministria e Drejtësisë ndërmori nismën për hartimin e një Strategjie të re, e cila në mbështetje të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, do të ketë një jetë shtrirje deri në vitin 2020.

Gjej rastin që të ftoj misionin EURALIUS që të japë kontributin e tij, për përmirësimin e kësaj projekt-strategjie.

Në këtë tryezë të nderuar, ku janë të pranishëm institucionet më të larta shtetërore të sistemit të drejtësisë dhe partnerët tanë ndërkombëtare është vendi për t’u nënvizuar fakti se, miratimi në kohë i kësaj Strategjie është shumë i domosdoshëm, pasi siç është kërkuar nga Ministria e Integrimit Evropian, miratimi i Strategjisë Ndërsektoriale për reformën në Drejtësi, si një sektor prioritar i qeverisë shqiptare dhe që mendohet të jetë pjesë e IPA 2016, është parakusht për përfitimin e këtyre fondeve për sistemin e drejtësisë.

Në pamundësi të miratimit të kësaj Strategjie brenda muajit qershor 2015, mbështetja buxhetore nga ana e Komisionit Evropian, do të jepet vetëm për çështjet e Brendshme (Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Përgjithshme) dhe jo për sistemin e drejtësisë.

Në këto kushte Ministraia e Drejtësisë vlerëson se miratimi i këtij dokumenti

përbën një nevojë jetike për mbështetjen e sistemit të drejtësisë.

Kjo strategji synon të adresojë nga njëra anë çështjet e mbetura pezull nga strategjia e mëparshme dhe nga ana tjetër të kontribuojë në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit për një periudhë afatgjatë.

Sa më sipër, Ministria e Drejtësisë, brenda afateve të përcaktuara dhe nga Ministria e Integrimit Evropian për përfitimin e fondeve IPA, do të përcjellë për shqyrtim dhe miratim brenda një kohë sa më të shpejtë pranë Këshillit të Ministrave, pasi të jetë konsultuar me të gjithë aktorët, këtë Strategji, që përmban masa konkrete për pesë vitet e ardhshme.

Strategjia Ndërsektoriale, duke qënë një dokument ndërsektorial, implikon një tjetër procedurë nga ajo që do të duhet të ndjekë Komisioni i Posaçëm në Kuvend për miratimin e Dokumentit Strategjik,

dokument ky që është në funksion të një reforme të shpejtë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përgatitjen e amendimeve ligjore.

Ndërkohë, Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë përmban masa afatgjata, jo vetëm ligjore, por organizative dhe institucionale, të përfshira me kontributin e një sërë institucioneve si ;

  • Gjykata Kushtetuese,
  • Gjykata e Lartë,
  • Konferenca Gjyqësore Kombëtare,
  • Prokuroria e Përgjithshme,
  • Shkolla e Magjistraturës,
  • Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor,
  • Institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, etj.

Në këtë pikë, theksojmë se në ndryshim nga Dokumenti Strategjik që do të gjenerojë Komisioni i Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, miratimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë është i domosdoshëm pasi përcakton dhe nevojat për përdorimin e burimeve financiare, të nevojshme për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë për një periudhë afatgjatë

Përfitoj nga rasti të sqaroj edhe një herë çdo lloj keqkuptimi të mundshëm, lidhur me mbivendosjen e këtyre dy dokumenteve, të cilat në fakt si Strategjia Ndërsektoriale e propozuar nga Ministria e Drejtësisë ashtu dhe Dokumenti Strategjik që do hartohet nga Komisioni Posacem janë plotësues e bashkëveprues me njëri- tjetrin.

  1. Së katërti, më lejoni t’ju paraqes shkurtimisht edhe nevojën për miratimin e projektligjit “Për administatën gjyqësore”, një tjetër nismë e Ministrisë së Drejtësisë.

Ky projektligj është jo vetëm një nga masat kryesore në Road Map, por është dhe masë kryesore e përfshirë në programin analitik të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2015.

Sot me keaqrdhje mund të them se administrata gjyqësore për shkak të mungesës së një ligji që rregullon veprimtarinë e saj, është në kaos të plotë.

Fatmirësisht, falë angazhimit të specialistëve të Ministrisë së Drejtësisë, puna për këtë projektligj është drejt përfundimit dhe për këtë falënderoj edhe ekspertët e Euraliusit dhe komunitetin e Gjyqtarëve për kontributin e dhënë për të hartuar projektligjin.

Ky projektligj synon të plotësojë vakumin ligjor të krijuar me shfuqizimin nga Gjykata Kushtetuese të ligjit për administratën gjyqësore.

Eshtë për t`u vlerësuar fakti se në hartimin e këtij projektligji, grupi i punës përbëhej nga anëtarë që janë përfaqësues të grupeve të interesuara ku përveç përfaqësuesve të Departamentit të Kodifikimit të Ministrisë dhe EURALIUS-it, janë përfshirë dhe vet gjyqtarët, që kanë dhënë mendime të rëndësishme të cilat kanë kontribuar shumë në procesin e hartimit.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia më lejoni tju bëj me dije se Ministria e Drejtësisë ka përcjellë për shqyrtim projektligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative’, i ndryshuar”.

Që prej nisjes së funksionimit së Gjykatave Administrative dhe deri më tani, janë konstatuar disa problematika, të cilat bëjnë të domosdoshme propozimin e këtij projektligji.

Mund të veçojmë disa nga këto problematika si ;

  • Volumi i lartë i çështjeve gjyqësore;
  • Vendet vakante në 4 prej gjykatave administrative të shkallës së parë;
  • Kërkesa më ekstreme e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila së fundmi kërkoi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë delegimin e gjyqtarëve për gjykimin e 3700 çështjeve gjyqësore.
  • Ekzistenca e gjëndjes së vakancës për 7 vende në gjykatat adminstrative të shkallës së parë, një situatë kjo të cilën KLD, nuk ka treguar dhe eficense te plotë për ta zgjidhur deri më sot.

Të gjitha këto problematika të konstatuara nga ne, të cilat kanë nevojë për zgjidhje, vijnë paralelisht me masat e marra përsipër në kuadër të Udhërrëfyesit, siç është reduktimi i numrit të çështjeve gjyqësore të akumuluara,

  • si përmes ndryshimeve ligjore,
  • ashtu edhe përmirësimeve në infrastrukturë dhe burime.

Në këto kushte, përmes këtij projektligji, është vlerësuar se zgjidhja për uljen e ngarkesës në Gjykatën e Apelit Administrativ të jetë organizimi dhe funksionimi jo më në një Gjykatë Apeli Administrativ, por i së paku tre të tillave për gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ndryshimet sa i takon procedurave të përzgjedhjes së gjyqtarit për gjykatën administrative, duke hequr fazën e testimit dhe kriterin prej 5 vjetësh vjetërsi, parashikuar nga ligji, do të mundësojnë emërimin si gjyqtarë në gjykatat administrative të magjistratëve, të cilët janë formuar profesionalisht nga Shkolla e Magjistraturës.

Ndryshimet e propozuara jo vetëm do të mundësojnë plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve në këto gjykata, por nga ana tjetër, krjimi i dy gjykatave të reja të apelit administrativ, ka për efekt akses më të madh të palëve me gjykatat tashmëmë afër qyetarit do të lehtësojë ngarkesën aktuale të gjykatës së vetme të apelit administrativ.

Ky projektligj do të ndihmojë në realizimin e qëllimit për të cilin u krijuan gjykatat administrative,atë të garantimit të mbrojtjes efektive të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të personave, brenda një afati të arsyeshëm.

Në këto kushte, ndryshimi ligjor mbetet e vetmja mundësi për të përmirësuar situatën.

Dua tu vë në dijeni se pas një procesi trasnparent konkurimi, brenda kësaj jave në dispozicion të Gjykatave Administrative do të jenë dhe 25 Ndihmësa Ligjor.

Sa më sipër parashtrova, në katër prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë për këtë periudhë, ndihma e deritanishme e misionit Euralius ka qenë vlerë e shtuar, që ka ndikuar jo vetëm në cilësinë e produkteve, por mbi të gjitha në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes të gjithë aktorëve.

Ndërkohë, përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje opozitës edhe një herë që të zërë vendin që i takon pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar në mënyrë që bashkarisht të realizojmë reformën në sistemin e drejtësisë, duke treguar konsensus për nismat e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Komisionit të Posaçëm, ku një rast i tillë mirëkuptimi për t’u përmendur ishte dhe konsensusi i opozitës i dhënë për miratimin e Kodit të ri të Procedurave Administrative.

Një lajm i mirë ky për Shqiptarët, një lajm i mirë për partnerët tanë Ndërkombëtar, ku deputetët vunë interesin e përgjithshëm mbi atë partiak dhe personal , duke dhënë konsensusin për miratimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm.

Për këtë arsye, do të doja dhe do të ftoja Misionin Euralius 4, të asistojë dhe të mos shkëputet në asnjë çast nga Ministria e Drjtësisë dhe Komisioni i Posaçëm i Reformës në Sistemin e Drejtësisë.

Kjo reformë ka nevojë për frymën e tyre, për modelet demokratike që na ofrojnë dhe për gjithëpërfshirje.

Prandaj është e nevojshme që prezenca me misione të tilla të jetë e vazhdueshme, që Bashkimi Evropian, jo vetëm ta shohë nga afër realizimin e këtyre reformave, por të jetë pjesë e brendshme e konsultimit të tyre.

Gjej rastin t’i shpesh dhe një herë Ambasadores se BE-së, por dhe Shefit të Misionit EURALIUS 4, se vullneti ynë për bashkëpunim dhe konsultim gjithëpërfshirës, nuk do të ndryshojë dhe EURALIUS, do të ketë rol kryesor dhe pjesëmarrës aktiv në gjithë procesin reformues legjislativ.

Fjalën time dua ta mbyll me kërkesën drejtuar misionit Euralius 4, për të vijuar me dhënien e asistencës pranë Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, duke mos lënë mënjanë këtu dhe marrjen e kontributeve apo kërkimin e mbështetjes së vyer nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë si:

  • Komisioni Evropian,
  • OSBE,
  • Komisioni i Venecias,
  • OPDAT,
  • USAID,
  • PAMEKA,
  • ICITAP,

si dhe gjithë projektet e tjera, që mbështesin reformën në sistemin e drejtësisë, të cilët gjej rastin t’i falenderoj sërish.

Ju faleminderit!