Raportimi i punës 300 ditore të Ministrisë së Drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/07/2014

Raportimi i punës 300 ditore të Ministrisë së Drejtësisë

Një raport publik për punën 300- ditore të qeverisjes në sistemin e drejtësisë është mbajtur sot në Ministrinë e Drejtësisë, në praninë e aktorëve kryesorë dhe drejtorive të varësisë nga ky institucion.

 

Me pjesëmarrjen e Zv/Kryeministrit të vendit, z. Niko Peleshi, Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, Zv/Ministrave z. Arben Isaraj dhe z. Idlir Peçi, si dhe disa nga drejtuesit e institucioneve kryesore në një panel teknik, mbledhja e 300 ditëve përçoi jo vetëm shifra dhe arritje, por edhe një frymë optimizmi për punën e nisur dhe vazhdimësinë e saj me ritme edhe më të larta.

 

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në fjalën e tij theksoi se puna e nisur me reformën në drejtësi është nisur me suksesshme të njëpasnjëshme dhe do të vijojë të jetë konsistente.

 

“Jam i bindur se pritshmëritë e çdonjërit prej jush lidhen me përgjigjen e pyetjes se cilat janë realizimet e deritanishme dhe ku konsistojnë politikat tona në të ardhmen. Unë me shumë modesti mund t’ju përgjigjem: integritet në çdo hallkë të sistemit të drejtësisë për të hapur një faqe të re të sundimit të ligjit në Shqipëri, më afër dhe për nevojat e qytetarëve. Jam i bindur se pasuria më e madhe e një kombi është drejtësia. Zotimi ynë përpara gjithë shqiptarëve ishte solidarizimi me më të dobëtit dhe mundësi të barabarta për të gjithë, duke synuar akses të plotë dhe të barabartë në drejtësi për çdo qytetar. Sot nuk ka për të ndodhur si dje, ku me vendimet tërësisht antiligjore janë kthyer në natyrë, jo vetëm pasuri të njohura historikisht si pasuri shtetërore publike, me vlerë kombëtare, por dhe të shpallura si pasuri botërore, siç është rasti i Parkut Kombëtar të Butrintit apo ishujt e Ksamilit. Kjo epokë ka marrë fund. Gjithashtu, implementuam sistemin ALBPOS, me të cilin nuk ka për të ndodhur si dje, ku një qytetar kishte disa m2 në mal dhe e regjistronte me hektar në bregdet, në det apo diku tjetër. Kjo epokë ka marrë fund. Ne e dixhitalizuam këtë sistem. Ne premtuam shtrirjen e shërbimit të provës dhe të mbikqyrjes elektronike në çdo rreth gjyqësor dhe e mbajtëm premtimin tonë në këto 300 ditë të para të qeverisjes.Është e papranueshme që aktorët kyçë të sistemit të drejtësisë me veprimet ose mosveprimet e tyre e kanë kthyer veprimtarinë e institucioneve, që drejtojnë në një sagë të pafundme, apo më keq akoma në një telenovelë, që çdo seri e saj na surprizon me guximin e shkeljes së ligjit, mungesën e eficencës dhe papërgjegjshmërinë e vendimmarrjes. Reformat në Drejtësi do të vijojnë ritmin dhe të flasin me gjuhën e Brukselit! Çdo nismë e jona do të jetë në shërbimin më të mirë qytetarëve, të cilët na kanë votuar dhe besuar. Që gjyqtarët t’i përdorin duart vetëm për çekiçin e drejtësisë dhe të mos guxojnë që t’i fusin ato në xhepat e qytetarëve. Miliona shqiptarë që na votuan, presin që pavarësia në sistemin gjyqësor duhet të garantohet nëpërmjet qëndrimit tonë ndaj fenomenit të korrupsionit në  drejtësi. Që në ditët e para të qeverisjes, ne u zotuam përpara shqiptarëve se reformat në sistemin e drejtësisë do të adresohen drejt forcimit të pavarësisë,paanshmërisë dhe profesionalizimit në sistemin e drejtësisë shqiptare, në mënyrë që qytetari të mos mbahet më peng i zvarritjes së pajustifikuar nga ana e gjykatës. Ndërkohë që procesi i pakthyeshëm integrues i vendit, por edhe vetë qytetarët, kërkojnë një drejtësi që të mos blihet, por të jepet, që reforma të jetë gjithë përfshirëse dhe t’i shërbejë më së shumti qytetarëve dhe vendit.”- shprehu ndër të tjera në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë.

 

Fjala e Zv/Kryeministrit Peleshi përmblodhi disa nga arritjet nëçështjen e pronave, një problem i zvarritur dhe tashmë i zgjidhur me sukses në këto ditë qeverisje dhe lufta ndaj korrupsionit në drejtësi, që u përkthyen në sukses kombëtar të kësaj qeverisje.

 

“Marrja e statusit të vendit kandidat ishte prova më e qartë e besimit të Bashkimit Europian tek ajo që të gjithë ne e dimë dhe që të gjithë qytetarët e shohin ditë pas dite: puna ka filluar në çdonjërin prej këtyre drejtimeve, me seriozitet, profesionalizëm dhe një angazhim që arriti të bindte edhe më skeptikët se marrëdhënia e Shqipërisë me Bashkimin Europian meritonte të hynte në një fazë të re. Parafolësit, drejtuesit e agjencive dhe institucioneve të tjera të varësisë, por edhe Ministri Naço, bënë një prezantim që tregon më së miri jo thjesht sa shumë punë është bërë, por edhe vizionin e ri që e ka udhëhequr në çdo moment punën tuaj gjatë këtyre 300 ditëve. Kam qenë personalisht i përfshirë dhe kam mundur të shoh nga afër, të diskutoj e të ndjek hap pas hapi përpjekjet që janë bërë nga kjo ministri, nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për adresimin e çështjes së pronave. Në vetëm 300 ditë, falë angazhimit, frymës së re të bashkëpunimit dhe vullnetit për t’i gjetur një zgjidhje kësaj plage e për te bërë drejtësi në lidhje me pronat, është bërë një punë jashtëzakonshme. Të gjithë ne e dimë se sfida më e madhe, ajo ku rezistenca ka qenë e madhe e do të ashpërsohet më shumë në muajt që do të vinë, por ku edhe detyrimi ynë përballë qytetarëve dhe presioni nga qytetarët që na votuan në 23 qershor do të vijë duke u rritur me çdo ditë e muaj që kalon, është një tjetër. Natyrisht e kam fjalën për reformën e sistemit të drejtësisë, e cila padyshim do të jetë beteja më e madhe e 300 ditëshit tonë të dytë në qeverisje. Le t’i themi gjërat siç janë: gjendja ku ndodhet sistemi i drejtësisë është sot problemi ynë më i madh. Asgjë që ne do të bëjmë nuk do të jetë e plotë pa këtë reformë dhe qytetarët shqiptarë nuk do të na e falin nëse nuk arrijmë të reformojmë drejtësinë duke e bërë atë funksionale, duke e bërë sistemin të ndryshojë e të bëjë atë që i ngarkon Kushtetuta e atë që qytetarët me të drejtë presin prej tij: të japë drejtësi.”– theksoi Zv/Kryeministri Peleshi.

 

Ndërsa Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj, renditi disa nga arritjet kyçe të këtyre 300 ditëve në sistemin e drejtësisë.

 

“Në këto 300 ditëështë arritur ngritja dhe funksionimi i Gjykatave Administrative, nga të cilat 6 gjykata të shkallës së parë, 1 gjykatë apeli dhe Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë. Është rritur numri i procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve që ka shkuar në 20, prej të cilëve 12 me masën “shkarkim nga detyra”. Është kryer Instalimi i sistemit ICMIS në 28 gjykata, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë dhe është instaluar sistemi audio në 25 gjykata dhe në 112 salla gjykimi. Në protalin elektronik “Stop korrupsionit në drejtësi” janë regjistruar 775 denoncime.Është hartuar Plani Strategjik 2014-2017 për Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentit.”-theksoi z. Isaraj.

 

Zv/Ministri Idlir Peçi gjatëfjalës së tij u ndal në punën e bërë nga dy drejtoritë më të mëdha në Ministrinë e Drejtësisë, atë të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Drejtorinë e Kodifikimit, të cilat sipas tij, me ndryshimet e fundit ligjore dhe punën e madhe tëkryer, kanë ndikuar në suksesin e vendit tonë në marrjen e statusit të vendit kandidat për antarësi në Bashkimin Europian.

“Ndryshimet në Kodin e Procedurave Administrative në këtë periudhë të qeverisjes kanëforcuar sigurinë ligjore, kanë mundësuar një administratë efektive dhe transparencë në vendimmarrje. U bë e mundur nxitja e integritetit të autoriteteve publike përmes projektligjit “Për të drejtën e informimit”, u hartuan paketat ligjore Anti-korrupsion dhe Anti-mafia, si dhe u rrit cilësia e hetimit dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit. Janë zbatuar në mënyrërigoroze projektet e financuara nga programi IPA, janë konsoliduar marrëdhëniet juridiksionale me jashtë.Po ashtu, vlen të theksoiget suksesi në çështjet e fituara nga Avokatura e Shtetit, ku çështjet e fituara kapin vlerën e mbi 8 miliard lekëve dhe 817.4 hektarë tokë.”- nënvizoi z. Peçi.

Sipas drejtoreshës sëAgjencisë sëKthimit dhe Kompensimit tëPronave, znj. Sonila Qato, puna voluminoze me të cilën është përballur kjo drejtori për zgjidhjen e çështjes së pronave ka qenëe vështirë, por e suksesshme.

“Në këtëperiudhdhë të punës sonë, kemi mundësuar krijimin e Rregjistrit Themeltar të Vendimmarrjes së Agjensisë në 21 vitet e fundit dhe inventarizimi i arkivës. Realizimi i projektit pilot në qarkun e Vlorës për krijimin e databazës dhe pozicionimin hartografik të vendimeve nga viti 1993 dhe në vazhdim. Shpërndarja e kompensimit për vitin 2013 nga i cili përfituan 50 pronar me vlerë totale rreth 305 milion lekë. Sipërfaqja e kompensuar për vitin 2013 është 10,641 m2. Shpërndarja e kompensimit nga fondet e ALUIZNI-t nga muaji Tetor 2013 deri më sot për 122 pronar, me  vlerë totale rreth 113 milion lekë. Identifikimi i 35,850 ha tokë bujqësore me të cilën AKKP do të kompensojë pronarët e shpronësuar. Përfundimi i azhornimit periodik vjetor të pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë.”- tha ndër të tjera zj. Qato.

Duke vijuar në lidhje me pronat, si një pikë nevralgjike në Shqipëri dhe një problem i mbartur prej vitesh pa gjetur zgjidhje, referoi edhe Drejtori i Zyrës Qendrore tëRregjistrimit tëPasurive tëPaluajtshme, z. Ilirjan Muho.

“Në 300 ditë janë regjistruar 164.000 pasuri të paluajtshme dhe është kryer instalimi i sistemit elektronik të aplikimit në 17 zyra vendore. Ky sistem do të instalohet edhe në 18 zyra të tjera vendore deri në fund të vitit 2014. Është bërë e mundur të reduktohet koha e regjistrimit të transaksioneve me pronat nga 47 ditë, në 6 ditë. Nisi funksionimin sistemi i pozicionimit satelitor ALBPOS, me marzh gabimi jo më shumë se 1-2 cm. Janë lëshuar 100 certifikata pronësie të shpërndara në qarkun e Fierit, pas nisjes së regjistrimit të tokës bujqësore.Janëregjistruar 523.000 kërkesa qytetarësh të trajtuara, me një mesatare prej 2.781 shërbimesh në ditë.”-u shpreh z. Muho.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, shprehu në fjalën e tij se puna në sistemin penitenciar, për vetë natyrën e saj delikate dhe përgjegjshmërinë e lartë që paraqet, ka qenënjë sfidë e arritur.

“Është bërë e mundur që në këtë periudhë të qeverisjes të miratoheti Strategjia afatmesme për luftën kundër korrupsionit në sistemin penitenciar. Në funksion të rritjes së transparencës është aktivizuar numri pa pagesë 08002080 për ankesat e të dënuarve. Janë realizuar programe të njëpasnjëshme trajnimi mbështetur në eksperiencat më të mira të vendeve të BE-së. Janë trajnuar gjithsej 823 punonjës të niveleve të ndryshme dhe është realizuar promovimi  i vlerave njerëzore përmes projektit “Arti përtej qelisë ”. Vlen të theksohet se po në këtë periudhë përfundoi paraburgimi i ri në Berat dhe në Fier brenda shtatorit përfundon IEVP më e madhe në vend. PËr të forcuar sigurinë në sistem, janë kryer 2231 kontrolle sigurie, janë dhënë648 masa disiplinore dhe 34 procedime penale për shkeljet e konstatuara. Gjithashtu, është bërë inagurimi i sistemit laboratorik për testimin e virusit HIV dhe hepatiteve në dy IEVP.”- theksoi z. Zoto.

Si pjesë e këtij paneli, edhe Drejtori i Shërbimit të Provës vuri në dukje disa arritje të kësaj drejtorie në varësi të Ministrisë s Drejtësisë, si një nga shërbimet e nevojshme në zinxhirin e zbatimit të drejtësisë për personat në konflikt me ligjin.

“Shtrirja e Institucionit të Shërbimit të Provës është mundësuar tashmë në të gjithë territorin e Republikës dhe tashmë ka nisur puna për hapjen e zyrave vendore edhe në Tropojë, Pukë, Kurbin, Krujë, Dibër, Kavajë, Lushnje, Pogradec, Përmet dhe Sarandë. Shifrat tona tregojnë për 2344 të dënuar të mbikëqyrur në periudhën Janar – Qershor 2014, dy herë e gjysmë më shumë se një vit parënë të njëjtën periudhë. Kanë përfunduar praktikat e amnistisë së vitit 2012, të zvarritura prej pothuajse dy vjetësh. Me mbështetjen e OSBE-së është realizuar një sistem i posaçëm për vlerësimin e rrezikshmërisë për të miturit. Është përgatitur infrastruktura për shtrirjen e mbikëqyrjes elektronike pranë çdo rrethi gjyqësor, por gjithashtu është bërë draftimi i amendimeve të kuadrit ligjor për Shërbimin e Provës dhe miratimi i ligjit të posaçëm për këtë institucion.”-përfundoi z. Qafa.