Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion 14 Nëntor 2018 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/11/2018

Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion 14 Nëntor 2018

 

Lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën është shndërruar në një përpjekje në front të gjerë të qeverisë shqiptare.

Nga njëra anë jemi fokusuar te rritja e transparencës qeverisëse dhe ngritja e sistemeve moderne të shërbimit ndaj qytetarëve përmes reformave të thella, që mbyllin shtigjet për korrupsion dhe nga ana tjetër kemi rritur ndjeshmërinë për intensitetin e goditjes kundër çdo tentative për korrupsion nga drejtues apo punonjës të administratës shtetërore.

Denoncimet dhe ankesat në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al janë ndihma më e madhe që qytetarët vazhdojnë të na japin në këtë betejë të rëndësishme.

Pikërisht mbi bazën e këtyre denoncimeve janë hartuar planet e punës për Task Forcën Antikorrupsion, e cila ka vijuar me kontrolle dhe inspektime të ndryshme.

Gjatë javës së kaluar Task Forca Antikorrupsion ka kryer inspektim administrativ në Spitalin Rajonal Vlorë.

Objekti i kontrollit kanë qenë prokurimet publike dhe ekzekutimi i kontratave në fushën e trajtimit, menaxhimit dhe evadimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore si dhe furnizimit me medikamente dhe të tjera.

Nisur nga shkeljet e konstatuara, Task Forca ka rekomanduar 18 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të këtij spitali. Janë rekomanduar:

9 masa disiplinore, “vërejtje me paralajmërim për largim nga puna” për monitorimin e kontratave, për mospërmbushjen e detyrimeve të përcaktuara ligjore, për ish-Drejtorin e Spitalit, aktualisht në detyrën e mjekut në këtë spital si dhe 8 personat përgjegjës anëtarë të komisioneve të prokurimit dhe të komisioneve përgjegjës. Gjithashtu janë rekomanduar:

9 masa disiplinore, “vërejtje me shkrim”, për shkelje në procedura prokurimi, për Drejtuesin e Spitalit dhe 8 personat përgjegjës antarë të komisioneve të prokurimit.

Task Forca Antikorrupsion ka konstatuar mungesa të mbulimit me shërbimin për evadimin e mbetjeve të rrezikshme në disa periudha gjatë vitit 2018, shkelje të procedurave dhe rregulloreve në kontratat e shërbimit mbi realizimin e procesit të evadimit të mbetjeve dhe mangësi në dokumentacionin përkatës.

Bashkëpunimi midis institucioneve ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë ka vijuar të jetë intensiv, në ndjekje të çdo informacioni për raste të korrupsionit nga zyrtarët dhe nëpunësit e administratës shtetërore.

Gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar 9 vepra penale në fushën e korrupsionit. Janë proceduar penalisht 23 autorë, të akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, nga të cilët 3 autorë janë arrestuar dhe 20 autorë të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Pas një hetimi disa mujor janë arrestuar gjithashtu në flagrancë 3 punonjës të Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Tiranë,  të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri – tjetrin, i kanë marrë rryshfet një subjekti tregtar në qytetin e Korçës, për të mos vendosur masën administrative ndaj këtij subjekti.

Rezultatet e vazhdueshme të angazhimit të strukturave antikorrupsion dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese janë tashmë të prekshme nga të gjithë qytetarët, si nga ata që i janë drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe kanë pasur mundësi të verifikojnë vetë reagimin e menjëhershëm ndaj çdo denoncimi apo ankese ligjore, por edhe nga ata të tjerë  të cilët pavarësisht skepticizmit të tyre për masat e marra, shohin ditë pas dite numrin e konsiderueshëm të drejtuesve dhe nëpunësve të administratës të ndëshkuar për korrupsion.

Rezultatet janë të mira, por kemi ende shumë punë për të bërë, për të arritur ato standarde të transparencës me publikun, shërbimit cilësor ndaj qytetarëve dhe goditjes së korrupsionit, të cilat kërkohen në radhë të parë nga vetë qytetarët, por në të njëjtën kohë edhe në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit.

Faleminderit