Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë në krye të listës së prioriteteve të qeverisë shqiptare dhe strukturave të posaçme të ngritura prej saj për të goditur këtë fenomen tejet negativ për shoqërinë dhe shtetin ligjor.
Sjellja jonë ndaj korrupsionit e orientuar tashmë në dy linja kryesore, synon nga njëra anë të forcojë masat parandaluese, përmes sistemeve të reja dhe të dixhitalizuara të shërbimeve e nga ana tjetër të godasë çdo shfaqje të këtij fenomeni në institucionet dhe zyrat e administratës shtetërore.
E tillë ka qenë qasja edhe në strukturat e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku në javët e fundit ndërsa janë marrë një sërë masash për ndryshimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve të shërbimit, njëkohësisht janë kryer edhe disa kontrolle të bazuara në ankesat dhe denoncimet e qytetarëve.
Në dy javët e kaluara Task Forca Antikorrupsion ka organizuar kontrolle administrative pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë dhe Elbasan duke marrë në konsideratë disa denoncime.
Nga këto kontrolle kanë rezultuar shkelje ligjore dhe administrative në organizimin e testimeve për marrjen e lejeve të drejtimit, ku ka dyshime të arsyeshme se gjatë procesit të testimit, janë krijuar situata për të favorizuar të testuarit nga personat përgjegjës të cilët kanë si detyrë të administrojnë procesin për elemente parregullsie të procesit të testimit.
Po ashtu, pranë këtyre drejtorive, janë konstatuar shkelje të procedurave të publikimit dhe zbatimit të prokurimeve publike.
Bazuar në raportin e kontrollit për shkeljet e konstatuara, Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar dhënien e 13 masave disiplinore, nga të cilat 2 largime nga puna.
Për Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Tiranë, është rekomanduar:
Për Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Elbasan, është rekomanduar:
Task Forca Antikorrupsion, në zbatim të detyrave të saj funksionale, krahas masave ndëshkimore ka rekomanduar edhe marrjen e 7 masave të tjera organizative, të cilat do të bëjnë të mundur që shkeljet e konstatuara të mos përsëriten më në të ardhmen.
Gjatë kësaj periudhe 2 javore një punë mjaft e mirë dhe me rezultate konkrete kundër korrupsionit është bërë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese.
Si rezultat i kësaj pune, gjatë dy javëve të fundit janë evidentuar 55 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë.
Janë proceduar penalisht 80 autorë, nga të cilët 11 autorë të arrestuar apo të ndaluar dhe 69 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë.
Ndër procedimet penale të javës së fundit, bën pjesë edhe rasti i një pedagogu në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin e Vlorës, i cili u denoncua në media se i kishte marrë ryshfet një studenti për t’i mundësuar marrjen e një provimi.
Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion dua të falënderoj të gjithë qytetarët që me denoncimet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, janë bërë pjesë e kësaj sfide të përbashkët për luftën kundër korrupsionit.
Por gjithashtu, ashtu siç sot më herët në një bashkëbisedim me studentët në Vlorë, e deklaroi kryeministri Rama, në kuadër të Paktit për Universitetin që po përgatitet me pedagogët dhe studentët, gjej rastin që të deklaroj se përveç masave legjislative dhe parandaluese që do të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit në arsim, një vëmendje të shtuar do të marrë nga Task Forca Antikorrupsion, fenomeni i korrupsionit në sistemin arsimor.
Dhe me këtë gjej rastin që të ftoj të gjithë studentët dhe pedagogët që të denoncojnë çdo rast korrupsioni në sistemin arsimor, jo vetëm për të parandaluar korrupsionin, por edhe për të ndëshkuar këdo që bën korrupsion me të ardhmen e studentëve.
Faleminderit
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.