Sot në Komisionin e Ligjeve janë marrë në shqyrtim, dy projektligje të rëndësishme, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë.
Konkretisht seancën e sotme në këtë komision u paraqitën për diskutim projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, i ndryshuar.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço theksoi se institucioni që ai drejton, në kuadër të përmbushjes së detyrave të tij funksionale, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji “Për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, ka ndërrmarrë nismën ligjore për hartimin e një ligji të ri “Për Organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”.
“Ky projektligj vjen si rrjedhojë e kërkesës së Qendrës së Botimeve Zyrtare, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të së cilës janë parashtruar disa problematika dhe anomali gjatë zbatimit të ligjit ekzistues. Projektakti synon plotësimin e vakumit ligjor ekzistues, nëpërmjet caktimit të tarifave për shërbimet e procesit të publikimit të akteve në faqen elektronike të Qendres së Botimeve Zyrtare. Gjithashtu, kjo iniciativë ka lindur si nevojë e përmirësimit të praktikave të botimit të akteve zyrtare të shtetit shqiptar, në Fletoren Zyrtare, me qëllim përmirësimin e aksesit të publikut në legjislacionin në fuqi”, u shpreh z. Naço
Ministri Naço sqaroi se ligji synon garantimin e nivelit të sigurisë së botimit të akteve, për shkak të rëndësisë se botimit të Fletores Zyrtare, dhe saktësinë e informacionit që botohet në të.
“Duke qënë burimi i vetëm dhe autentik i akteve ligjore dhe nënligjore, ku bazohet e gjithë veprimtaria e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, sistemi duhet të ofrojë siguri maksimale të informacionit. Në përmbushje të këtyre parimeve, ka lindur nevoja për propozimin e një ligji të ri, në vend të një ligji ndryshues. Një ligj amendues do të shkaktonte konfuzion, ndaj kemi synuar përmirësimin e përgjithshëm të dispozitave të tij edhe në aspektet e teknikës legjislative dhe në zbatim të kësaj të fundit, masa e ndryshimeve ishte e tillë që kërkonte ndërmarrjen e një nisme për një ligj të ri”, tha z. Naço
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Qëndrës së Botimeve Zyrtare” ngarkon Qendrën e Botimeve Zyrtare për publikimin periodik të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare, që do të shërbejë si formati i botimit zyrtar, i cili përmban të gjitha njoftimet e institucioneve shtetërore me qëllim bërjen e tyre publike.
Gjithashtu ai parashikon rregulla më të qarta për dërgimin e akteve për botim, si dhe sanksionon detyrimet e institucioneve, të cilat publikojnë aktet e tyre në Fletoren Zyrtare.
Formati i Fletores Zyrtare, si i vetmi botim zyrtar në Republikën e Shqipërisë ku publikohen aktet juridike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, botimi i të cilave parashikohet në Kushtetutë, ose në legjislacionin në fuqi, është i përcaktuar në një shtojcë që i bashkëlidhet projektligjit.
Projekltligji përcakton se Fletorja Zyrtare dhe Buletini i Njoftimeve Zyrtare në formë elektronike publikohen në të njëtën ditë, kur janë publikur edhe në formën e tyre të shtypur dhe se botimi në formë elektronike i Fletores Zyrtare dhe Buletinit të Njoftimeve Zyrtare duhet të përmbajë edhe informacion në lidhje me datën dhe orën e publikimit.
Momenti i daljes së Fletores Zyrtare nga botimi konsiderohet data dhe ora e përfshirjes në Arkivin Elektronik të Akteve.
Ndërkohë, sanksionohet se pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare, çdo subjekt, mund të njihet, drejtpërdrejt dhe pa shpërblim, me përmbajtjen e akteve të botuara.
Në projektligj janë përcaktuar rregulla të hollësishme për funksionimin dhe administrimin e Arkivit Elektronik të Akteve.
Projektligji është i strukturuar në gjashtë krerë dhe në njëzet nene.
Në pjesën Dispozita të Përgjithshme, janë përcaktuar më qartë objekti, qëllimi, termat dhe procedurat e botimit, duke qenë së është zgjeruar fusha e veprimtarisë së ligjit duke përfshirë dhe Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si risi e këtij projektligji.
Një impakt pozitiv i këtij projektligji ishte dhe përcaktimi i detyrimeve të institucioneve, të cilat i publikojnë aktet e tyre në Fletoren Zyrtare.
Po në këtë projektligj përcaktohet afati për botim, administrimi i regjistrit elektronik dhe shkresor të akteve, si dhe detyrimi i institucioneve shtetërore për bashkëpunim me Qendrën e Botimeve Zyrtare.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.