Propozimi per nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/06/2014

Propozimi per nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço,  në mbështetje të nenit 34 të Ligjit nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 31 të Ligjit nr.8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, paraqet për shqyrtim kërkesën për procedimin disiplinor të gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Gjin Gjoni.

 

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me shkresën nr.2125 prot., datë 24.04.2014 drejtuar Ministrit të Drejtësisë, pas kontrollit të plotë të deklarimeve të interesave private të subjektit Gjin Gjoni, vërente se:

 

Në përfundim të kontrollit dhe hetimit administrativ të deklaratave të interesave private të subjektit Gjin Gjoni,  bazuar në rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera mbi deklarimet e tij, administrimit të provave dhe deklarimeve të bëra nga subjekti në proces-verbalin e pyetjes, është arritur në përfundimin se subjekti ka bërë deklarim të rremë, ka fshehur pasurinë, nuk ka deklaruar likuiditetet dhe transaksionet bankare, interesat e tij private dhe burimet e krijimit të tyre.

 

Sa më sipër, konkludohet se, veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Gjin Gjoni janë shkelje shumë të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 2, shkronja “ç” të Ligjit Nr.9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet se:

 

“Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë:

 

ç) refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.”

 

Përfundimisht, nga vlerësimi fakteve Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i propozon KLD-së, që gjyqtari Gjin Gjoni t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore me masën “Shkarkim nga detyra”.