Një projekt i ri për përmirësimin e menaxhimit të sistemit të burgjeve në Shqipëri është promovuar sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, me financimin e Bashkimit Europian dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të palës britanike që asiston projektin përmes ekspertëve të deleguar posaçërisht. Projekti dy-vjeçar bazohet në shtatë shtylla kryesore, që përbëjnë në të vërtetë objektivat e zbërthyera në aktivitete konkrete, siç janë: përmirësimi i akteve ligjore e nënligjore ekzistuese, reduktimi i mbipopullimit në burgje dhe qendrat e paraburgimit, implementimi i një sistemi për menaxhimin e të burgosurve me rrezikshmëri të lartë, implementimi i një sistemi për identifikimin e nevojave të grupeve vulnerabël (përfshirë të burgosurit me probleme të shëndetit mendor), forcimi i programit të mbikqyrjes elektronike në Shërbimin e Provës, ngritja e një sistemi të pavarur të inspektimit për burgjet dhe shërbimin e provës dhe hartimi i një Strategjie të Komunikimit dhe Informacionit, ku do të ketë fokus të veçantë antikorrupsioni. Të gjitha këto ndërhyrje dhe risi në sistemin e burgjeve pritet që të kenë një ndikim thelbësor pozitiv për të arritur standardet e BE-së. Ekspertët britanike kanë studiuar paraprakisht situatën në Shqipëri dhe tashmë, po asistojnë ditë pas dite implementimin e projektit, që pritet të zgjase rreth dy vjet.
Në promovimin e projektit ishin të pranishëm Ministri Ylli Manjani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, Ambasadorit Britanik Nicholas Cannon, Drejtori i projektit Alan Tallentire, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Erol Akdag, si dhe Këshilltari rezident i projektit në Shqipëri Greg- Riley Smith. Gjithashtu, ishin ftuar për të qenë të pranishëm dhe për tu njohur me synimet e projektit përfaqësues nga sistemi gjyqësor, i burgjeve dhe ai i shërbimit të provës.
Ministri në fjalën e hapjes së aktivitetit u shpreh, se me këtë projekt fillon një hap i ri, cilësisht ndryshe nga sa është bërë deri më sot, kur nga periudha që merreshin fonde për të ndërtuar burgje tashmë po kalohet në një sistem menaxhimi të integruar, duke shkuar drejt integrimit të vetë personave me liri të kufizuar në shoqëri.
“Sot çelim një epokë të re në sistemin e menaxhimit të burgjeve, sistemit penitenciar dhe të Shërbimit të Provës. Një epokë e cila nuk synon të ndërtojë më burgje, sepse Shqipëria nuk mund të jetë vend burgjesh, por një vend integrimi, punësimi, një vend ku ndonëse shtetasit shqiptarë gjenden për rrethana të caktuara përtej hekurave të burgut, t’u ofrohet mundësia për t’u integruar në shoqëri. Kështu që kjo epokë e re fillon sot me këtë projekt, për të cilin i jemi mirënjohës BE-së dhe Qeverisë Britanike, që ka qenë dhe mbetet ndër kontribueset tona më të spikatura në baza të përditshme. Me këtë projekt do të ndërtohet një sistem menaxhimi bashkëkohor, evropian, që t’u japim mundësinë e edukimit të gjithë shtetasve shqiptarë. Për shtetin shqiptar ky është një moment i rëndësishëm dhe historik, sepse realisht fillojmë të mendojmë në mënyrë evropiane. Të mos harrojmë, se ata që janë mbrapa hekurave nuk i kemi çuar në kamp pushimi, por janë një një sistem ku kufizimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut bëhet sigurisht në bazë të vendimit të gjykatës, por shërbimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë.”– theksoi Ministri i Drejtësisë.
Më tej, Manjani tërhoqi vëmendjen ndaj sistemit gjyqësor, që dënimet për gratë dhe të miturit të jenë, aq sa mundet, më të buta, duke shmangur burgimin e tyre dhe aplikuar më shumë dënimet alternative për këto dy kategori.
“Kushdo që gjendet në sistemin penitenciar për shkak të rrethanave të jetës duhet të trajtohet nga shteti siç duhet, por synimi ynë është jo ndëshkimi dhe integrimi, ndaj si hap i parë në projektet e Ministrisë së Drejtësisë është mbërritja në standardin e burgjeve të hapura. Duhet që të paktën të mos ketë izolim për gratë dhe të miturit. Ky është standardi numër një që duhet të arrijmë. Me këtë nuk kam parasysh që njerëzit mund të vrasin, por detyra e shtetit është që t’i integrojë ata, në radhë të parë këto dy kategori, sepse një i mitur në burg është fatkeqësi për shoqërinë. Kushdo qofshin rrethanat që e kanë vendosur në kushtet e shkeljes së ligjit, nuk është burgu apo izolimi i dhunshëm zgjidhja. Natyrisht do izolohen kur nuk ka tjetër alternativë, por zgjidhja ‘gruaja pranë familjes’ është shumë më e dobishme se sa ‘gruaja larg familjes’. Pra këto dy kategori, sipas gjykimit tonë në Ministrinë e Drejtësisë, duhen trajtuar me përparësi.”- përfundoi Manjani.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, në fjalën e tij nënvizoi faktin, se projekti i binjakëzimit vjen në një moment të rëndësishëm që lidhet me pritshmërinë e publikut për të patur një sistem penitenciar të orientuar drejt rehabilitimit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka paraprirë projektit të binjakëzimit me iniciativa që janë risi në këtë sistem, si krijimi dhe aplikimi i një modeli të informacionit mbi sigurinë, krijimi i një kulture menaxhimi bazuar mbi indikatorët e performancës, si dhe hartimin e Kodit të Etikës për të eliminuar sjelljet abuzuese dhe korruptuese nga ana e stafit. Duke vlerësuar pritshmërinë që kemi në lidhje me zbatimin e këtij projekti dhe vizionin tonë për sistemin e burgjeve, është e nevojshme edhe të hartohen akte të reja ligjore dhe nënligjore, të merren masa afatgjata për uljen e mbipopullimit, të krijohet regjimi i hapur, modeli i vlerësimit të riskut etj, që janë ndër komponentët kryesorë të këtij projekti. Përdorimi i burgimit si mjeti i fundit do të ishte jo vetëm më rezultativ, por do të kishte edhe kosto më të ulët në menaxhimin e sistemit.”– u shpreh Zoto.
Më tej Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve theksoi, se shpesh veprimtaria që ushtron sistemi i burgjeve i kalon kufijtë institucionalë, pasi për të realizuar disa prej proceseve, sic është rehabilitimi i personave të dënuar, kërkohet bashkëpunimi i shumë institucioneve apo shoqatave. Por në kushtet e një mbipopullimi është e pa mundur përmbushja e këtij misioni, sipas kreut të burgjeve të Shqipërisë.
I ftuar në panel ishte edhe Ambasadori Britanik Cannon, i cili gjatë fjalës përshëndetëse renditi një sërë faktorësh që ndikojnë në politikën penale të dënimit me burg për shkelësit e ligjit, siç janë: pritshmëritë e publikut për ndëshkueshmërinë e kriminelëve dhe mbrojtjen nga personat e dhunshëm apo të rrezikshëm, trajtimi human pavarësisht veprës së kryer, kushtueshmëria e burgosjes etj.
“Ky projekt synon të asistojë Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri për të çuar përpara reformën në sistemin e burgjeve. Kjo duhet të përfshijë përmirësimin e menaxhimit dhe trajnimit, legjislacionin e ri dhe ristrukturimin e sistemit, për të siguruar që të burgosurit mbahen në kushte të duhura dhe mundësimin e programeve për riintegrimin e tyre në shoqëri. Jam i befasuar nga vendosmëria e Ministrit të Drejtësosë, Drejtorit të Burgjeve dhe stafit të tyre për ta çuar përpara këtë projekt.”- tha ndër të tjera Ambasadori Britanik.
Ndërsa dy ekspertët e ftuar në panel, Alan Tallentire dhe Greg- Riley Smith, u ndalën në analizimin një nga një të objektivave dhe aktiviteteve të projektit të binjakëzimit, duke paraqitur njëkohësisht për të pranishmit një panoramë të qartë të ndryshimeve që pritet të ndodhin në sistemin e burgjeve. Aplikimi i burgjeve të hapura dhe qendrave të pritjes, që do tu japin mundësi të dënuarve që të punojnë dhe shlyejnë dënimin, aplikimi i një sistemi për kategorizimin e të burgosurve në bazë të sigurisë apo rrezikshmërisë së tyre, asistimi i stafit të ministrisë gjatë hartimit të Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit etj, ishin vetëm disa nga arritjet konkrete që do të sjellë aplikimi i projektit në 23 burgjet dhe paraburgimet e vendit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.