Përmbushja e rekomandimeve të evidentuara nga Progres Raporti 2013, ishin pjesë e raportimit të Ministrit të Drejtësisë Z. Nasip Naço gjatë seancës së kësaj të hëne në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Në lidhje me rekomandimin e raport progresit se “Rishikimi i vazhdueshëm i Kodit të Procedurës Penale nuk ka përfunduar ende, veçanërisht në lidhje me miratimin e dispozitave që synojnë ndarjen e kompetencave dhe procedurave, si dhe uljen e ngarkesës së punës të Gjykatës së Lartë”, Ministri Naço parashtroi se Ministria e Drejtësisë ka në vijim ndryshimin e disa dispozitave të tjera të Kodit të Procedurës Penale, me qëllim harmonizimin e terminologjisë së përdorur në dispozitat e tij, në përputhje me ndryshimet e bëra kohët e fundit, racionalizimin e kompetencave të Gjykatës së Lartë dhe procedurave me qëllim zvogëlimin e ngarkesës së punës së saj.
Ministri Naço theksoi se është kërkuar asistenca e drejtpërdrejtë e Komisionit të Venecias lidhur me reformimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese si edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Ndërkohë duke iu referuar evidentimit të Progres Raportit se “Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi inspektimet është zbatuar pa probleme, por përsa kohë që Ligji mbi “Këshillin e Lartë të Drejtësisë” nuk ka ndryshuar, mbetet ende rreziku i mbivendosjes”, Ministri Naço u shpreh se institucioni që ai drejton po vlerëson ndëryrjen në një sërë nismash ligjore në kompetencë të tij për të përforcuar pavarësinë, paanshmërinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Ministri Naço është ndalur edhe në problematikën e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve duke garantuar se nëse sistemi i ri i vlerësimit të gjyqtarëve përsëri nuk do të jetë efiçent atëherë Ministria e Drejtësisë do të kërkojë ndryshime ligjore që mundësojnë procedura më të shpejta dhe objektive vlerësimi.
Gjithashtu Z. Naço bëri me dije se është nënshkruar një udhëzim i përbashkët me Ministrinë e Financave që ka për synim uljen e tarifave gjyqësore për personat në nevojë, në mënyrë që të t’u garantohet aksesi në drejtësi. Sipas Z. Naço tarifat janë rikthyer në nivelin e vitit 2009, mesatarisht me një ulje prej 37.5% deri në 50%.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.